Njerëzit me aftësi të kufizuara mund të preken më lehtë nga koronavirusi, e kjo ndodh për shkak të një sërë vështirësive me të cilat kjo kategori duhet të përballet gjatë jetesës së përditshme.
Këto vështirësi kanë të bëjnë kryesisht me pengesat fizike që personat me aftësi të kufizuara hasin në përdorimin e pajisjeve higjienizuese (larjes së duarve, etj), nevojës së domosdoshme për të prekur gjërat që ju duhen, si dhe pamundësisë për të zbatuar rregullin e largësive, duke qenë se kanë nevojë për ndihmën e vazhdueshme të personave të tjerë. Po ashtu problematike shpesh herë për këtë kategori mbetet edhe pengesa në marrjen e informacionit të duhur ndihmës.
Përkundrejt këtyre vështirësive, ekspertët e shëndetit publik japin një sërë këshillash se si duhet të veprojnë personat me aftësi të kufizuara, si dhe kujdestarët e tyre në reduktimin e riskut për t’u infektuar nga Covid-19. Konkretisht, rekomandohet se risku i infektimit për këta persona mund të reduktohet duke shmangur daljet dhe mjediset me shumë njerëz, duke punuar nga shtëpia kur është e mundur, duke dezinfektuar vazhdimisht pajisjet ndihmëse (karriget me rrota, bastunin, patericat, etj), si dhe duke mbajtur pranë vetes gjithçka të nevojshme për situatat emergjente, veçanërisht ilaçet.
Është e rëndësishme që edhe nëse nuk ndjeheni mirë nga ana shëndetësore, ju duhet të vazhdoni të merrni mjekimet dhe ilaçet e tjera që ju janë dhënë nga një mjekët për sëmundjet ose problemet e tjera shëndetësore që keni. Në asnjë rast nuk duhet të bëni ndërprerjen e tyre.
Duhet të siguroheni që të keni ilaçe të mjaftueshme, dhe nëse nuk ndjeheni mirë nga ana shëndetësore kërkojini një anëtari të familjes ose kujdestarit tuaj që të sigurojë ilaçet e duhura për ju.
Gjithashtu duhet të përpiqeni të mënjanoni kontaktet e ngushta me këdo që ka temperaturë, kollë, vështirësi në frymëmarrje, si dhe të lani shpesh duart për të paktën 20 sekonda. Ekspertët këshillojnë se është shumë e rëndësishme që të kujdeseni për shëndetin tuaj të përgjithshëm, përfshirë edhe gjendjet e veçanta shëndetësore që tashmë ju mund të keni.
p.k\Dita

