Marsida Bandilli është fituesja e Çmimit “Active Citizens of Europe”, një çmim prestigjioz që ajo e mori nëntorin e kaluar në një ceremoni të organizuar në shtet ishullin e bukur të Maltës.
“Arsyeja pse unë u përzgjodha nga e gjithë Europa për këtë çmim është për shkak të kontributit të paçmuar që kam dhënë për çështjet Europiane. Në shumë aktivitete të ndryshme ndërkombëtare, unë kam përfaqësuar Europën, duke qenë e angazhuar në diskutimet dhe zhvillimet më të fundit që ndodhin në kontinentin Europian,” thotë Bandilli në një intervistë ekskluzive për “Dita”.
27 vjeçarja, që jeton dhe kryen studimet në Belgjikë, shpreson se ky Çmim do të jetë një model frymëzimi për të rinjtë shqiptarë për ta ndryshuar edhe shoqërinë shqiptare.
Ju jeni fituese e një çmimi të rëndësishëm siç është “Active Citizens of Europe.” Çfarë do të thotë për ju një Çmim i tillë dhe si do ta vini atë në shërbim të shoqërisë shqiptare?
Së pari, Rudina dua t’ju falenderoj për intervistën dhe mbi të gjitha për dedikimin tuaj ndaj çështjeve që i takojnë të rinjve. Në muajin nëntor të vitit 2014 unë u shpalla fituese e çmimit Active Citizens of Europe, që në shqip do të thotë Qytetarët Aktivë të Europës. Ceremonia e ndarjes së çmimeve është mjaft prestigjoze dhe organizohet çdo vit në qytete të ndryshme Europiane. Vjet ishte përzgjedhur shtet-ishulli i bukur i Maltës. Unë pata mundësinë që të jem e pranishme personalisht, dhe të merrja trofeun nga Presidentja e Maltës, H.E, Marie Louise Coleiro Preca.
Arsyeja pse unë u përzgjodha nga e gjithë Europa për këtë çmim është për shkak të kontributit të paçmuar që kam dhënë për çështjet Europiane. Në shumë aktivitete të ndryshme ndërkombëtare, unë kam përfaqësuar Europën, duke qenë e angazhuar në diskutimet dhe zhvillimet më të fundit që ndodhin në kontinentin Europian. Krahas kësaj, organizatorët vlerësuan edhe aftësitë e lidershipit që kam treguar në angazhimet e ndryshme që kam pasur në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Për këtë çmim u nominova nga Znj. Ana Dervishi, e cila është Drejtoresha Ekzekutive e organizatës “Përtej Barrierat” në Shqipëri, ku unë ofroj mbështetje të vazhdueshme për aktivitetet e ndryshme që organizohen për të rinjtë.
Megjithatë, në çdo eveniment ku jam ftuar dhe kam përmendur edhe çmimin kam theksuar gjithmonë se të qenit “Qytetar Aktiv i Europës” nuk më dedikohet mua personalisht. Në fakt, ky çmim i dedikohet të gjithë të rinjve shqiptarë të cilët japin kontributin dhe punën e tyre për të sjellë ndryshime pozitive në vend. Kam bindjen se promovimi më i mirë jo vetëm i këtij çmimi, por më tej i të gjitha arritjeve të tjera të karrierës time profesionale është duke shërbyer si një model inspirimi për të rinjtë. Më pëlqen të them shpesh se jam Ambasadore e vendit tim, në Europë dhe në botë. Pasi në çdo eveniment ndërkombëtar me të rinjtë nga e gjithë bota, mundohem të lë një përshtypje të mirë për Shqipërinë – një një vend i vogël i Europës Juglindore, por ku të rinjtë që janë forca më madhore e saj; kanë horizont, flasin gjuhë të huaja dhe gjithmonë bëjnë pyetje elokuente dhe nxisin debat në lidhje me zhvillimet e fundit të Bashkimit Europian.
Si do ta përkufizonit konceptin e “Qytetarisë Aktive” dhe si mund ta gjallërojmë këtë koncept në Shqipëri?
Në fakt ka shumë debate mbi atë se çfarë konsiderohet qytetar aktiv i një shoqërie. Dhe po të shikojmë pak edhe zanafillën e diskursit, kthehet prapa në kohë në idetë Aristoteliane të qytetarisë në Athinën e Lashtë. E ndërsa në kohën e demokracisë Athinase ndoshta ishte më e lehtë të identifikoje qytetarin që merrte pjesë në ‘Agoran’ e famshme dhe diskutonte dhe votonte; sot është e vështirë të gjesh kritere demarkacioni.
