Çmimet dhe dhuratat e Telebingo shqiptare kanë trokitur edhe gjatë ditës së djeshme në dyert e mijëra familjeve,të cilat me blerjen e një bilete i janë bashkuar surprizave të lojës më popullore të fatit në vend. Përzgjedhja rastësore e kontrabiletës ka gëzuar fituesin e parë të lojës telefonike, me shumën prej 70,000 lekësh, shumë e cila fshihej në tre zarfet e preferuar të tij.
Fati i ka buzëqeshur më së miri edhe fituesit të radhës. Në betejën me zarfet, Kadri Hajdini është shpallur fitues i 70,000 lekëve, të cilës i janë bashkuar si dhuratë edhe 2 orë të ofruara nga mbështetësit financiarë të programit. Loja telefonike ka vijuar të qëndrojë sërish në kryeqytet, duke përzgjedhur si fitues të radhës, familjen e Sidi Hoxhës.
Duke gjurmuar çmimet dhe dhuratat e fshehura në zarfe, Sidi ka siguruar nga loja telefonike shumën prej 60,000 lekësh. Emocione të shumta në studion e Telebingo Shqiptare ka sjellë edhe fituesja e çmimit të madh të javës së shkuar, e cila është paraqitur për të marrë çekun e fituar.
Pas Tiranës, loja me çmimet dhe dhuratat e fshehura në zarfe është ndalur në qytetin e Shkodrës, duke shpallur si fitues familjen e Veli Rexhajt. Në gjurmimin e zarfeve, për të gjetur se ku fshihej një ndër çmimet më të lakmuara makina “Pezho 107”, Veliu është shpallur fitues i shumës prej 60,000 lekësh, si dhe një tapeti të ofruar dhuratë nga mbështetësit financiar të lojës më popullore të fatit në vend. Indriti ishte i përzgjedhuri i fundit që ka tentuar të gjejë se ku fshihej makina, por me zarfet e mbajtura në fund të lojës ka siguruar shumën prej 40,000 lekësh.
Argëtimi nëpërmjet tingujve të muzikës ka vijuar me përzgjedhjen e fituesve të tjerë. Kësaj here bëhet fjalë për fituesit e çmimit tradicional të javës në dhjetë telefonatat e bëra rresht njëra pas tjetrës. Të gjithë telefonuesit që i janë përgjigjur në mënyrë korrekte telefonatës surprizë që Telebingo ka bërë në shtëpitë e tyre janë shpallur fitues të 10,000 lekëve.
Shorti i goglave për çmimin e madh të javës që ka mbërritur në vlerën e 1.306,025 lekëve ka zgjeruar edhe më tej listën e fituesve të lojës më popullore të fatit në vend. Seria e numrave të përzgjedhur ka çuar çmimin e madh në Peshkopi, ku dhe rezulton të jetë shitur bileta fituese. Shorti i goglave ka përzgjedhur edhe mijëra fitues të tjerë nëpërmjet serisë së fituesve me një linjë dhe dy linja. Konkretisht, janë shpallur si fitues të 50 lekëve 8731 lojtarë.
Fitues të serisë me dy linja janë shpallur 75 persona të tjerë, ku secili prej tyre siguron nga Telebingo Shqiptare plot 5220 lekë. Fitues të një bilete janë shpallur edhe të gjitha ata persona që kanë numrin 1, të përcaktuar si numër fati në biletën e tyre. Hapja e Panairit “Auto Moto Show”, pjesëmarrësit e lojës më popullore të fatit në vend do të luajnë për shumë çmime të mëdha. Të gjithë lojtarët që do të blejnë biletën e tyre në ambientet e panairit do mund të fitojnë tre herë, ku krahas çmimeve dhe dhuratave të lojës telefonike, mund të luajnë për bingon e madhe, si dhe çmimin prej 100,000 lekësh ofruar vetëm për blerësit e biletave në panair.
Fituesit e shorteut të djeshëm duhet të paraqiten mesditën e së mërkurës në zyrat e Telebingos, për të tërhequr dhuratat dhe çmimet e fituara. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara informacionet e plota mbi fituesit e shpallur në shorteun e djeshëm të Telebingos.

