COVID-19/ Shtatori me më pak viktima, 64 përqind e të infektuarve që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar dy muajt e fundit

Edlira Shehu

Në Shqipëri muaji shtator u mbyll me një numër më të ulët të viktimave nga COVID 19, gati 25 përqind më pak, ose 98 persona që kanë humbur jetën, kundrejt 129 vdekjeve të rregjistruara përgjatë muajit gusht. Në total që nga fillimi i pandemisë, janë 388 qytetarë të cilët janë mundur nga Koronavirusi.

Sa i përket rasteve, ato kanë mbetur thuajse në të njëjtin nivel me një muaj më parë, 4200 të prekur në shtator dhe 4210 të prekur në gusht, ndonëse, numri i testimeve arriti në 25404, ose rreth 14 përqind më shumë se përgjatë gushtit.

Këta dy muaj kanë regjistruar dhe nivelin më të lartë të rasteve të konfirmuara. Ndërsa që nga muaji mars kur u shënuan rastet e para, e deri tani janë 13806 të infektuar, 64 përqind e të cilëve, janë zbuluar në gusht dhe shtator. Aktualisht në të gjithë vendin janë ende 5341 raste aktive.

Pavarësisht faktit se të infektuarit ishin në kuota gati të njëjta, të shëruarit ishin më të shumtë në shtator (2636 persona rezultuan pozitivë ndaj dy testeve radhazi), ndërsa në gusht ishin regjistruar 2480 të shëruar. Në total numri i tyre ka arritur në mbi 8 mijë.

Të dhënat e sotme për 24 orët e fundit shënuan numrin më të lartë të të shëruarve brenda një dite, me 230 qytetarë të cilët nuk janë më pozitivë.

Megjithatë, 157 të tjerë janë konfirmuar të prekur nga Covid-19, ndërsa kuota e testimeve kaloi si asnjëherë më parë, mbi 1 mijë teste. Ministria bëri gjithashtu të ditur se një 66 vjeçar nga Kukësi, me sëmundje bashkëshoqëruese, ka humbur jetën.

Situata në dy spitalet që trajtojnë të sëmurët me shenja klinike, paraqitet me një numër të shtuar pacientësh, jo vetëm në total por dhe të atyre që janë në gjendje të rënduar. “Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 203 pacientë, 20 në terapi intensive nga të cilët vetëm 6 pacientë janë të intubuar”, bëri të ditur ministria e Shëndetësisë. VOA

 

e.sh/Dita

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *