Çmimi i naftës rritet sërish me 5 lekë për litër, hera e tretë që pas lehtësimit të masave të pandemisë

Edlira Shehu

Çmimet e karburanteve në vend kanë shënuar sërish rritje gjatë ditëve të fundit, për të tretën herë radhazi në një periudhë disa mujore, pas lehtësimit të situatës me pandeminë.

Në pikat e tregtimit të operatorëve kryesorë në vend, nafta dhe benzina po shiten me 5 lekë më shtrenjtë.

Në krahasim me nivelin e ulët prej rreth 148 lekësh, që arritën gjatë periudhës së pandemisë, nafta në vend është shtrenjtuar në pesë muaj, me 18 lekë për litër, ose me 12%.

Shtrenjtimi i parë u shënua në shkurt 2021, me 6-8 lekë për litër, i dyti në maj me 5 lekë për litër, dhe po me kaq edhe në fund të qershorit.

Me fillimin e pandemisë në mars të vitit të kaluar, çmimet e naftës në vend ranë me shpejtësi, nga mbi 180 lekë, që ishin në shkurt, zbritën poshtë 150 lekëve (midis 144-148 lekë) deri në janar 2021, duke reflektuar ecurinë e çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare.

Operatorët e tregut pohojnë se tendenca e fundit rritëse lidhet me shtrenjtimin e karburanteve në tregjet ndërkombëtare.

Në bursa, çmimi i naftës ka arritur në 75 dollarë për fuçi, nga 27 dollarë që zbriti në prill 2020, në kulmin e pandemisë, duke iu afruar nivelit më të lartë, që nga tetori i vitit 2018, si rrjedhojë e kërkesës së fortë globale dhe kufizimeve të prodhimit nga ana e OPEC.

Gjallërohet konsumi

Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se konsumi i karburanteve është gjallëruar në muajt e parë të këtij viti, pas rënies së fortë vitin e kaluar për shkak të kufizimeve të udhëtimeve gjatë karantinës. Në mars 2021, Indekset e volumit, Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare iu afruan nivelit të para pandemisë.

Kompanitë importuese ndërkohë kanë krijuar rezerva muajt e fundit, duke importuar karburante me çmime të ulëta. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se në janar-prill 2021, importet e karburanteve arritën në një nivel rekord të pas viteve ’90, prej 175 mijë ton (Importet e karburanteve janar-mars. Operatorët e tregut pohuan se kjo rritje e fortë nuk ishte e lidhur me kërkesën.

Share This Article
2 Comments
  • kush po e rru per 5 lek, as per 50 lek se rru kush, leqe as per 500 lek kurrkush e rruan nuk

  • Hahahaha

    Po ja kaloni gjithe Botes me kete cmim Karburanti,

    Por ju vahzdoni votoni vetem hajdutin e Surrelit qe te jeni gjithmone te paret ne Bote,
    per cmime te larta kuptohet se per pagat e pensionet jeni te fundit , jeni nje turp

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *