Çmimi i “Vrimës” dhe fatura e bunkerit …

redaktor

Ndoshta do shkaktojë pak habi, se si mund të ndërvaren mes tyre: një çmim letrar me një faturë dëmesh, kur njëra palë shpërblehet dhe tjetra ndëshkohet, pra, kur gjerdani vihet në qafën e Ritës dhe gjylet lidhen në këmbët e Lulit. Ja që në mish-mashin e së përditëshmes sonë, e aftë të ngatërrohet me veten: gjerdani shihet si litari në qafën e të varurit dhe gjylet ngatërrohen me gjinjtë e një femre. Kjo është shoqëria postmoderne, do thoshin sociologët, duke i ngazëllyer provincialët. Gjithsesi, të dyja ngjarjet, sikundër banale që janë, i bashkon dhuna: qoftë ajo fizike mbi pasurinë publike apo verbale mbi autoren e librit, e njohur për estravagancat e saj. Çfarë s’pritet nga një shoqëri e zgjidhur nga litarët, e mësuar të shkelë “vijat e bardha”, të kalojë “vijën e kuqe”, ta kërkojë suksesin tek shkordhja dhe depersonalizimi i tjetrit! S’ishte budalla Odiseja, që, për të mos rënë pre e kënaqësive të rrezikshme, kërkoi ta lidhnin, si një nevojë kjo për t’i vënë fre vetes, në emër të njeriut të kultivuar, por, krejt i dëmshëm ky model aty ku nxitet mosbindja civile dhe berihaja bën namin. Atëherë, yxhym! Njëherësh, nuk mund të mos revoltohesh, kur sheh ca namuzqarë, që pozojnë pas frengjive, me ushkurë të shkalafitur. Sikurse dihet ata që veshin popullin me ferexhe, për vete kanë hareme. (Këta namuzqarë harrojnë shifrat alarmante të femrave shqiptare, që ushtrojnë prostitucionin nëpër botë, ku “mishi i bardhë” konkuron me “miellin e bardhë.” Me tymin e bardhë mund të zgjidhet një papë, me flamurin e bardhë mund të dorëzohet çdo kush që humb luftën, ndërsa ne u mësuam t’ia nxijmë faqen vetes me të bardhën. Kujtoni shprehjen e preferuar të politikanëve: e zeza mbi të bardhë. A s’është korrupsioni më i madh tek togat e zeza dhe tek bluzat e bardha?)

Librin poetik-erotik dhe bunkerin dekorativ i bashkon i njëjti fat, paragjykimi, dhe i njëjti hall: Arti, me të cilin nuk merret askush, pasi vulën tek ne e vë vulgu, ajo mori anonimatësh në rrjetet sociale që s’lënë njeri pa telendisur. Mëkatarët më të mëdhenj, do thoshte Konfuci në këtë rast, janë ata që paragjykojnë (poeten në këtë rast) dhe mbyllen në vetvete, (duke bunkerizuar kauzën, sikurse bëri Luli). Ku ma gjen që protestuesit të bënin, sikur s’kuptonin, të luanin me shejtanllëkun, se sa të na kujtonin zulutë e Konicës, që u turren totemëve, apo mullinjëve të erës. Ndjeshmëria ndaj simboleve të komunizmit është krejt e huaj për rininë e sotme dhe, kush na paska alergji prej tyre, veçse mendjet e mbyllura? Është bërë zakon që breshka t’i përmend kërmillit mbylljen në guacka. Kush ka lexuar librin me ese të nobelistit V. S. Naipaul “Shkrimtari dhe bota” e ka hasur këtë pasazh: ‘Shkopi i Mobutus, prijës afrikan i Zairesë ky, kishte të gdhendur: dy zogj, diçka që dukej si gjarpër, një qënie njerëzore me bark të fryrë. Asnjë zairjan nuk ishte në gjendje të shpjegonte këtë simbolizëm. Njerëzit flasin, kur prijësi nuk e prek tokën me shkop dhe heshtin kur ai e ul’.

Ky lloj dirigjimi i turmës me shkopin simbolik të padëshifrueshëm, politika shqiptare e përdor sa herë do, t’i nxijë faqen popullit të vet në sytë e botës. Politikanët e dinë, që ne s’jemi si ata dhe, për të na ulur në sytë e botës, për të na bazuar me vete, kjo është hakmarrje primitive, nxjerrin shesheve dhe ekraneve zullumqarët. Kjo histori po përsëritet dhe me librin erotik “Vrima”.

Personalish do t’ia vija “flakën” bunkerit, edhe po ta merrja si pop-art ekspozuar në “Onufri” apo binale, pavarësisht se tuneleve të nëndheshme të komunizmit mund t’i shkonte një kapuç i tillë, i ngjashëm me skafandrat e sampistëve. Ishte mundësia të modelohej një prej qelqi, ja që të gjitha inatet ne i kemi me tejdukshmërinë. Keqkuptimi enkas trashet rrugës, ku ata që s’dinë udhën marrin atributet e udhërrëfyesit, sikurse po ndodh dhe me librin në fjalë. Shihni skulpturat e antikitetit apo pikturat e rilindjes evropiane, edhe pse nudo nuk bjenë në sy as vrimat dhe as zgjatimet mashkullore. Kur Mikelanxhelo përfundoi Kapelën Sistine, papa i tha që të mbulonte pjesët e turpshme të figurave të pikturuara. Ai nuk pranoi. Atëherë, papa caktoi një piktor, i cili njihet në historinë e artit si “brekaxhiu i Mikelanxhelos”. Brekaxhinjtë e sotëm kanë hall të mbulojnë lakuriqësinë e tyre. Por, tek estravagantja Rita Petro, problemi qendron se erotika në shumicën e rasteve bie në banalitet, ngaqë mungon finesa artistike. Se ç’bëhet në banjo nuk është e njëjta gjë me çka bëhet në shtrat. Atje ku të gjithë ne bjemë në gjunjë, nëse përshkrimi bëhet me magjinë e artit dhe jo me komercializmin e reklamave, veçse fitojmë dinjitet. Po e ilustroj mendimin me vargjet e një poeteje të re, Elona Tabaku quhet: “Dhe kur derën të hapësh një ditë/Do më shohësh të gjunjëzuar,/Të lutem, mos u mërzit, o shpirt,/Në s’ngrihem për të përqafuar!” E gjithë çështja është që gjunjëzimi të mos degradojë në zvarritje.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *