Disa ditë më parë, në moshën 84 vjeçare, u nda nga jeta Colin Powell, një ndër personalitetet më të shquar të politikës dhe të diplomacisë amerikane dhe asaj botërore gjatë më shumë se tre dekadave të fundit. Këshilltar i Presidentit Ronald Reagan për Sigurinë Kombëtare (1987-1989), Shef i Shtabeve të Bashkuar të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara në administratat e presidentëve George H. W. Bush dhe Bill Clinton (1989-1993) dhe Sekretar i Shtetit i Shteteve të Bashkuara (2001-2005) në administratën e Presidentit George W. Bush, Colin Powell zë një vend të veçantë në jetën e amerikanëve dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë politike të Shteteve të Bashkuara, dhe në marrëdhëniet e superfuqisë së vetme të globit me shoqërinë ndërkombëtare. Në cilësinë e Sekretarit të Shtetit, Colin Powell vizitoi Tiranën në 2 maj të vitit 2003 duke nënshkruar me qeverinë shqiptare dy marrëveshje shumë të rëndësishme. Gazeta DITA boton me këtë rast, si një homazh për këtë njeri të shquar, fragmente nga libri me kujtime “Afrimi i madh”, që pritet të botohet së shpejti, i diplomatit tonë të njohur, Prof. Fatos Tarifa, i cili përfaqësoi Shqipërinë si ambasador i saj në Shtetet e Bashkuara në të njëjtën periudhë katërvjeçare që Colin Powell shërbeu si Sekretar i Shtetit. Këto fragmente nga diplomati shqiptar që e ka njohur Colin Powell-in më mirë se kushdo tjetër në këtë vend, të cilat, duke filluar nga dje, botohen për herë të parë, bëjnë fjalë pikërisht për vizitën e Sekretarit Powell në Tiranë, të cilën vetë Powell e ka cilësuar si “një akt miqësie” dhe, pas kthimit në Uashington, ka thënë për atë vizitë se ishte “një kënaqësi e kulluar”.
Fatos TARIFA
Pjesa e katërt (dhe e fundit)
Nëse burokratët e Brukselit dhe parlamentarët europianë nuk mundën ta pengonin Kryeministrin Nano që të nënshkruante me Sekretarin Powell marrëveshjen dypalëshe për Paragrafin 98 të Statutit të Romës, ata vazhduan përpjekjet dhe presionet për ta penguar ratifikimin e asaj marrëveshjeje nga parlamenti shqiptar. Kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në atë kohë, Peter Schieder, një socialdemokrat austriak, me anë të një letre zyrtare dërguar kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Servet Pëllumbi, kërkoi që Kuvendi të mos e ratifikonte marrëveshjen e nënshkruar vetëm disa ditë më parë. “Ju duhet të kuptoni se jeni një vend europian dhe, për këtë arsye, parlamenti shqiptar duhet të mos e ratifikojë atë marrëveshje”, shkruante ndër të tjera Schieder.
Unë nuk e di se ç’qëndrim mbajti për këtë çështje opozita e asaj kohe në parlamentin shqiptar, por marrëveshja u ratifikua nga parlamenti dhe hyri në fuqi më 7 korrik 2003, në të njëjtën ditë që hyri në fuqi edhe marrëveshja dypalëshe për Paragrafin 98 të atij Statuti mes Shteteve të Bashkuara dhe Bosnje-Hercegovinën. Marrëveshja mes Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë hyri në fuqi në nëntor të po atij vitit, ndërsa ajo me Malin e Zi në prill të vitit 2007.
Si për të provuar drejtësinë e vendimit të qeverisë shqiptare për nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe me Shtetet e Bashkuara për këtë çështje dhe kotësinë e frikës së ndëshkimit nga Bashkimi Europian për atë akt “mosbindjeje”, tre vite pas nënshkrimit në Tiranë të asaj marrëveshjeje, më 12 qershor 2006, Këshilli i Çështjeve të Përgjithme dhe i Marrëdhënieve me Jashtë, organi vendimarës kryesor i Bashkimit Europian, nënshkroi në Luksenburg Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit me Shqipërinë dhe, në nëntor të po atij viti, Komisioni Europian vendosi që të niste negociatat me qeverinë Tiranës për lehtësimin e vizave për shtetasit shqiptarë. Marrëveshja për lehtësimin e viziva u nënshkrua në prill të vitit 2007 dhe hyri në fuqi më 1 janar 2008.
Në prill të po atij viti, Shqipëria mori zyrtarisht ftesën për t’u anëtarësuar në NATO dhe, një vit më vonë, më 1 prill 2009, u pranua si anëtare me të drejta të plota në këtë organizatë. Ndoshta jo krejt rastësisht, ditën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO hyri në fuqi edhe Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asociimit me Bashkimin Europia, dhe, po atë muaj, vendi ynë aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në dhjetorin e vitit 2010, shqiptarët filluan të lëvizin pa viza në të gjithë vendet e zonës Schengen.
* * *
Deri atëherë, çdo gjë e parashikuar në programin e Sekretarit Powell për atë vizitë tre-orëshe në Tiranë kishte shkuar në mënyrë të përsosur. Një pritje e shkëlqyer kudo dhe nga të gjithë. Asnjë minutë vonesë askund. Ambasadori Jeffrey dhe unë ia pohuam njëri-tjetrit këtë kënaqësi sapo konferenca për shtyp në fuajenë e kryeministrisë u mbyll dhe po bëheshim gati për veprimtarinë e radhës. Paige, i cili ishte kudo, por s’dukej gjëkundi, siç ia kërkonte detyra, m’u afrua një çast për të më thënë se “çdo gjë po shkon perfekt”.
Sapo dolëm nga ndërtesa e kryeministrisë, u drejtuam për nga Pallati i Kongreseve. Ceremonia e nënshkrimit të Kartës së Adriatikut ishte planifikuar të mbahej në një nga sallat e katit të dytë, në anën jugore të asaj ndërtese. Në hollin e madh të Pallatit të Kongreseve Sekretarin Powell e pritën Ilir Meta, Tonino Picula dhe Ilinka Mitreva, ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, të cilët do të nënshkruanin me Sekretarin amerikan të Shtetit atë dokument të rëndësishëm, ideja e të cilit lindi fill pas samitit të NATO-s në Pragë, në nëntor të një viti më parë.
Ivan Grdesic dhe Nikola Dimitrov, kolegët e mi ambasadorë të Kroacisë dhe të Maqedonisëtë në Uashington, cilët kishin ardhur në Tiranë për të shoqëruar ministrat e tyre të jashtëm në atë ceremoni, u ulën pranë meje në radhën e parë të sallës ku do të organizohej ceremonia. Ndiheshim të tre mjaft të gëzuar që, në vetëm tre muaj, ia kishim dalë të realizonim në Uashington një mision të vështirë e të rëndësishëm si ai.
Aleatët tanë në atë mission kishin qenë të shumtë, disa prej tyre individë në pozicione të rëndësishëm të administratës amerikane dhe në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Daniel Fried në Këshillin e Sigurisë Kombëtare e kishte bindur Këshilltaren e Presidentit Bush dhe vetë Presidentin amerikan për rëndësinë e Kartës së Adriatikut. Janet Bogue dhe Elizabeth Jones në Departamentin e Shtetit e kishin përkrahur me po aq zell idenë e Kartës dhe kishin bërë të mundur që ajo të nënshkruaj nga Sekretari Powell. Në Kongres, përkrahja kishte qenë gjithashtu e plotë, sidomos nga disa prej anëtarëve më me influencë në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Në Pentagon, gjithashtu.