Megjithatë në besimin tim një qytetar bëhet aktiv në momentin kur ndërgjegjësohet se përveç jetës private, ndërton dhe imazhin e tij publik. Me ndërtim të imazhit publik i referohem pikësëpari angazhimit që çdokush nga ne ka në jetën e tij publike. Të qenit anëtar i biblotekës, student, i punësuar apo i papunë – janë të gjitha shtresa të identifikimit vetjak që ka secili prej nesh. E megjithatë nëse çdokush prej përfshihet edhe në punë vullnetare, i vjen në ndihmë komunitetit ‘mbjell një peme’, pa diskutim që po i bëjmë ‘një të mirë’ të madhe vendit ku jetojmë.
Ajo që unë vërej sot është se ka shumë të rinj në Shqipëri që kanë vullnetin e duhur për të bërë gjërat. Më bën të ndihem mëse krenare kur takoj dhe dëgjoj për arritjet e ndryshme që të rinjtë shqiptarë kanë jo vetëm në Shqipëri, por më tej kudo në botë. Dhe pikërisht qytetaria aktive është momenti i përbrendësimit të vlerave më të miraë të një shoqërie. Pjesëmarrja aktive, angazhimi civil, vullnetarizmi, pjesëmarrja në zgjedhje dhe votime – janë vetëm disa nga shembujt e qytetarisë aktive.
Në këtë këndvështrim, do të doja t’i inkurajoja jo vetëm të rinjtë shqiptarë por edhe qytetarët e tjerë, të kenë besimin dhe dëshirën e mirë për të bërë gjëra të bukura në Shqipëri por edhe më tej. Besoj se ka ardhur momenti që veçanërisht të rinjtë e Shqipërisë të kuptojnë se zhvillimi dhe arritjet në fushën sociale, ekonomike dhe politike realizohen nëse jemi të gjithë së bashku prezent dhe kontribuojmë në këtë proces.
Çfarë keni mësuar nga eksperienca juaj jashtë vendit kur vjen puna tek Qytetaria Aktive? Mund të na jepni ndonjë shembull konkret?
Në fakt, prej një viti e gjysëm jetoj në Belgjikë. Aktualisht jam duke zhvilluar studimet e Doktoraturës për Shkenca Politike në Universitetin e Antëerpit. Njëkohësisht jam edhe aktive në institucionet e Bashkimit Europian, ku angazhohem herë pas here në debate dhe marr pjesë në studime të ndryshme për tematikat që lidhen me: zgjerimin e BE-së, zgjedhjet, qytetarinë aktive etj.
Nga eksperienca e të jetuarit në zemrën e Europës, Belgjikën – kam mësuar se shtetet në fakt nuk ndryshojnë shumë nga njeri-tjetri. Çdo vend ka rrjedhën e tij të zhvillimit, sfidat dhe problematikat specifike. E them këtë pasi çdo shtet ku jeton, nuk është perfekt – por janë pikërisht sfidat sado të vogla apo të mëdha – ato që na shtyjnë të punojmë për më mirë. Dhe ndoshta siç thotë edhe Paulo Coehlo, edhe njerëzit janë janë pak a shumë të njëjtë, pavarësisht vendit ku jeton. Për këtë të fundit jam duke u bindur çdo ditë.
Duke i vlerësuar dhe respektuar si Shqipërinë dhe Belgjikën për të mirat që kanë, më duhet të them se është veçanërisht një tipar që më bën përshtypje: sensi i organizimit. Ndoshta është edhe pjesë e rrënjosur e kulturës së vendeve të Europës Perëndimore, por dedikimi ndaj punës, studimeve, aktiviteteve ekstrakurrikulare – kontribuon në faktin që qytetarët janë më aktivë. Një shembull konkret që mund t’ju jap është gjatë ‘konfliktit në Ukrainë’, së bashku me një pjesë të mirë të kolegëve të mi, u mobilizuam duke protestuar në Bruksel, në ndërtesat e institucioneve të BE-së. Aty kuptova sesa e rëndësishme është të mbështesësh një kauzë të drejtë, dhe të jesh i ndërgjegjshëm se çfarëdo që ndodh rreth teje, duhet të të bëjë më aktiv.
Si mund ta promovojë rinia Qytetarinë Aktive? Në ç’mënyrë? A mësohet ai? Kush duhet të përfshihet në këtë proces?
Kjo është një pyetje shumë e bukur. Do të doja shumë që përgjigja të ishte po aq e bukur dhe e thjeshtë. Të jesh një qytetar i mirë dhe aktiv i shoqërisë ku jeton është një proces, ashtu siç është dhe vetë ndërtimi i shoqërisë ku jetojmë, demokratizimi, madje dhe integrimi Europian. E megjithatë çdokush mund të jetë një qytetar aktiv i shoqërisë ku jeton. Në fund të fundit nëse shoqëria është kështjella prej rëre, ata të cilët marrin pjesë në ndërtimin e saj, janë domosdoshmërisht më aktivët.
