Policia e Tiranës arrestoi personin që para 2 ditësh, në orët e vona të natës aksidentoi me vdekje një shtetas që ecte me biçikletë, ndërsa në pranga ra edhe 19-vjeçari që përplasi me motorr një polic më 29 mars, teksa ishte ngritur një postbllok për arrestimin e tij. Në të dyja rastet policia ka punuar me profesionalizëm, teksa rasti i parë mund të cilësohet si një ndër herët e vetme që blutë kryeqytetas mundën të arrestonin shkaktarin e një aksidenti të ndodhur në orët e vona, ku provat dhe dëshmitë janë të pakta.
Rasti 1, identifikimi nga copa në vendngjarje
Policia e Tiranës ka mundur të gjejë automjetin që aksidentoi për vdekje mbrëmjen e së djelës Besim Pekën duke vënë në pranga drejtuesi e automjetit, Lulzim Shima. Aksidenti ndodhi të dielën e 4 majit, në orën 21:30 në rrugën Njazi Meka, në zonën e Tufinës në kryeqytet. Peka ishte duke lëvizur me biçikletë kur është përplasur nga automjeti tip BMË që drejtohej nga Shima. Në vendngjarje mbërritën ekspertët e policisë, mirëpo u gjet vetëm një copë e llamarinës së makinës, e rënë atje nga përplasja. Asnjë dëshmi nuk u sigurua, pasi askush s’ kishte parë gjë. Nga hetimet rezultoi se mjeti ecte me mbi 100 kilometra në orë, ndërsa drejtuesi i biçikletës i kishte prerë rrugën rreth 5 metra para se drejtuesi i mjetit ta dallonte e për pasojë vdekja ishte e menjëhershme. Kështu, nga copa e llamarinës që ishte gri metalizato u arrit të merrej vesh se bëhej fjalë për një BMË 325, prodhim i viteve 2004-2005 dhe menjëherë të paktën 30 efektivë të Policisë së Tiranës nisën nga puna. Pas kontaktimit me BMË-në dhe vjeljes së informacionit në tregjet e mjeteve të përdorura u arritën të identifikohen me dhjetra makina të këtij tipi. Pas marrjes së shoferëve në pyetje rreth vendndodhjes së tyre dhe mjetit orën e ditën e aksidentit, rezultoi se ishte automjeti me targa AA 228 GO, në pronësi të Lulzim Shimës ai që ka përplasur për vdekje shtetasin Bekën. Shimës i’u vunë prangat në zonën e “Freskut”, ku edhe banonte.
Rasti 2, kapet 19-vjeçari që përplasi policin
Nga Sektori i Kërkimit në afërsi të rrugës “Siri Kodra” është bërë e mundur kapja e personit në kërkim, e shtetasit Zhënklaudjo Sallaku, 19 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas është shpallur në kërkim pasi më datë 29 mars 2014, pasi rreth orës 15.45 në rrugën “Luigj Gurakuqi”, në bashkëpunim me një tjetër kanë tentuar të vrasin punonjësin e policisë, shtetasin Rasim Dogjani duke e përplasur më motor dhe më pas janë larguar. Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprën penale të “Vrasje në rrethana cilësuese mbetur në tentativë” dhe “Vjedhje me dhunë në bashkëpunim” parashikuar nenet 79/c,22,139 i Kodit Penal.