Mbi të gjitha—dhe pas çdo veprimi dhe arritjeje—ishin miqtë tanë të së ashtuquajturës “mafie” e Uashingtonit—Bruce Jackson, Paige Reefe, Randy Scheunemann dhe, disi më e tërhequr, Julie Finley. Askush nuk e njihte Uashingtonin nga brenda më mirë se sa ata. Ata ishin “insiders” të atij sistemi dhe kishin lidhje me këdo. Vetë ideja e Kartës së Adriatikut dhe përmbajtja e saj ishin një produkt intelektual i Bruce Jackson-it. Një rreth i ngushtë njerëzish me influencë në Shtëpinë e Bardhë, në Departamentin e Shtetit dhe në Kongresin amerikan e përkrahën atë qysh në fillim. Grdesic, Dimitrov dhe unë gjetëm mbështetje të plotë nga qeveritë e tre vendeve tanë dhe lirinë e duhur për të vepruar në Uashington, duke u investuar tërësisht për realizimin e atij projekti. Fakti që Reefe dhe Scheunemann u kontraktuan si konsulentë nga qeveria shqiptare dhe ajo maqedonase e bënë çdo gjë edhe më të lehtë për ne.
* * *
Dhe ja ku ishim tani. Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Colin Powell, ndodhej në Tiranë dhe, vetëm pak çaste më vonë, do të nënshkruante, bashke me tre homologët e tij ballkanas, Kartën e Adriatikut. Unë vetë kisha dhe vazhdoj të kem çdo arsye në botë për t’u ndier krenar për atë çfarë kishim arritur dhe për atë çfarë unë, si ambasador i Shqipërisë në Uashington, kisha mundur të bëj për ta venë Shqipërinë, përmes Kartës së Adriatikut, në mënyrë më të dukshme në atë çfarë mund të quhet “mental map”, hartë mendore e Uashingtonit. Takimi i parë për të diskutuar mbi idenë e Kartës së Adriatikut u zhvillua në ambasadën e Shqipërisë në Uashington, më 10 janar 2003; nënshkrimi i atij dokumenti të rëndësishëm u bë, vetëm 3 muaj më vonë, në kryeqytetin e Shqipërisë.
Ceremoninë e nënshkrimit të Kartës së Adriatikut e çeli ambasadori Roland Bimo, në atë kohë sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Bimo kishte qenë ambasadori i parë i Shqipërisë në Uashington, në vitet 1992-1993, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tanë në vitin 1991. Ai dhe unë ishim miq të vjetër, madje kishim qenë shokë klase në klasën e parë fillore në shkollën “10 Korriku” në Tiranë. Për më tepër, siç unë u emërova ambasador në Uashington disa vite pas Roland Bimos, ai u emërua ambasador në Hagë disa vite pas meje.
Nga gjithçka që u tha nga të katër firmëtarët e asaj Karte në atë ceremoni të shkurtër, vlejnë të përmenden veçanërisht fjalët e Sekretait të Shtetit, të cilave mediat ndërkombëtare u bënë mjaft jehonë. Sekretari Powell tha: “Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithçka është e mundur për të ndihmuar popujt e Shqipërisë, të Maqedonisë dhe të Kroacisë që të realizojnë potencialet e tyre dhe të përfundojnë udhëtimin e tyre për t’u kthyer në zemër të Europës”.
Në lidhje me Kartën e Adriatikut, Sekretari Powell shprehu bindjen se ai dokument do të shërbente si “një hartë në rrugëtimin [e këtyre tre vendeve] drejt integrimit euroatlantik dhe, po ashtu, si një udhërrëfyes në përpjekjet e tyre kolektive që do i ndihmojë të përmbushin aspiratat e tyre për t’u integruar në institucione të tjerë europianë”.
