COVID-19 është një sëmundje infektive e shkaktuar nga një koronavirus i ri, i quajtur SARS-COV-2. Ky koronavirus dhe sëmundja që shkakton, ishin të panjohura deri para shpërthimit epidemik në Wuhan, Kinë, në dhjetor 2019. Më 31 dhjetor 2019, u hasën rastet e para me pneumoni në Wuhan, të provincës Hubei, Kinë. Shumica e të infektuarve raportonin ekspozim në një treg të madh të produkteve të detit, ku shiteshin shumë specie të kafshëvë të gjalla.
Periudha e inkubacionit për sëmundjet infektive është koha nga rënia në kontakt me virusin deri në shfaqjen e shenjave të sëmundjes. Për COVID -19 është 1 -14 ditë, zakonisht 5 ditë. Virusi përhapet nga një person i infektuar. Transmetimi kryhet nga personi në person nëpërmjet spërklave që përhapen gjatë tështimave apo kollitjes. Prandaj duhet të qëndrohet, së paku 1,5 metër larg një përsoni të infektuar. Spërklat përhapen në ajër dhe mund të qëndrojnë në sipërfaqe të objekteve. Prekja e këtyre objekteve të ndotura dhe fërkimi i hundës, syve dhe gojës mund të transmetojë virusin. Prandaj është e rëndësishmë larja e shpeshtë e duarve dhe pastrimi i sipërfaqeve të objekteve. Ndonëse akoma nuk është e qartë se sa jeton në sipërfaqe të objekteve virusi SARS-COV-2.
Klinikisht të infektuarit me koronavirusin e ri SARS-Cov-2 kanë temperaturë, lodhje, dobësi trupore, kollë të thatë. Mund të kenë edhe dhimbje muskulore, dhimbje koke, sekrecione nga hundët, dhimbje fyti, diarre. Janë hasur dhe raste me humbje të shijes dhe të nuhatjes si dhe disa shenja të tjera jo specifike. Shenjat e sëmundjes fillojnë gradualisht. Disa raste janë pa shenja klinike. Rreth 80% e personave shërohen pa ndonjë trajtim. Sëmundje të rëndë zhvillojnë personat e moshuar, me sëmundje zemre, diabet dhe hipertension arterial. Rreth 1 nga çdo 6 persona me COVID-19 sëmuren rëndë dhe kanë vështirësi në frymëmarrje. Personat me temperaturë, kollë dhë vështirësi në frymëmarrje duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore.
Dy rastet e para në Shqipëri me COVID-19 u raportuan zyrtarisht sot më 9 mars 2020. Marrë shkas nga kjo ngjarje e jashtzakonëshme, më 9 mars, u ula të shkruaj ato ditë të burgosjes së madhe Panhumane, ndoshta më e madhja burgosje prej njëqind e ca vitesh, që nga koha e gripit spanjoll i Pasluftës I Botërore më 1918; Ato ditë të karantinimit human Panbotëror. Ato ditë të karantinimit nga infeksioni i tmerrëshëm nga koronavirusi SARS-Cov-2, shkaktar i sëmundjes COVID-19, që nxjorri gati jashtë funksionit për momentin sistemet shëndetësore më modernë të vendeve më të zhvilluara të Botës. Duke qenë të ndërgjegjësuar se po luftojmë; jo duke shkrepur armët ndaj ndonjë “armiku” që na ka sulmuar, por duke u izoluar në shtëpi, duke luftuar me “plumbat” e distancimit fizik, të karantinimit. Për të mos lejuar përhapjen e këtij infeksioni viral të tmerrshëm, thjesht duke këputur hallkat epidemiologjike të infeksionit në raste epidemie dhe/ose pandemie, posaçërisht nga shkaktarë që transmetohet me rrugë aerogjene, si i thonë latinisht.
Po funksionon, gati në perfeksion Epidemiologjia Shqiptare. Epidemiologët shqiptarë, specialistët e shëndetësisë që merren me hallkat e sëmundjeve infektive, këta heronj të heshtur, që në kohë të zakonëshme, duket sikur e “hanë bukën kot”, sot janë të inkuadruar si pjesë të Institutit të Shendetit Publik (ISHP). Atij instituti që është vazhdim i rikonceptuar në kushtet e sistemeve demokratike. Institucion i rëndësisë së veçantë ka qenë konsideruar në kohën e sitemit monist. I rëndësisë shumë të veçantë është sot! Standartet dhe protokollet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH-së) kanë qenë udhërrëfyes të këtij instituti në kohën e monizmit. Njësoj dhe sot! OBSH-ja me udhëzimet e saj është busulla e tërë veprimtarisë së këtij institucioni.
Janë padyshim specialitët me një kualifikim superelitë të fushës të ISHP, specialisteti me formim universal mbi virologjinë dhe epidemiologjinë e sëmundjeve virale, si dhe tërë specialistët e epidemiologjisë, virologjisë, biologjisë molekulare, seroepidemiogjisë infektive dhe tërë departamenteve të këtij institucioni shëndetësor të vijës së parë të luftës me koronavirisin. Janë specialistët e mrekullueshëm dhe i gjithë stafi i shkëlqyer i Spitalit Infektiv në QSUT, Spitali COVID-1, specilistët dhe i gjithë stafi, po kaq të mrekullueshëm dhe të shkëlqyer të Spitalit “Shefqet Ndroqi”, Spitali CODID-2, stafet e laboratoreve të Biologjisë Molekulare dhe serosurvejancës së sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Laboratorin e QSUT, stafet e tërë spitaleve shqiptare universitare dhe rajonale dhe të rretheve dhe personeli i Mjekësisë së Familjes, në qendrat shëndetësorë në tërë Shqipërinë, që po kryejnë funksione anti-COVID-19; punonjësit e farmacive në të gjithë vendin, specialistët e rrjetit të laboratoreve shtetërore dhe private; punonjësit e të gjithë sistemit shëndetësor në vend, public dh eprivat, në veprim në luftën anti-COVID-19. Ekspertët më të mirë të shëndetësisë të inkuadruar në përbëje të task-forcave, si dhe liderët politikë në Ministrinë e Shëndetësisë e të Mbrojtjes Sociale dhe komiteti teknik i luftës anti COVID-19. Bashkë me tërë stafet mbështetëse, përfshirë Urgjencën Kombëtare, që provoi sukesin e funksionimit të kësaj strukture. Veçanërisht në këtë kohë të jashtëzakonëshme të pandemisë nga COVID-19, gjatë së cilës kohë, numri i telefonit 129 u bë numri i shpëtimit!