Në këtë sens do të doja të ndaja përvojën time me ju, të cilën e përmenda edhe gjatë fjalimit në Maltë. Unë u linda dhe u rrita në një familje të thjeshtë në Tiranë. E megjithatë besoj se kam marrë më të mirën jo vetëm nga familja ime, por nga gjithë vlerat e shoqërisë dhe kulturës shqiptare. Një rol të çmuar në formimin tim si lider ka pasur i gjithë sistemi arsimor në Shqipëri, ku unë jam shkolluar. Por gjithashtu edhe organizatat rinore, dhe padiskutim Universiteti i Tiranës – Harvardi i Shqipërisë.
Qytetaria aktive është njësoj si dija – shumë e bukur për ta pasur, akoma dhe më e bukur kur e transmeton tek të tjerët. Prandaj qytetaria aktive mësohet duke ndjekur modelin dhe shembullin më të mirë të saj, duke inkurajuar dhe inspiruar të rinjtë që të jenë një ‘zë i fuqishëm’ i shoqërisë së tyre. Në këtë proces mund të përfshihen shumë aktorë: që nga institucionet arsimore dhe organizatat e ndryshme rinore dhe deri tek individët si shhembujt më të mirë të aktivizimit në fushën sociale, ekonomike dhe politike.
Si filloi e gjithë kjo përfshirje e juaja në aktivitete të pambarimta akademike, rinore dhe sociale?
Për të gjithë ata që më njohin, e dinë se unë jam një natyrë kurioze. Është pjesë e personalitetit tim kurioziteti dhe dëshira për të pasur njohuri në fusha të ndryshme. Në fakt ndonjëherë kur e mendoj, trembem kur e di se ka një milion gjëra që nuk do të jem asnjëherë në gjendje t’i përgjigjem, apo edhe t’i njoh. Ajo që dua të them është se dija është e pafundme, dhe gjithmonë kam pasur qasjen për t’ju përafruar asaj…
Në momentin kur kam filluar studimet e larta për Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës kam kuptuar në fakt se koha kalon shumë shpejt. Kështu fillova të kuptoj vërtet rëndësinë e ‘të qenit i ri’. Dhe duke ndjekur modelet e akademikëve dhe liderave të mëdhenj të botës, fillova të ndjek kurse të ndryshme të lidershipit, të udhëtoja në konferenca dhe trajnime ndërkombëtarë, dhe të zbuloja më shumë për kulturën e vendeve të tjera. Dalëngadalë fillova të kuptoja se në fakt lider nuk bëhesh, por lind i tillë. Dhe momenti kyç kur zbulon se je lider, është kur kupton se ke lindur i tillë. Më tej zbulova kuptova se më pëlqen bota akademike, kërkimi shkencor; krahas të qenit aktiv në organizata dhe rrjete të ndryshme ndërkombëtare.
Sot jam fituesja e çmimit Qytetarët Aktiv të Europës, por kam pasur mundësinë të takojë shumë nga liderët dhe udhëheqësit e botës dhe të Bashkimit Europian, madje të jem dhe në të njëjtin panel diskutimi me ta. Besoj se gjithçka buron nga vullneti dhe dëshira ime për të qenë aktive, dhe për të transmetuar pozitivitet tek njerëzit që më rrethojnë. Pa diskutim, ja dedikoj të gjitha arritjet e mia familjes time, që janë burimi më i madh i mbështetjes për mua.
Kush janë planet tuaja për të ardhmen? Cili mund të jetë kontributi juaj në përpjekjet e Shqipërisë për të hyrë në BE?
Në planet e mia afatshkurtra është përfundimi i studimeve të Doktoraturës me sukses. Edhe në një intervistë të mëparshme për Radio 1 në Belgjikë, kam përmendur se do të kisha dëshirë të vazhdoja të mbroja çështjen e integrimit të Shqipërisë në BE, në Bruksel. Megjithëse ‘Zgjerimi i BE-së’, nuk është ndër prioritetet e Komisionit të Ri të BE-së, kam bindjen se shumë shpejt do të rikthehet në vëmendjen e politikë-bërësve në Bruksel. Një pjesë e padiskutueshme e planeve të mia është pjesëmarrja si spikere në shumë konferenca shkencore-akademike në Europë, një pjesë e mirë e të cilave tanimë kanë zënë vend në axhendën time. Por sigurisht që në Shqipëri jam duke vijuar disa projekte të tjera që lidhen me lidershipin e të rinjve.
Në interesat e mia në të ardhmen përfshihet sigurisht një angazhim i mundshëm në institucionet e Bashkimit Europian, në Bruksel. Edhe pse kam një pasion për pjesën ekzekutive të BE-së, Komisionin Europian – jam e sigurt se çfarëdolloj mundësie e përfshirjes time – do të thotë edhe një lobim i mirë i çështjes së anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në fund të kësaj interviste mjaft të këndshme mund të them me bindje se do vazhdoj të punoj me të njëjtin dedikim dhe përkushtim për të dhënë një kontribut të mirë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe më tej edhe për Europën.