Për të mos e lodhur lexuesin me informacionin e detajuar dhe gjuhën skrupuloze me të cilën është shkruar Karta e Adriatikut, e cila u nënshkrua në Tiranë atë ditë, më 2 maj 2003, mjaftohem më poshtë me informacionin që ofron Zyra e Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike në faqen zyrtare të Departmantit të Shtetit për këtë dokument, në të cilin thuhet se Karta e Adriatikut:
(i) Nënvizon përkushtimin e Shqipërisë, të Kroacisë dhe të Maqedonisë për forcimin e përpjekjeve të tyre individuale e bashkëpunuese për të intensifikuar reformat e brendshme që rrisin sigurinë, prosperitetin dhe stabilitetin e rajonit.
(ii) Evidenton arritjet e mëdha të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në rrugën e integrimit euro-atlantik, përcakton fushat e fokusimit të vazhdueshëm dhe rithekson synimin e Shteteve të Bashkuara për të vazhduar së ndihmuari këta vende në zbatimin e reformave të domosdoshme. [Karta] vë në dukje gjithashtu se çdo vend aspirant do të vlerësohet individualisht për progresin e bërë në drejtim të përmbushjes së standardeve për anëtarësim në organizmat euro-atllantikë.
(iii) Riafirmon angazhimin e përbashkët politik të [tre] vendeve për të forcuar institucionet demokratikë, shoqërinë civile, shtetin ligjor, ekonomitë e tregut dhe ushtritë e tyre që të bëhen të krahasueshme me ato të vendeve të NATO-s; për të luftuar korrupsionin dhe krimin; dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe liritë civile për çdo individ në Shqipëri, në Kroaci, në Maqedoni dhe në vendet e tjerë të Europës Juglindore.
(iv) Promovon stabilitetin dhe integrimin euro-atlantik të të gjithë vendeve të Europës Juglindore duke forcuar bashkëpunimin politik, atë në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimin ekonomik mes partnerëve dhe mes fqinjëve të tyre.
* * *
Dëshiroj të ve në dukje se, menjëherë sapo u vendos që nënshkrimi i Kartës së Adriatikut do të bëhej nga Sekretari Powell në Tiranë, zyra e konsulentit tonë strategjik Paige Reffe, në bashkëpunim me Departamentin e Marrëdhenieve me Publikun në Departamentin e Shtetit, nisën të interesohen që ajo ngjarje të pasqyrohej sa më gjerësisht në mediat amerikane dhe ato ndërkombëtare. Për atë vizitë u njoftuan shumë gazetarë dhe borde editorialë dhe u ndihmuan me materiale informues mbi Karten e Adriatikut, mbi qëndrimet e qeverisë shqiptare në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara, me rolin e Shqipërisë në Ballkan dhe bashkëpunimin e ngushtë të saj me Kroacinë dhe Maqedoninë.
Ky rol proaktiv e rriti vëmendjen e mediave amerikane dhe atyre ndërkombëtare për vizitën e Sekretarit Powell në Tiranë dhe për nënshkrimin prej tij si të Marrëveshjes për Paragrafin 98 të Statutit të Romës, ashtu dhe të Kartës së Adriatikut. Konferenca që dhanë për mediat në Tiranë më 2 maj Seketari Powell dhe Kryeministrit Nano u transmetua drejtpërsëdrejti në dy prej kanaleve kabllorë kryesorë të lajmeve në Shtetet e Bashkuara, Fox News dhe MSNBC, ndërsa lajmi mbi atë vizitë u transmetua disa herë gjatë asaj dite nga CNN, u dha nga BBC, nga Voice of America, Radio Free Eurpe/Radio Liberty dhe u pasqyrua në faqet e disa prej gazetave më të mëdha amerikane, si New York Times, USA Today, Washington Post, Washington Times, Los Angeles Times, Boston Globe, Chicago Tribune etj.