Përgjegjëshmëri dhe kompetencë, me vendimarrje të duhura dhe në kohën e duhur të Kryeministrit Shqiptar, Edi Rama, deri në vendimin për nxjerrjen e ushtrisë nëpër rrugët e qyteteve shqiptare, për të ruajtur karantinën. Sot më datë 21.03.2020, ora 13:00 deri në orën 05:00 të datës 23.03.2020, me Vendim të Qeverisë Shqiptare, tërë Shqipëria është në karantinë të plotë. Në rrugët e qendrave të banuara për të siguruar karantinën, përveç forcave policore kanë dalë dhe blindat e Forcave të Amatosura Shqiptare.
Jemi pra në ditë koronavirusi, në këtë kohë të luftës më të pabarabartë që ka bërë njerëzimi në këto njëqind e ca vitet e fundit, që nga koha e gripit Spanjoll, 1918, kur koncepti i kombit të vogël, i familjes së vogël, nuk ka më vlerë! Në këtë kohë jallane, edhe “ushtria më e fuqishme e Botës, me armatimin trilionësh në depot e saj, e ushtrisë më të fuqishme të vendit me ekonominë më të madhe në Botë, të SHBA-ve, sot është po aq e “aftë” sa një ushtri e një kombi të vogël, në këtë lagje të varfër të Europës, të Shqipërisë”, u shpreh Kryeministri Shqiptar, Edi Rama. “Asnjë predhë, dhe më e fuqishmja e kësaj ushtrie, s’ka më efekt, veç në u shkreptë në ajër”.
Ndalim qarkullimi! Në mbrojtje edhe të Forcave Ushtarake që kanë dalë me autoblinda nëpër të gjitha rrugët e qyteteve dhe zonave urbane e periurbane të Republikës. Forcat e armatosura në shërbim civil!
Distancim fizik! E vetmja armë shpëtimi e kësaj “lufte” të paparë deri më sot prej ka një shekull. E rekomanduar nga ekspertët e OBSH-së, e zbatuar me konsekuencë dhe kompetencë profesionale dhe përgjegjësi shtetari të detyrës, nga tërë hallkat e shtetit tim.
Sot, më 21 mars 2020, numri total i të infektuarve nga koronavirusi në Republikën time është raportuar të jetë 76. Dhe në Republikën tënde; me dy jetë të humbura ndër to. Nga ora 13:00 e ditës së sotme deri në orën 05:00 të datës 23 mars, ditën e hënë, e tërë Shqipëria është në shtet rrethim!
Ndalim Qarkullim! Më 23 mars ndërpriten fluturimet nga Aeroporti i vetëm funksional i Republikës, Aeroporti i Rinasit, me të gjitha linjat ndërkombëtare, se kombëtare nuk kemi linja të tilla. Është lënë i hapur një koridor shpëtimi vetëm për avionët AIR-ALBANIA. Të hapura janë gjithashtu linjat detare me portet tona. Për transportin e produkteve ushqimore, farmaceutike, si dhe të produkteve të proceseve jetësore në vend. Dhe për koridor humanitar, në rast nevoje…
Kështu pra ndodhkëka me kombet e vegjël. Apo më mirë me thënë, kështu paska ndodhur gjithmonë, po ndodh dhe sot. Por ndryshe nga e zakonëshmja, kur kombet e mëdha, s’duan t’ja dinë për asgjë, sot edhe kombeve të mëdha, u ka mbetuar vetëm K-ja e madhe. Por e madhja s’ka më dukë. Më mirë me thënë, janë thjeshtë jetë njerëzore. Të rrezikuara njësoj! Në të gjithë Botën! Jetë njerëzore që s’duhen humbur! Jetë njerëzore që duhen ruajtur, që duhen mbrojtur! E, sot, është gjthçka ndryshe! Vetëm humbjet kanë më të mëdha, ato kombet e mëdha. Se të tërë kombet shtet dhe shtetet kombe apo jokombe qofshin, kanë vendosur: Shtet Ndalim! Lejojnë të kthehen në shtetet e tyre, bashkëkombasit e vet, që i karantinojnë për 14 ditë, aq sa ç’është dhe ajo, që quhet periudha e inkubacionit të infeksionit nga COVID-19. Dhe largojnë tërë joshtetasit e tyre, që shteti amë, bën njësoj, i pret dhe i karantinon. Sot pra, në këtë Botë karantinë, Botë rrethim, nuk ka kufi ikje-kthimi; ka vetëm kufi: të tërë që ikin-kthehen. Dhe të tërë që kthehen, prapë do të ikin, me siguri… Sapo të çfaroset kjo “murtajë” e çmendur e shekullit! Që ka bërë mbyllje-pengin, ikje-bllokim kthim! Deri atëherë kur insanët mbi dhè, që me shpresë të Zotit, do të mbeten me frymë në çdo cep të Globit, në çdo komb të vogël a të madh, të kenë mësuar se para të Madhit Zot, njësoj jemi të barabartë. Me jetë njerëzore që s’duhen humbur! Edhe për kombet e vegjël! Edhe për ne shqiptarët! Edhe për të tjerët.
Dhe ja sot! Shtet rrethim! Asnjë pikë kufitare tokësore e shtetit tim, me të gjithë shtetet fqinje, nuk është e hapur. Asnjë avion, anjë mjet çfarëdo transporti, nuk mund të dalë nga Shqipëria. As të hyjë. Përveç linjave të furnizimeve jetësore. Si dhe një koridor aeroportual Rinas-Stamboll e kthim, si e vetmja portë e hapur me Botën. Dhe si një kanal i vetëm për të mundësuar furnizime me mjete të nevojëshme për gjendjen e jashtëzakonëshme të kohës së koronavirusit. Por edhe për të kthyer bashkëkombas tanë, nga e gjithë Bota, për në shtetin amë. Edhe linjat detare me portet shqiptare, e ofrojnë këtë shërbimin e fundit, të “kthimit” të shqiptarëve, që pandemia i ka zënë jasht kufijve shtetërorë, dhe që nuk mund të qëndrojnë më atje. Do të kthehen prapë këtu…
Po a ka më bllokadë se kjo!? As në kohën e luftërave më të mëdha të të gjitha kohërave, përfshirë dhe ato të dyja luftërat botërore të shekullit të kaluar, s’kanë patur bllokada të tilla. S’kanë patur këtë shtetrrethim, këtë kontinentrrethim, këtë botë rrethim! Ndaj, jemi brenda, në karantinë.
Sot, më 27.03.2020, shtohet numri i të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri, shtohet dhe numri i atyre që u ndanë nga jeta për shkak të infeksionit nga ky virus. Ndonëse masat epidemiologjiko-mjekësore dhe ato social-ligjore që po ndërmerr Qeveria Shqiptare, bëhen gjithnjë e më të rrepta, proporcional me situatën dhe argumentimin e ekpertëve. Qeveria urdhëron shtetrrethim të plotë: nga ora 13:00 e ditës së sotme, datë 27.03.2020 deri në orën 05:00 të datës 29.03.2020. Gjithashtu, Shteti Shqiptar vendos të kthejë me shpenzimet e veta, shtetasit shqiptar që pandemia e koronavirusit i ka zënë në shtete të ndryshme të Botës, pa dokumenta, në mes të katër rrugëve, si i thonë, dhe pa asnjë mundësi qëndrimi atje, me eavionët e linjës AIR-ALBANIA.
Bota e tronditur. Dy biliard dollarë ka nxjerrë Qeveria Amerikane për pandeminë. Vazhdojmë të jemi në korent.
Sot më 29.03.2020, Kryeministri Shqiptar, Edi Rama, përcolli në Aeroportin e Rinasit 10 mjekë dhe 20 infermierë shqiptarë, për t’i ardhur në ndihmë sistemit shëndetësor italian, popullit vëlla italian. – Sot jemi të gjithë italianë, – u shpreh Edi Rama në fjalën e tij përcjellëse të vullnetarëve të shëndetit, në Aeroport. – Jemi të gjithë italianë, pasi janë italianët ata që na janë gjendur kurdoherë në kohë të vështira ne shqiptarëve. Solidaritet human i një kombi të vogël, shqiptar, i vlerësuar maksimalisht nga kombi i madh italian
Sot, më 02.04. 2020, shkon në 277 numri i të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri. Kanë ndërrura jetë 16 të infektuar me COVID-19. Kufijtë e shqipërisë dhe të gjithë shteteve të prekur nga koronavirusi, janë të mbyllur për shtetasit e çdo shteti respektiv, që pandemia ua ka gjetur shtetasit e vet jashtë kufijve shtetëror të prekur nga COVID-19; që kanë marrë të njëtën masë. Është ndoshta hera e parë në Botë kur mëmëdheu nuk pret bijtë e vet të kthehen! (Për pak kohë Shteti Shqiptar ka lënë një linjë ajrore dhe të trageteve, për të kthyer në atdhe shtetasit e vet, që kishin të pamundur qëndrimin jasht Shqipërisë, gjithashtu përcolli dhe shtetasit e vendeve mike, që ishin të bllokuar në kufi).
Shkon në 304 numri i rasteve me COVID-19, me 27 raste të reja të infektuar me këtë virus, me 16 jetë të humbura dhe 89 të shëruar sot më 03.04.2020. Mbi 1 000 000 raste me COVID-19, janë identifikuar në të gjithë Botën, mbi 51 000 jetë të humbura. Deri më tani vetëm 18 shtete nuk janë prekur nga ky infeksion i rënde viral në të gjithë Botën; dhe këto kryesisht ishuj të izoluar. Rusia dy ditë më parë dërgoi një avion me ndihma në SHBA.
Ҫ’po ndoh?! A mos jemi në prag ndryshikmi Rendi Botëror? Historia e njëqind e ca viteve më parë, historia e pandemisë së gripit Spanjoll, më e madhja e këtyre njëqind viteve të fundit, tregoi se pas saj nuk pati ndryshim rendi. Përveç ndryshimeve që solli Lufta e Parë Botërore dhe vetë zhvillimet që pasuan për gjatë një shekulli. Terror botëror! Vetëm kalimi pranë kamionëve të mbushur me arkivolë dhe nga varret e të prehurve, nuk mjafton për të reflektuar…
Data 04.04. 2020: Datë që ashtu si si ditët e tjera në këtë marri-kohë, nga COVID-19. Njëzet e nëntë raste të reja me COVID-19 u identifikuan sot në Shqipëri. Numri i përgjithëshëm i të infektuarve mbërriti në 333, nga të cilët 18 prej tyre kanë ndërruan jetë në Spitalin Infektiv, CODID-1, të QSUT. Sipas opinionit të ekspertëve tanë, kurba e shtimit së numrit të rasteve të reja me COVID-19 në Shqipëri, falë masave drastike të marra nga Shteti Shqiptar, sipas rekomandimeve të Komitetit të Ekspertëve tanë të talentuar, është brenda të gjithë pritëshmërive, madje në formën më optimiste në krahasim me fillimin e pandemisë. – Nëse në vijim ekspertët do të vlerësojnë nevojën e lëhtësimit “me pikatore” të këtyre masave, gjykimi i tyre profesional do të vlerësohet dhe do të merren masat e nevojëshme, në përputhje me këtë gjykim, – u shpreh Z. Rama. – Se ndryshe mund të na ndodhë si me Kombëtaren tonë të futbollit, që bën lojë të shkëlqyer me skuadrat më të mira të Europës dhe nga çthurja disiplinore në fund të pjesës së dytë të ndeshjes, mundet si pa të keq. Jo! S’kemi për të lënë të na ndodhë kështu, – tha ai.
Jemi të tërë në karantinë. Kina, Italia, Spanja, Franca, Anglia, Gjermania, SHBA, secili prej këtyre shteteve gjigande, kanë me mijëra të vdekur në ditë nga koronavirusi. Që shumë nga këto shtete sot, kanë aplikuar angazhimin e forcave speciale që kryejnë të gjitha shërbesat funerale dhe për të menaxhuar “përcjelljen” të ndarëve nga jeta. Madje disa prej këtyre shteteve kanë aplikuar dhe krematoriumin. Të tjerë shtete kanë përshtatur parqet kombëtare që i kanë kthyer në varreza për të varrosur të vdekurit nga koronavirusi. S’bëhet më fjalë për “kod në mort”, të asnjë feje. Por po veprohet si në “mort në kohë lufte”, me autokolona kamionash të ushtrisë, që trasportojnë arkivolat e të vdekurve, për në varrezat e hapura nga e para në lulishtet e qyteteve.
Dhe, nëse folëm për “ndryshim rendi”, të paktën për rendin e “përcjelljes”, ndryshimi tashmë ka ndodh. Dhe në atë ekonomik: sapo ka filluar. Triliarda dollarë kanë planifikuar SHBA-të, po kështu dhe të tërë shtete e prekura rëndë nga koronavirusi, në shërbim të dominimit të kësaj pandemie vrastare. Por dhe në atë shëndetësor. Sapo janë shndërruar në spitale COVID-19, thuajse tërë spitalet e këtyre vendeve të Botës, si dhe industritë e këtyre shteteve po marrin porosi të jashtëzakonëshme për ristrukturimin e prodhimit për materiale anti COVID-19. Kështu po bën dhe Shqipëria.
Sot, 05.04.2020, sipas informacionit zyrtar, njoftohet për 361 raste me COVID-19 në Shqipëri, nga të cilët 28 raste të reja. Që nga fillimi i pandemisë, kanë ndërruar jetë 21 të sëmurë me COVID-19. Ndërkohë, në të gjithë Botën vlerësohet që numri i viktimave nga COVID-19 të jetë në mbi 65 000.
