Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës vendosi dje në Vjenë që të mos ulë prodhimin e përbashkët të 30 milionë fuçive në ditë pavarësisht se disa prej 12 vendeve kishin bërë presion se do të aprovonin një ndërprerje të prodhimit që ndihmon në ndalimin e uljes së mëtejshme të çmimit.
“Konform interesit për të kthyer ekuilibrin në treg, konferenca ndërministrore vendosi të ruaj nivelin e prodhimit të 30 milionë fuçive në ditë”, njoftoi karteli i naftës në fund të takimit.
“Rënia e çmimeve nuk reflekton asnjë ndryshim thelbësor, duam të vazhdojmë të presim dhe të shohim si do të reagojë tregu”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i organizatës Abdallah Salem El Badri.
Çmimi i një fuçie naftë krudo, ka prekur të enjten minimumin prej 71.25 dollarë, vlera më e ulët në 4 vjet.
Rëniet janë shtuar pasi u bë e ditur se OPEK do të ruajë objektivin e prodhimit të 30 milionë fuçive në ditë për tremujorin e parë të 2015-ës.
Sekretari i përgjithshëm i OPEK ka bërë të qartë se organizata nuk ka shënuar një objektiv për çmimin. Edhe pse ndërprerja e prodhimit është masa që mund të përkthehej shumë shpejtë në një rritje të çmimeve, burime të afërta me Arabinë Saudite dhe fqinjëve të saj kanë deklaruar të mërkurën për Reuters se këto vende e përjashtonin këtë opsion.
Pasuritë e bollshme që kanë jashtë vendit i lejojnë të përballojnë që çmimi i naftës krudo të vazhdojë të jetë i lirë për të paktën gjatë 2015-ës dhe të përqendrohet kështu në rritjen e aksioneve në treg.
Anëtarët e tjerë të organizatës dhe veçanërisht Venezuela mbështesnin ndërprerjen e prodhimit në mënyrë që të rritej çmimi i naftës krudo dhe të evitonte asfiksinë e ekonomisë së saj, që ka nevojë që çmimi për fuçi të jetë mbi 100 dollarë për të vazhduar financimin.
Para fillimit të mbledhjes, Ministri i Jashtëm venezuelian Rafael Ramirez, foli qartësisht duke iu referuar SHBA-së se rritja e ofertës globale është shkaku kryesor i rënies së çmimit. “SHBA prodhon naftë në një mënyrë të dëmshme dhe ndotëse”, deklaroi ai.