* * *
Edhe pse Ndihmëssekretarja e Shtetit Elazebth Jones, në atë cilësi, kishte ardhur në vendin tonë edhe më parë, vizita e saj më e rëndësishme dhe më mbresëlënëse në Tiranë ka qënë, padyshim, ajo në të cilën Jones shoqëroi shefin e saj, Sekretarin Powell, më 2 maj 2003. Pas kthimit në Uashington nga ajo vizitë, Elizabeth Jones më priti në zyrën e saj. Ajo më transmetoi mirënjohjen e Sekretarit Powell për organizimin e jashtëzakonshëm dhe të përpiktë të vizitës së tij në Tiranë, duke më thënë, ndër të tjera, këto fjalë, të cilat nuk do të më hiqen asnjëherë nga mëndja:
“Ambasador, unë e kam shoqëruar Sekretarin Powell në të gjitha vizitat e tij në Europë, por mund të them pa hezituar se asnjëra prej tyre nuk ka bërë tek ai përshtypjen që i bëri vizita në Tiranë. Kujtdo në Departamentin e Shtetit qe e pyet se si shkoi vizita e tij në kryeqytetin shqiptar, Sekretari Powell i përgjigjet me dy fjalë: ‘Pure joy’ (kënaqësi e kulluar)”.
“Pure joy”! Këto fjalë do i dëgjoja përsëri nga Janet Bogue, zëvendësja e zonjës Jones, kur u takova me të disa ditë më vonë. Këto fjalë m’i përsëriti pak kohë më vonë zëvendësi tjetër i zonjës Jones, Robert Bradtke. Këto fjalë, siç më thanë, u bënë ato ditë shprehja më e dëgjuar në Departamentin e Shtetit.
* * *
Pas pesë vitesh nga nënshkrimi i Kartës së Adriatikut, në samitin e NATO-s në Bukuresht, në prill 2008, vendet anëtarë të Aleancës ranë dakord se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia i kishin përmbushur kriteret për anëtarësim në NATO. Fill pas kësaj, në javën e parë të dhjetorit të atij viti, në një ceremoni të organizuar gjatë ditëve të takimit të Këshillit të Ministrave të OSBE-së në Helsinki, ministrat e Jashtëm të vendeve partnerë të Kartës së Adriatikut dhe Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit Daniel Fried, i pranishëm në atë ceremoni, vendosën të ftojnë që t’i bashkohen asaj Karte edhe Bosnje-Herzegovinën dhe Malin e Zi, vende të cilët, edhe më parë, kishin afirmuar parimet e atij dokumenti dhe, qysh nga viti 2004, kishin marë pjesë si vëzhgues në takimet e vendeve partnerë të Kartës. Përfaqësuesit e të katër vendeve partnerë të Kartës nënshkruan së bashku me ministrat e Jashtëm të Bosnje-Herzegovinës dhe Malit të Zi një addendum të Kartës, me të cilin partneriteti në kuadër të Kartës së Adriatikut zgjerohej tani duke përfshirë gjashtë vende.
Shqipëria dhe Kroacia u pranuan në këtë organizatë një vit më vonë, në prill 2009. Maqedonia nuk mori ftesë në atë kohë për shkak të vetos së Greqisë, por u sigurua se do të bëhej pjesë e Aleancës sapo qeveria maqedonase dhe ajo greke të gjenin bashkërisht një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët lidhur me emrin zyrtar të saj. Për shkak të mosmarrëveshjeve të saj me Greqinë, Maqedonia iu bashkua partnerëve të saj të Kartës së Adriatikut—Shqipërisë dhe Kroacisë—në NATO në marsin e vitit 2020. Ndërkohë, 3 vite më parë, në qershor 2017, NATO kishte pranuar në radhët e saj si një vend anëtar Malin e Zi.
* * *
Vizita e Sekretarit të Shtetit Colin Powell në Tiranë ka qenë, pa dyshim, ngjarja politike e diplomatike më kulmore në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara gjatë periudhës (2001-2005), kur unë shërbeva si ambasador i Shqipërisë në Uashington dhe, ndoshta, ngjarja më e rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve tanë në tërë periudhën 16-vjeçare që ndan vizitën e Presidentin Bush në vitin 2007 nga vizita e Sekretarit të Shtetit James Baker në vitin 1991.