Prof. Dr. Andrea Gambotto, kreu i ekipit kërkimor të Universitetit Mjekësor të Pitsburgut, SHBA, nëpërmjet një interviste me gazetarin Karlo Bolino, njofton se kanë prodhuar vaksinën anti-COVOD-19. Vaksinën e prodhuar e kanë provuar në minj, ku kanë parë se mijtë e vaksinuar kanë prodhuar antikorpe anti-COVOD-19. Pritet leja e autoriteteve zyrtare për përdorimin e saj në njerëz.
Udhëheqës botërorë, politologë, diplomatë … flasin për atë, se Bota është në prag ndryshim rendi…
Sot u bë një diskutim shumë i gjërë në median Shqiptare, për bluzat e bardha, mjekë e infermierë shqiptarë që punojnë në të gjithë Europën, madje në të gjithë Botën. Duke i konsideruar ata një “Shqipëri tjetër”, që jeton jashtë kufijve shqiptarë. Njëherësh mjekët shqiptarë që punojnë në sistemin shëndetësor në tërë Botën, kryesisht në Itali e Gjermani, por dhe në shtete të tjera, po punojnë si pjesë e sistemeve shëndetësore të shteteve ku janë instaluar a janë rezidentë, të cilët njëherësh e konsiderojnë veten se punojnë edhe në Shqipëri, sa kohë që i shërbejnë dhe një komuniteti të madh shqiptarësh kudo nëpër Botë. Shqiptarët në Itali, llogaritet të kenë rreth 15 000 ndërmarrje dhe të sigurojnë rreth tre miliardë Euro në vit nga kjo veprimtari, u shpreh këto ditë, analisti i mirënjohur Shpëtim Nazarko, duke siguruar kështu një buxhet Shqipërie tjetër, jashtë Shqipërisë, në Itali.
Koronavirusi është konsideruar sfida më e madhe e BE, që nga themelimi i saj. Deri më tani, në tërë Europën kanë ndërruar jetë mbi 50 000 qytetarë, u shpreh Kancelarja Gjermane Angela Merkel; sfidë të cilën, Presidentja e BE, ju përgjigj se do t’ja dalim së bashku; pas atij hutimit të parë të çdo shteti, siç e quajti në një intervistë, Shpëtim Nazarko. Ndërkohë Këshilli i Sigurimit të OKB-së njoftoi mbledhjen e tij on-line, për të diskutuar rreth masave Panbotërore që duhen marrë në luftën antikoronavirus.
Universiteti Mjekësor i Tiranës që përfaqësoj në këto kushte karantine, për zhvillimin e mësimit ka adaptuar platformën on-line Google Class-Google Meet, nëpërmjet së cilës ju japim studentëve tanë leksionin e radhës dhe komunikojmë me ta për çdo pyetje a paqartësi që mund të kenë. Po kështu dhe në Universitetin e Tetovës, ku japim respektivisht ligjërata të Histologji-Embriologjisë dhe disa ligjërata të Imunologjisë, gati që prej themelimit të këtij universiteti si dhe të Biokimisë. Edhe këtu, me këta studentë komunikojmë po në të njëjtën platformë, Google Meet. Funksionon për bukuri. Jemi në kohën e postrevolucionit teknologjik, prej të cilit ka përfituar Bota. Vitet e Luftës së Ftohtë me garën e shfrenuar e armatimeve dhe perfeksionimit të teknologjisë, të ndjekur prej dy superfuqive kryesisht SHBA-BS; sollën ato zbulimet e mëdha: celularin dhe internetin. Që shembja e Murit të Berlinit i vuri në dispozicion publik. Mësim, i realizuar on-line, me studentët e të dy UT-ve. Mësim i realizuar on-linë në tërë Shqipërinë. Mësim i realizuar on-linë në tërë Botën.
Botë on-line! Vetëm se në pandemi nga koronavirusi.
Le të bëjë gjithçka që mundet Bota, çdo shtet më vete a të gjithë bashkë, deri në përbërje të OKB-së, për të frenuar dhe asgjesuar këtë pandemi vrastare. Pa pastaj, t’i verë gishtin kokës, Bota mbarë, për atë që t’i ristrukturojë rendet. Po nejse! Këtu po them të paktën që ta ristrukturojë atë, rendin akademik, didaktikën, që të mund të jetë i gatëshëm ky rend në çdo lloj situate, gjendje a s’e di çfarë; dhe në këto lloj gjendjesh, si kjo, që u shfaroftë sa më shpejt e mos u përsëristë më kurrë! Por ne le të jemi të pergatitur edhe për kohë më të këqija.
Sot, më 08.04.2020, informacioni zyrtar bën fjalë për 400 raste të infektuar me koronaviris në Shqipëri, që prej fillimit të pandemisë këtu tek ne, që prej 9 marsit, prej një muaji pra; me 17 raste të reja të infektuarish. Vazhdojmë të jemi në karantinë, distancimi fizik dhe izolim rastesh pozitiv.
Deri në mesin e muajit maj Këshilli i Europës (KE) vazhdon ndalim fluturimin në aeroportet Europiane. Bota po reagon në drejtim të ristrukturimit të fondeve shtetërore; në drejtim të ristrukturimit të spitaleve apo deri stadiumeve për t’i kthyer në spitale COVID.
Prof. Silva Bino, Drejtoreshë e Departamentit të Sëmundjeve Ngjitëse në ISHP, sot flet për sheshim të kurbës së infektimit nga COVID-19 në Shqipëri, për masat që do të vazhdojnë, të cilat kanë dhënë rezultate të jashtëzakonëshme. Nëse vazhdojmë këto masa, kjo do jetë diçka shumë e mirë, shprehet Prof. Bino. Ndërkohë, Bota ka filluar të prodhojë vaksinën anti-COVID-19. Është hera e parë, që Bota është mobilizuar kaq shpejt, për tre muaj, si asnjëherë tjetër, për prodhimin e vaksinës. Por dhe për mjekimin, thotë Prof. Bino.