Pas vitit 1991, para Sekretarit Powell, Tiranën e kishte vizituar edhe Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright, në vitin 2000 dhe, pas vizitës së tij, edhe sekretarët e Shtetit Hillary Clinton më 2012 dhe John Kerry më 2016. Për rëndësinë historike të vizitës së Seketarit Baker kam shkruar më sipër. Ajo ishte një ngjarje e paprecedent në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane qysh nga Lufta e Dytë Botëtore. Vizitat e sekretarëve të Shtetit Albright, Clinton dhe Kerry kanë pasur, gjithashtu, rëndësinë e tyre në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, por asnjëra prej tyre, siç kam venë në dukje më sipër, nuk ka pasur atë rëndësi që kishte vizita e Sekretarit Powell në vitin 2003.
Çdo vizitë e një përfaqësuesi të lartë të administratës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka pasur rëndësinë e vet në forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Tiranës dhe Uashingtonit. Pa dyshim, çdonjëra prej vizitave të pesë sekretarëve të Shtetit në Tiranë ka qenë një ngjarje politike dhe diplomatike shumë e rëndësishme për vendin tonë por, e përsëris, me përjashtim të vizitës së Sekretarit James Baker, në gjykimin tim, asnjëra prej vizitave të tre sekretarëve të tjerë të Shtetit—Albright, Clinton dhe Kerry—nuk ka pasur për Shqipërinë atë rëndësi që kishte vizita e Sekretarit Colin Powell.
Baker, Albright dhe Clinton folën para anëtarëve të Parlamentit të Shqipërisë për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe mesazhet e tyre ishin shumë inkurajuese. Powell dhe Kerry nuk e përdorën parlamentin si një trubunë për të përcjellë mesazhet e tyre po aq të rëndësishëm; mesazhet e tyre ata ua bënë të njohura drejtuesve të politikës shqiptare.
Për arsye të kuptueshme, Baker gjeti në Tiranë pritjen më entuziaste nga qytetarët e këtij vendi krahasuar me pritjet protokollare, më rutinë që u janë bërë sekretarëve të Shtetit që erdhën pas tij. Të gjithë ata, siç është vetiu e kuptueshme, e kanë pasur Tiranën pjesë të një programi më të gjerë vizitash në Europë, kryesisht në Ballkan. Rrallë ka ndodhur që një sekretar amerikan i Shtetit të vizitojë një vend të vetëm në Europë dhe, kur kjo ka ndodhur, ky vend, sigurisht, nuk ka qenë dhe s’mund të ishte Shqipëria. Edhe Colin Powell erdhi në Shqipëri nga Madridi, ndërsa udhëtonte për në Damask por, në rrethana krejt të tjera nga ato të Sekretares së Shtetit Madeleine Albright apo të Sekretarit të Mbrojtjes William Cohen, në vitin 1999, ai nuk e shtyu dhe as e anuloi një vizitë të planifikuar në Tiranë; përkundrazi, siç kam shpjeguar hollësisht më sipër, Sekretari Powell erdhi në Tiranë pa e pasur vizitën në kryeqytetin tonë pjesë të programit të udhëtimit të tij në Spanjë dhe në Lindjen e Mesme në fillim të majit 2003. Ai e shtoi Tiranën në itinerarin e tij—me dëshirën e tij dhe për kënaqësinë e tij “të kulluar”, siç u shpreh më vonë ai.