Deri më sot më datën 14 prill 2020, u infektuan gjithsej 377 raste me COVID-19 në Shqipëri, nga të cilët nga 5 prill deri më 14 prill, qenë 98 raste të reja, me një ritëm ditor mesatar 11 raste në ditë (me luhatje nga 7-21 raste në ditë). Më 11 prill 2020, SHBA pati 2100 viktima nga COVID-19. Në Botë këto ditë, pati 1.7 milion të infektuar, me mbi 108 000 viktima. Ҫ’ka na jep shpresë, janë laboratorët modernë të vendeve më të zhvilluara të Botës, që janë duke studiuar në të gjithë aspektet COVID-19 dhe mënyrat e mbrojtjes, diagnozës e të trajtimit; përfshirë prodhimin e vaksinës. Po presim me shpresë, për domosdoshmërinë e gjithëkohëshe për ndryshim. Me siguri dhe të ndryshimit të rendeve: rendi akademik, rendi i marrjes së produktit, rendi shëndetësor, rendi ekonomik, rendi etik, rendi…
Sot më 18.04.2020, gjithsej 548 të prekur me COVI-19, 9 raste të reja, 26 jetë në humbura sot. Në të gjithë Botën llogariten 3.5 milion të infektuar, 150 000 jetë të humbura. Sot Qeveria Shqiptare lejoi fillimin e punës në pjesën më të madhe të aktiviteteve prodhuese dhe të shërbimeve. Nga Rinasi rinis riatdhesimi i shqiptarëve nga e gjithë Bota, nëpërmjet aeroporteve kryesor të Europës. 176 000 shqiptarë që nga e marta do të marrin pagesën e luftës. Sot dita e gjyshërve, leje dalje për pensioistët deri në orën 11:00. Nëse do të jepeshin filmimet televizive të bëra në të gjithë qytetet Shqiptare sot, (por jo vetëm Shqiptare), vite e vite më vonë, me siguri do t’i ngjante një filmi fantastik të një qyteti (qyteteve) fantazmë; qytete vetëm me pleq. RAI njoftoi se Lombardia p.sh.: ka deri më tani, pesë herë më shumë viktima nga COVID-19 se sa ka patur gjatë Luftës së Dytë Botërore.
24.04.2020: Dy universitete Angleze kanë folur për testimin e vaksinave anti-COVDI-19 në njerëz. Rezultatet duan gjashtë muaj. Deri më sot 2 780 000 të infektuar më COVID-19 në të gjithë Botën, 194 456 jetë të humbura, 762 196 të shëruar. Në këtë fundjavë do të lejohen të dalin të moshuarit dhe nënat me fëmijë deri në 10 vjeç dhe të rinjtë, por jo në grupe. Do të nisë lehtësimi i përshkallëzuar i lirisë së daljes, në ato bashki që nuk kanë raste me COVID-19. Myslimanët fillojnë muajin e Ramazanit, pa falje në xhami dhe pa iftar. Grupi i shkencëtarëve të Oksfordit po punon që në fund të shtatorit të kemi në dispozicion vaksinën anti-COVID-19.
Sot 28.04.2020, Ministria e Arsimit vendosi që ky vit shkollor të përfundojë on-line, përjashtuar maturën shtetërore që do të realizohet në fund të qershorit në salla me jo më shumë se 12-15 nxënës në kushtet e distancimit fizik, përjashtuar programin e zhvilluar on-line. Pak a shumë të njëjtët elementë vendosi dhe Universiteti i Tiranës; për tërë kurset e studimit që do të përfundojnë vitin mësimor në sistemin on-line, përjashtuar kurset e fundit, që paraprijnë diplomimin, të cilët do të bëjnë një periudhe të shkurtër plotësimi programi pas datës 23 qershor. Provimet do të bëhen me shkrim për të gjithë, në klasa me jo më shumë se 12-15 studentë në kushte të elementëve të tjerë të sigurisë për të parandaluar infektimin nga COVID-19.
31.04.2020: Sot kthehen 30 mjekët dhe infermierët shqiptarë që ndihmuan në këtë kohë të pandemisë nga COVID-19, për një muaj sistemin shëndetësor italian, në Breshia, të Rajonit e Lombardisë. Sot më 1 maj, në Europë shumica e shteteve kanë mbyllur shkollat dhe janë në lockdown. Kryeministri shqiptar, bazuar në ritmet e kontrolluara të rasteve të reja me COVID-19, të numrit të shtrimeve dhe të të shëruarve në Shqipëri, ka njoftuar hapjen graduale të karantinës në Shqipëri, të përshkallëzuar në tre faza: 4 maj, 11 maj dhe 18 maj; me korrektime të mundëshme vartësisht ecurisë së pandemisë. Bashki të tëra janë shpallur ‘zonë e gjelbërt”, ngaqë nuk kanë asnjë rast me COVID-19. 08.05.2020: Nga e hëna Shqipëria e gjelbërt, hiqen kufizimet me përjashtim të gjashtë bashkive: Tiranë, Durrës, Shkodër, Krujë, Kurbin dhe Fier. Tetë raste të reja sot me COVID-19, gjithësej 850 raste. Këto ditë e Europa parashikon lehtësim masash antikovid. Pesë raste të reja me COVID-19 në Wuhan që nga prilli kur nuk pati më raste të reja. Po kështu Koreja e Jugut pati disa raste të reja pas mbylljes së pandemisë në këtë shtet. Shqipëria vetëm 4 raste të reja; numri më i ulët i rasteve me COVI-19 në tetë javë karantinë. Qeveria vendosi që Shqipëria të hapet përfundimisht në javën e parë të qershorit. 15.05.2020: Sot janë 18 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri; 916 raste gjithsej. Edi Rama: nga e hëna gjithçka e hapur përveç transportit publik dhe aktiviteteve artistike dhe sportive në mjedise të mbyllura. Vartësisht rasteve të reja me COVID-19, zonat e gjelbërta mund të shndërrohen në zona të kuqe. – Durim! Durim! Durim! Malli më pak i shitur, por më i shtrenjtë, – thotë Rama. – Durim!
Fillon faza e re e infeksionit COVID-19. Nga sot, 1 qershor 2020, Shqipëria nuk është më në karantinë!
OBSH-ja (19 qershor 2020) shpreson se miliona doza vaksine kundër Covid-19 mund të prodhohen deri në fund të këtij viti, nga ku personat më të cënueshëm nga virusi do të jenë të parët që do ta marrin atë. Ende nuk ka një vaksinë të konfirmuar, por shkencëtarja e OBSH, Soumya Swaminathan tha se ekspertët e gjihtë botës po punojnë në mbi 200 variante të mundëshmë, 10 prej tyre kanë filluar të testohen te njerëzit. “Kam shpresë dhe jam optimiste. Por krijimi i vaksinës është një proces kompleks që shoqërohet me shumë pasiguri. Gjëja pozitive është se kemi shumë variante dhe platforma, kështu që edhe nëse njëra dështon nuk duhet të demoralizohemi. Nëse jemi me fat do të kemi një ose dy vaksina të mundëshme para fundit të vitit” u shpreh Soumya Swaminathan.SH
Fantastike: sot, më 21 korrik 2020 marrëveshje historike e BE: u propozuan 750 miliardë Euro për rimëkëmbjen e Europës pas pandemisë; nga të cilët 390 miliard grante dhe 360 miliard kredi. Për Italinë, si shteti më i prekur në Europë, u planifikuan 209 miliard Euro. Pritet miratimi i Parlamentit Europian.
Sot më 30 korrik 2020, po ju drejtohem juve të gjithë lexuesve të mi: jemi në kohën kur e gjithë Bota është e përfshirë ne “luftën” për mposhtjen e pandemisë vrastare COVID-19, shkaktuar nga virusi SARS-Cov2 prej shtatë muajsh dhe për ne shqiptarët për gati prej pesë muajsh. Gjatë kësaj pandemie Panbotërore kuptuam me zor, nëse e kuptuam, që “strategjitë”mbrojtësë anti-COVID-19 janë tre:
- Karantina fillestare, me shfaqjen apo paraprirjen e shfaqjes së mundëshme të infeksionit. Edhe për të strukturuar, ristrukturuar dhe rikuperuar kapacitetet infrastrukturore spitalore dhe njerëzore (stafet e kualifikuara shëndetësore).
- Hapje e kontrolluar pas karantinës, me masa të mbrojtjes individuale (dhe protokolle standarte) me përdorimin e maskës, distancimin fizik dhe higjenën personale maksimale, nën monitorimin e institucioneve të specializuara të shtetit. Kjo eshtë faza në të cilën jemi ende atualishit. Na kërkohet të jemi të ndërgjegjësëm për këtë.
- Mbrojtja nga vaksina (ndoshta dhe plazma hiperimune?), që sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë e mundur më shpejt se fundi i vitit. Deri atëherë, është zbatimi i masave të fazës së dytë!
OBSH-ja (4 gusht 2020), pranon se shumë gjëra janë ende të pashpjeguara në lidhje me virusin Corona. Prandaj drejtori i Përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus, dhe Drejtori i Emergjencave i OBSH-së, Mike Ryan, paralajmërojnë autoritetet e të gjitha vendeve që të zbatojnë me rigorozitet rregulla standarde, si: mbajtja e maskave, larja e shpeshtë e duarve, mbajtja e një distance fizike dhe testime për koronën.
Mesazhi për njerëzit dhe qeveritë është i qartë: “maska duhet të bëhet simbol i solidaritetit” në të gjithë botën – tha Tedros gjatë një konference për shtyp në Gjenevë. Rruga për rikthimin në normalitet do të jetë e gjatë.
Sipas dy ekspertëve të OBSH-së kundër virusit Corona nuk do të zbulohet kurrë ndonjë “kurë çudibërëse”. Aktualisht janë në fazën e tretë vendimtare të zhvillimit klinik një numër vaksinash, “dhe të gjithë shpresojmë të kemi një varg vaksinash që mund të mbrojnë njerëzit nga infeksioni”, thanë Tedros dhe Ryan. Sidoqoftë nuk ka asnjë garanci për një vaksinë plotësisht efektive. Ndoshta vaksinat do të ofrojnë mbrojtje kundër SARS-CoV-2 vetëm për disa muaj.
Kurse ekspertët e Institutit “Paul Ehrlich” përgjegjës për miratimin e prodhimeve mjekësore në Gjermani dhe në këtë mënyrë edhe për vaksinat e reja, mendojnë krejtësisht ndryshe. Presidenti i këtij instituti, Prof. Dr. Klaus Cichutek, tha në televizionin publik gjerman ZDF se është i sigurt që së shpejti do të ketë një vaksinë kundër virusit Corona. Rezultatet e para të studimeve klinike tregojnë që “disa vaksina vërtetë mund të nxisin një reagim specifik të imunitetit të njeriut ndaj SARS-CoV-2”, tha ai.
Sot më 11 gusht, sipas një materiali të papublikuar deri më sot e kanë kaluar sëmundjen COVID-19 në Itali, vetëm 2,5% të popullatës. Rusia, sot më 24 gusht raportoi se e ka gati vaksinën anti-COVID-19 dhe filloi testimin në 90 individë. Ndërsa SHBA nis trajtimin me plazmën e konvaleshentëve me nilevele të larta antikorpesh të personave me COVID-19 në gjendje të rëndë, brenda kushteve etike dhe të sigurisë.
OBSH-ja, 19 gusht 2020 (A. Rexhepi), bëri të ditur se njerëzimi nuk është as afër nivelit të imunitetit të koronavirusit që do të ishte e nevojëshme për arritjen e imunitetit të tufës, ku pjesa më e madhe e popullatës do të kishte antitrupa për ta ndaluar epideminë. Imuniteti i tufës zakonisht arrihet përmes vaksinës, ndërsa disa shkencëtarë vërtetojnë se të paktën 70 për qind e popullatës duhet të kenë antitrupa që të parandalohet epidemia. Disa ekspertë, megjithatë, sugjerojnë se do të jepte efekt mbrojtës, madje dhe nëse të paktën gjysma e popullatës të kishte imunitet. Këtë teori e dha dje përfaqëuesi zyrtar i OBSH-së, Majkëll Rajan, i cili tha se nuk jetojmë me shpresën se do të arrijmë imunitet të tufës. “Si popullatë globale ne nuk jemi as afër nivelit të imunitetit, nevojitet të ndalohet transmetimi i kësaj sëmundje. Kjo nuk është zgjidhja që duhet të kërkojmë” tha Rajani në një konferencë për shtyp. Shumica e hulumtimeve të realizuara deri më tani tregojnë se vetëm 10-20% e njerëzve kanë arritur antitrupa.
OBSH-ja (25 gusht 2020) jep një lajm të mirë për Pandeminë e COVID-19. Pas muajsh të tërë debatesh në lidhje me pandeminë e koronavirusit, për shkak dhe të mungesës së informacionit në lidhje me virusin e ri, Organizata Botërore e Shëndetësisë jep më në fund një lajm të mirë. “Pandemia e koronavirusit po ngadalësohet në botë”. Në këtë konkluzion ka arritur OBSH-ja duke krahasuar të dhënat e rasteve të reja dhe vdekshmërinë javë pas jave. Sipas këtyre të dhënave, situata paraqitet më e përmirësuar në kontinentin amerikan. Shifrat tregojnë se nga 17-23 gushti janë regjistruar 1.7 milionë raste të reja dhe 39 mijë viktima ose e thënë ndryshe 5% më pak të infektuar dhe 12% më pak humbje jete, krahasuar me javën paraardhëse. Ngadalësimi është duke u vënë re kudo përveçse në zonën e juglindjes së Azisë dhe pjesën e Mesdheut lindor. Kurba e vdekshmërisë në Shqipëri dhe në Botë nuk po ndjek më kurbën e rasteve të reja. Krasuar me periudhën mars-prill, shumica dërrmuese e shteteve që kanë pësuar një valë të parë shfaqin tani një kuadër shumë më të mirë të rezultateve të infektimit nga SARS-CoV-2 (I. Alimehmeti, 27 gusht 2020). Virusi SARS-CoV-2, burimi i pandemisë që shkakton sëmundjen COVID-19, po pëson disa mutacione (ndryshime strukturore) që e bëjnë atë më agresiv për sa i përket infektimit, por me një fuqi vrasëse më të ulët se në fillimet e tij (Ilir Alimehmeti A2: Publikuar më: 11 Gusht 2020). Sipas një studimi amerikan, virusi “ka pësuar një mutacion me formatin e G-614, forma e re e virusit, çka bën që domeni që lidhet me receptorët qelizore të jetë më i ekspozuar, diçka që e bën të rritet mundësia e transmetimit, por e bën atë edhe me të sulmueshëm nga antikorpet, duke dhënë simptoma më të lehta”. Ky është studim amerikan i kryer në Los Alamos, nga një prej grupeve më të mirë të virologjisë strukturore, shprehet Alimehmeti. Le të shpresojmë!