* * *
Rëndësia e veçantë që kishte për Shqipërinë vizita e Sekretarit Powell, sidoqoftë, nuk ka të bëjë me detajet e udhëtimit të tij. Ajo konsiston në faktin se, gjatë asaj vizite, qeveria shqiptare nënshkroi për të parën herë në një nivel zyrtar kaq të lartë dy marrëveshje të rëndësishme me Shtetet e Bashkuara, siç qenë marrëveshja dypalëshe për Paragrafin 98 të Statutit të Romës, e cila kishte një rëndësi shmë të madhe, veçanërisht për Uashingtonin, dhe Karta e Adriatikut, një marrëveshje e sanksionuar në një dokument të rëndësishëm që e përshpejtoi ndieshëm anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Zgjerimi i veprimtarive të përbashkëta, që synonin realizimin e objektivave të Kartës, bëri që Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, madje i tërë rajoni ynë, të shiheshin me një sy më pozitiv jo vetëm në Uashington, por edhe në Bruksel, në Londër dhe në Berlin. Pothuaj njëlloj si në rastin kur prezantohet etiketa e një produkti të ri, “Adriatik 3” apo “A-3” u bë shpejt një term i njohur në zhargonin politik të Uashingtonit, në rajonin tonë dhe më gjerë pikërisht për rezultatet që filloi të japë bashkëpunimi i vendeve tanë qysh nga nënshkrimi i Kartës së Adriatikut me Shtetet e Bashkuara në Tiranë, më 2 maj 2003.
Rëndësia që kishte Karta e Adriatikut jo vetëm për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë, por edhe për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara në Europën juglindore, u dëshmua qartë në angazhimin serioz të Departamentit të Shtetit për ta formuluar dhe formalizuar atë dokument, si dhe në vullnetin e Sekretarit të Shtetit Colin Powell për ta firmosur atë në emër të administratës amerikane. Edhe vetë Presidenti George W. Bush e përshëndeti nënshkrimin e Kartës së Adriatikut ditën e nënshkrimit të saj. Në një komunikatë të Shtëpisë së Bardhë për mediat, e cila u bë publike më 2 maj 2003, thuhej se:
“Presidenti Bush e mirëpret nënshkrimin sot të Kartës së Adriatikut të Partneritetit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. Inisiativa e Kartës së Adriatikut dëshmon përkushtimin e Shqipërisë, të Kroacisë dhe të Maqedonisë për të forcuar përpjekjet e tyre reformuese, si vende të veçantë dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin për t’u bërë anëtarë të NATO-s. Karta afirmon angazhimin politik të vendeve nënshkrues ndaj vlerave dhe principeve të Aleancës së NATOs. Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara të respektojnë politikën “Derës së Hapur” të NATO-s. Mbështetja e SHBA për Kartën e Adriatikut e forcon më shumë përkrahjen e vazhdueshme për aspiratat e përbashkëta të Shqipërisë, të Kroacisë dhe të Maqedonisë për integrimin e tyre të plotë në komunitetin euro-atllantik”.
* * *
Por, rëndësia e procesit që nisi me nënshkrimin e Kartës së Adriatikut dhe vlerësimi për atë dokument u vunë re qartë edhe në qëndrimin zyrtar të Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Më 5 qershor 2003, pra vetëm një muaj pas nënshkrimit të Kartës së Adriatikut, kongresmeni Eliot Engel (demokrat nga New York-u) dhe, në atë kohë, bashkëkryetar i grupit për Çështjet Shqiptare (Albanian Issues Caucus) në Dhomën e Përfaqësuesve, propozoi miratimin e një rezolute, me anë të së cilës të përgëzohej nënshkrimi i Kartës së Adriatikut, si një dokument që i shërbente forcimit të partneritetit mes Shteteve të Bashkuara, Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë.
Projekti i saj rezolute iu referua po atë ditë Komisionit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve, të kryesuar në atë kohë nga Henry Hyde dhe, një javë më vonë, më 11 qershor, teksti i tij projekt-rezolute u diskutua në Nënkomisioni për Europën të atij komisioni, të kryesuar nga Doug Bereuter. Atë ditë unë ndodhesha përsëri në Tiranë, pasi një ditë më parë kishte mbrritur në kryeqytetin tonë për një vizitë zyrtare Seretari amerikan i Mbrojtjes, i ndjeri Donald Rumsfeld, për çka shkruaj gjerësisht në kujtimet e mia. Sidoqoftë, udhëzova që njëri prej diplomatëve të ambasadës sonë Uashington të kërkonte të ishte i pranishëm në atë seancë diskutimi që u zhvillua në Rayburn House Office Building.