Deri më sot më 31 gusht 2020 në të gjithë Botën janë të infektur me SARS-Cov-2/COVID-19 githsej 25 507 175 individë; kanë ndërruar jetë 852 387 (5%); janë shëruar 17 805 021 të infektuar (95%). Janë aktualisht 6 849 767 pacientë të infektuar, nga të cilët 6 788 651 (99%) në gjendje të mesme dhe 61 116 (1%) në gjendje kritike për jetën. Numrin më të madh të të infektuarve në Botë e kanë: SHBA (me rreth 6 milion të infektuar, gati çerekun e të gjithë të infektuarve në botë), Brazili, India, Rusia. Ndërsa numrin më të madh të vdekjeve në Botë e kanë: SHBA, Brazili, India, Meksika, Italia, Franca, Spanja, Peruja.
OBSH u bën thirrje shteteve që të vazhdojnë zbatimin e masave kufizuese me qëllim të luftimit të koronavirusit. Sipas Drejtorit të përgjithshëm të kësaj Organizate, Tedros Adhanom Ghebreyesus, heqja e masave kufizuese pa pasur nën kontroll virusin, mund të jetë “recetë për katastrofë”. Tedros e ka pranuar se shumë njerëz janë duke u lodhur nga masat kufizuese dhe se dëshirojnë t’i kthehen normalitetit pas tetë muajve të përballjes me rrezikun e koronavírusit. “Ne duam të shohim që fëmijët kthehen në shkollë dhe që njerëzit t’iu kthehen vendeve të punës, mirëpo ne duam që kjo gjë të bëhet në mënyrë të sigurt”, ka thënë Tedros në një konferencë për media. “Asnjë shtet nuk mund të pretendojë se pandemia ka përfunduar”, ka thënë ai.“Realiteti është që ky virus shpërndahet lehtë. Hapja pa kontroll është recetë për katastrofë”, ka thënë mes tjerash ai përgjatë një konference për media në Gjenevë.
ISHP (sot më 31 gusht 2020), raporton, se nga popullata totale e Shqipërisë, prej 2 877 797 banorë, janë testuar 55 870 individë (1,94%) e popullsisë, prej të cilëve kanë rezultuar pozitiv për SARS-Cov-2, me metodën e biologjisë molekulare (tampon), 9 513 raste (16.46% e rasteve në total të testuar). Prej tyre kanë humbur jetën 284 pacientë dhe janë shëruar 5 020. Deri në mesin e muajit korik është kryer gjithashtu testimi serologjik (për të vlerësuar imunitetin) në 3380 individë nga personeli shëndetësor i QSUT (material i pabotuar), nga ku ka rezultuar se pozitiviteti i këtij testi të ketë qenë 6%. Madje ka studime të ndryshme mbi virusin e COVID-19, që kanë treguar se antikorpet e krijuara nuk mund të ofrojnë imunitet të përherëshëm dhe se ky imunitet mund të bjerë në një periudhë të shkurtër kohore, ndoshta nga 3 deri në 6 muaj, çka mund të rikthejë mundësinë e infektimit nga e para të personave që e kanë kaluar një herë infeksion.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Shqiptare bën apel për qytetarët shqiptarë: Lani shpesh duart dhe mos e prekni fytyrën; ruani distancën mbi 1.5 metër në ambientet publike; vendosni detyrimisht maskën në çdo ambient të mbyllur dhe kudo ku nuk është e mundur mbajtja e distances. Shmangni grumbullimet, ceremonitë e çdo lloji, pasi janë burim i përhapjes së infeksionit. Vendosja e maskës dhe barierrave mbrojtëse në shërbim në ambientet e mbyllura është e detyrueshme. Bizneset dhe institucionet publike të zbatojnë me rigorozitet masat dhe protokollet e sigurisë për parandalimin e përhapjes së infeksionit. Nese dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar, të kontaktoni menjëherë mjekun e familjes ose të telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127. Veçanërisht pas vendimit të Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë të Shqipërisë për fillimin e shkollës në klasa më 14 shtator, përfshirë dhe sistemin on-line, me tre turne: në kushter e distancimit fizik, mbajtjes së maskës dhe dezifektimit të duarve dhe klasave…
13.09.2020: Rreth 180 vaksina për të luftuar COVID19 janë në zhvillim në të gjithë Botën, duke përfshirë 35 në testime njerëzore, tha sot kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus. “Asnjë sëmundje në histori nuk ka parë një zhvillim kaq të shpejtë në kërkime. Është një dëshmi e përparimeve të pabesueshme në shkencë dhe teknologji, që bota ka bërë në vitet e fundit”, tha ai për gazetarët. Pyetjes në lidhje me pretendimet e ndryshme për mbërritjen e vaksinave, kryeshkencëtarja e OBSH-së, Soumya Swaminathan ju përgjigj se njerëzit duhet të kenë parasysh se provat klinike duan kohë dhe nuk mund të nxitohen.
15 shtator: Sipas drejtorit të OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, Evropa do të shohë një rritje të numrit te jeteve te humbura nga koronavirusi në muajt tetor dhe nëntor, transmeton 24 news. Situata “do të bëhet më e vështirë, në tetor dhe nëntor do të shohim vdekshmëri më të madhe”, theksoi ai. Jo vetëm kaq, ende në Evropë “ne nuk jemi aspak larg telasheve. Numri mesatar ditor i rasteve në rajon është tani më i lartë se kulmi i parë në mars”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom “Për fat të mirë – shtoi ai – numri i jeteve te humbura duket të mbetet në një nivel relativisht të ulët për momentin”.
26.09.2020. Në mbarë botën, numri i viktimave nga koronavirusi mund të arrijë deri në 2 milionë, së paku deri në gjetjen e një vaksine kundër Covid-19. Ky është paralajmërimi më i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Kreu i emergjencave pranë OBSH-së thotë se shifrat mund të jenë edhe më të larta nëse nuk do të ndërmerret një aksion ndërkombëtar, transmeton A2. Thuajse 1 milion persona kanë humbur jetën në mbarë botën që nga shpërthimi i pandemisë në dhjetor të vitit të shkuar në Kinë, teksa numri i rasteve të të infektuarve ka arritur në 32 milionë. Deri më tani, Shtetet e Bashkuara, India dhe Brazili raportojnë numrin më të lartë të rasteve, me 15 milionë të tilla. Por, rritja e shifrave ditët e fundit në Europë ka rritur frikën për një valë të dytë të pandemisë, që mund të shoqërohet me një karantinë të dytë në shumë shtete.
27-28.09.2020. Epidemiologu Marcel Salathé, në Zvicër, i cili është anëtar i taskforcës së shkencës, të formuar në nivel federal për luftimin e koronës, tashmë sheh progres të rëndësishëm në frenimin e virusit. Qysh në fillim të vitit 2021, gjendja në Zvicër mund të jetë aq e mirë sa që Covid-19 nuk do të jetë më i rrezikshëm se një grip i zakonshëm. Tani po funksionon. Numri i infeksioneve të reja është i konsiderueshëm me 400 raste në ditë por numrat janë të qëndrueshëm. Duket vërtet mirë tani. Gjurmimi i kontakteve tani merret seriozisht në të gjitha kantonet. Kantonet po bëhen gjithnjë e më efikase në ndjekjen e zinxhirëve të infeksionit dhe ndërprerjen e tyre. Nëse do të jetë e nevojshme bartja e maskës në punë gjatë dimrit që vjen, mbetet të shihet, thotë eksperti. Por ai nuk ndan mendimin me njerëzit që kanë frikë se do të ketë një valë të re të infeksioneve në dimër. Përkundrazi: ai supozon se situata do të përmirësohet së shpejti, ka thënë Salathé për gazetat në fjalë.Epidemiologu e sheh edhe zhvillimin aktual të vaksinave si shumë premtues. Në momentin vaksina të jetë në dispozicion ose një ilaç është funksional dhe shtrimet në spital janë nën kontroll, situata do të ndryshojë plotësisht, shprehet ai. Atëherë Covid-19 do të bëhet një sëmundje e nivelit të gripit.
29.09.2020: Ja çfarë do të ndodhë kur të bëni vaksinën kundër virusit, OBSH trondit me deklaratën e saj. Që prej fillimit të pandemisë kompanitë farmaceutike duket sikur janë në garë me njëra tjetrën se kush do të nxjerrë e para vaksinën anti-COVID. Në një kohë kur të gjithë po presim me padurim për të pasur sa më parë në duart tona vaksinën që të ndalojmë koronavirusinm Dr.David Nabarro, autoritet i OBSH-së për pandeminë u shpreh se virusi nuk do të zhduket edhe kur vaksina të jetë në dispozicion. “Ky virus nuk do të zhduket. Është këtu për të qëndruar, do të jetë një kërcënim i ri për njerëzimin. Edhe kur të ketë një vaksinë, kjo nuk do të thotë fundi i virusit. Do të thotë që ne do të kemi një mjet të ri, më të mirë për të luftuar virusin,” është shprehur Nabarro.
26.09.2020. Dr. Skënder Brataj, Kreu i Urgjencës Kombëtare: Në Shqipëri po qarkullojnë 8 lloje të koronavirusit. Rritja e numrit të të infektuarve dhe ulja e vdekshmërisë tregon rënie të agresivitetit dhe ndryshimet që ka pësuar virusi i Covid-19. Virusi ka pasur shumë mutacione. Ajo që po vihet re është ndryshimi i virusit që humbet pjesët. Të gjithë ndryshimet që ka pësuar, janë 7-8 tipe, ose shtame të cilat kanë vërtetuar që infeksioni nuk ka ndryshuar, por vdekshmëria është ulur më shumë seç ka qenë në muajt e parë. Ajo demonstrohet edhe në vendin tonë, pasi infeksioni është rritur, është bërë 16.6% nga 6.2 % që ka nisur dhe numri i të sëmurëve të shtruar nuk e kalon 200 në dy spitalet. Numri i të vdekurve në krahasim me numrin e të infektuarve dhe atyre në spital, teorikisht pritej të kishte një shifër më të lartë. Humbja e aftësisë së vdekshmërisë tregon se virusi kërkon të përshtatet në organizëm. Ulja e virulencës u favorizua nga temperaturat e larta. Por çfarë do të ndodhë me fillimin e shkollës dhe uljen e temperaturave? Me fillimin e shkollës ka grumbullim njerëzish, me ardhjen e vjeshtës ka ulje temperaturash, këto janë faktorë në favor të virusit dhe disfavorin tonë, prandaj duhen forcuar masat. Ky rezultat i fillimi të shkollës te ne pritet ta shohim nga 15-20 tetori, tregues i infeksionit të këtij virusi. Nga 1600 thirrje në 24 orë në rang vendi drejtuar 127, vetëm 250 thirrje janë për Covid. Mbi 95 % e tyre e kalojnë me shenja të lehta, temperaturë 37.5 deri në 38 për tre katër ditë, apo edhe me diarre për disa ditë.
30.09.2020: Bota: Raste me Covid-19 gjithsej: 34.080 039 raste; 1 016 46 raste jetësh të humbura, 25 322 509 të shëruar. 7 740 114 raste aktualisht të infektuar, prej të cilëve 99% në gjendje të mesme dhe 1% në gjendje të rëndë.
Shqipëria: Raste të testuar me metodën PCR: 83 492 raste (2,9% e populatës); me COVID19 gjithsej: 13 649 raste; 387 raste jetësh të humbura, 7 847 të shëruar.
Numri i rasteve të reja: 131, Jetë tëtë humbura: 3.
Prof. Dr. Xheladin Çeka: mjek i specializuar në Histologji, Imunologji dhe në Mjekësi Laboratori; Pedagog i Lëndës Histologji-Embriologji në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Mjekësor të Tiranës, Drejtues i Departamentit të Morfologjisë; si dhe Pedagog i Lëndës Histologji-Embriologji dhe Imunologji në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tetovs
Dr. Sh. Arjan Hamiti, Specialist i Mjekësisë Laboratorike: Drejtor i Drejtorisësë Shërbimeve të Konsumatorit në Bashkisë Tiranë dhe Pedagog i Biokimisë në Universietin e Tetovës