Me anë të asaj rezolute, e cila kërkonte miratimin e përbashkët të të dyja dhomave të Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe që në rekordet e atij Kongresi është regjistruar si Rezoluta 209 (H. Con. Res. 209), shprehej mbështetja e Kongresit amerikan “(1) për Kartën U.S.-Adriatik dhe (2) për aspiratat e Shqipërisë, të Kroacisë dhe të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europan”. Rezoluta përgëzonte “(1) Shqipërinë, Kroacinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë për përpjeket e tyre të vazhdueshme për t’u bërë anëtarë me të drejta të plota të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verios (NATO) dhe të BE-së, si dhe (2) Sekretarin e Shtetit Powell për mbështetjet personale të tij për Kartën”. Në atë rezolutë thuhej se Kongresi amerikan “inkurajon NATO-n që t’i ftojë Shqipërinë, Kroacinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë të anëtarësohen në NATO sapo këta vende të demonstrojnë aftësinë se mund të marrin përsipër përgjegjësitë e një vendi anëtar të NATO-s përmes Planit të Veprimit për Anëtarësim”.
Më 25 korrik 2003, projekti i asaj rezolute u shqyrtua në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, në të cilin, senatori Richard Lugar, në atë kohë kryetar i atij komisioni, propozoi disa ndryshime në tekstin e projektit. Katër ditë më vonë, më 29 korrik, Senati e miratoi tekstin e përmirësuar të asaj rezulute me konsensus unanim. Për shkak të rregullave procedurale dhe të sezonit veror që po afrohej, votimi i Rezolutës 209 në Dhomën e Përfaqësuesve u shty për në vjeshtë të atij viti. Më 20 nëntor 2003, Dhoma e Përfaqësuesve, duke i pranuar ndryshimet e bëra nga Senati, e miratoi Rezolutën 209 me 419 vota pro dhe vetëm 1 votë kundër, edhe pse për miratimin e saj kërkoheshin vetëm dy të tretat e votave.
* * *
Partneriteti i ngushtë mes qeverisë shqiptare dhe qeverive të Kroacisë e të Maqedonisë me Shtetet e Bashkuara demonstroi vizionin e përbashkët të tre vendeve tanë dhe të Uashingtonit për një Europë Juglindore të sigurtë e në paqe, në të cilën, vendet partnerë të Kartës dhe fqinjët e tyre do të ishin anëtarë me të drejta të plota dhe kontribues të një komuniteti euroatlantik vlerash të përbashkëta. Karta e Adriatikut përbënte një instrument të fuqishëm për t’i ndihmuar Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë që të përmbushnin aspiratën e tyre të përbashkët për t’u bërë abëtarë të NATO-s. Që Shtetet e Bashkuara qëndruan përkrah tre vendeve tanë në këtë partneritet kaq besnikërisht, me kaq respekt dhe kaq gjatë, kjo, në vetvete, ishte një motivim dhe një inkurajim i madh për qeveritë dhe popujt e këtyre tri vendeve.
(fund)

Nuk ka ofendim me te madh per nje artikull-shkrues kur nuk ka komente.. megjithse ka llampa neon te shendriteshme me akte miqesie dhe kenaqsi te kulluar..
.
Po c’na duhen keto miqesira kur jemi katandisur sikur te na kishte pushtuar Chingis Khani se akoma njerzit duan te ikin me shume se ne 1991..
.
Kur kryearkitektet e kesaj katrahure e denojme Berishen e tyre qe te mos shkoje me avion ne Amerike kur ai duhet te ishte ne qeli prej 10 vitesh..
.
Te rrofte kenasia e kulluar o Toso nga kulla fildishte 70 vjecare !
se per mua do ta quaja 1991-2021 nje tragjedi amerikane .me.Tosalinjte dhe batakcinjte “e kulluar”