Nga Alqi Koçiko
Le të marrim një situatë hipotetike (që në këtë vend është treguar se mund të mos jetë fare hipotezë, por realitet i mundshëm), se shumë shpejt bëhen ca zgjedhje parlamentare dhe ndryshon qeverisja. Nën kabinetin e ri zemërgjerë, ne njerëzia, fillojmë sërish të vëmë një tullë këtu e të shtojmë një kat atje, të ngremë streha e struktura me “pak” leje nga ndonjë xhep zyrtari që është ngrohur; pastaj e gjejmë llafin me faturistin e energjisë, rregullojmë punën e ujit se na vinte fatura ca si shumë nën atë diktatorin Rama; po edhe policit rrugor i shkelim njërin sy e i hapim njërin xhep, dhe jeta vazhdon si më parë. Pa harruar, sigurisht, rizgjimin e parcelave të hashashit. Kushdo që lexon këto radhë e di se kjo situatë mund të rikthehet kollaj, nuk duhet më shumë se një muaj. Dhe po kaq shpejt do fillojmë të ankohemi se kjo qeveri (e reja, pra) rrumpallë s’bën një lek, ose më saktë lë të shkathëtit të bëjnë ndonjë lek dhe për vete bën miliona; se nuk bëhemi njerëz dhe se ky vend nuk bëhet.
Jemi ndërkohë, duke përjetuar me dhimbje se ky vend edhe mund të bëhet. Sot e gjithë ditën, mesa duket debati kryesor mbi masat e forta qeveritare ndaj të gjitha aspekteve të paligjshmërisë që ka zaptuar Shqipërinë këto 23 vjet, bëhet në prizmin e raportit të “dhunës së ligjit” përballë “shtetit të së drejtës”. Thënë ndryshe, Rama bën shumë mirë që kërkon hesap deri në një për energjinë, por ka edhe fukarenj absolutë (në kuptimin e plotë të fjalës), familje me fëmijë jetimë që s’paguajnë dot korrentin dhe një motër disi më e madhe që lidh rrymën ilegalisht për t’u gatuar më të vegjëlve (rasti i Pukës); pa ka edhe familje që nuk ka shumë që janë kthyer nga Greqia dhe vërejnë se një faturiste nja dy vjet më parë, i ka shtuar një zero gabimisht në bllokun e vet leximit të sahatit, dhe burrë e grua të moshuar po hanë dynjanë për të sqaruar gabimin (një rast i freskët në Sarandë), teksa dritat janë paguar rregullisht.
Por përtej aspektit social, që edhe Dorian Matlija e trajtonte në një shkrim kritik ndaj Ramës, kryeministri ngjan që ditët e fundit të jetë zemëruar më shumë me një aspekt edhe më të mprehtë: Me fabulën e “lënies së dhelprave për të ruajtur pulat” që i ka ndodhur së fundmi në OSHEE. Padyshim që është goditje serioze të marrësh vesh se disa shefa rajonalë të Operatorit, që i kërkojnë në forcë popullatës dhe bizneseve të paguajnë energjinë dhe presin lidhjet ilegale, janë për vete debitorë dhe vjedhës të energjisë. Janë pikërisht këto raste që krijojnë tek njerëzia idenë se kjo qeveri na eckërka me parimin “bëni si them unë, por jo si bëj unë”, dhe prej këtej edhe acarimi i kryeministrit me linjën vertikale të sektorit.
Por ka diçka që shumëkush ose nuk e vë re, ose nuk do ta vërejë: Ndryshe nga më parë, këto raste dënohen, shkojnë para drejtësisë, personat jo vetëm shkarkohen por akuzohen penalisht. E theksoj këtë “detaj të vogël”: Ndryshe nga më parë. Mund ta quajmë shqiptarçe Ramën, “një njeri që s’di të mbajë të vetët”, siç i kishte dalë nami i kundërt Berishës (i mbrojti të vetët edhe më 21 janar); por është pikërisht kjo hallka e munguar dhe ingredienti kyç që garanton një rrumpallë të shëndetshme shqiptare, siç jemi mësuar gjithë këto vite.
Kishte dhe një tjetër element deri më tash të munguar në operacionin e energjisë, që në fakt e quajmë të tillë por duhet të jetë rregull normal. Artikuloheshin pakënaqësi se qeveria po merret me të vegjlit dhe fukarenjtë, dhe “harron” të mëdhenjtë, aty ku bëhet dëmi i madh. Dhe ka qenë një dëm jashtëzakonisht i madh, lloji i kontratave që qeveria Berisha ka nënshkruar me prodhuesit privatë të energjisë, duke ua blerë shtrenjtë atyre dhe shitur lirë për konsumatorin. Ndryshe, një gropë e garantuar vjetore prej miliona eurosh në buxhet. Së fundi qeveria kërkon të rinegociojë drej uljes, çmimin e blerjes së energjisë nga HEC-et private; nëse nuk do ta bënte këtë, kishte vetëm dy rrugë: Rritje e ndjeshme e çmimit, ose faliment i sistemit. Fakti që po veprohet edhe në këtë drejtim, është inkurajues.
Fakti që ajo që po ndodh me energjinë duket si “gjendje e jashtëzakonshme”, nuk dëshmon tjetër, përveçse sa e zakonshme ishte bërë hajdutëria në këtë vend. Duke e ditur tani sesa e vështirë është të bëhemi “Njerëz”, ajo që duhet të mos harrojmë, është se sa kollaj mund të rikthehemi në gjendjen tonë normale, vidh dhe lër të vjedhin.
***
OSHEE, largimin e Seferit e kërkoi Rama
Erion Habilaj
Qeveria shqiptare ka mobilizuar energjitë në një mega-operacion kundër lidhjeve të paligjshme në rrjetin elektrik dhe ndëshkim për abuzuesit. Ministria e Energjisë, e mbështetur nga Policia e Shtetit, ka vënë pas prangave një numër të madh biznesmenësh, të cilët kanë përfituar energji në mënyrë të kundraligjshme dhe i janë shmangur detyrimit. Gjatë aksionit, rastet e abuzimit kanë qenë nga më të ndryshmet, ndërsa kryeministri Rama ka kërkuar që të vijohet me vendosmëri, teksa ka shprehur rezerva ndaj drejtimit të OSHEE-së për shkak se rezultatet e deri tanishme janë larg objektivit të qeverisë.
Largimi me dorëheqje i drejtorit
Përpara se kreu i OSHEE, Arben Seferi, të jepte dorëheqjen nga detyra e kreut të OSHEE-së, i ka paraprirë një mbledhje e gjatë e Shtabit Qendror të operacionit masiv kundër vjedhjes së energjisë, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama. Në takim, kreu i qeverisë ka folur me tone të larta dhe sipas burimeve nga takimi, ka kërkuar edhe dorëheqjen e Seferit nga drejtimi i mëtejshëm i OSHEE-së. Rama ka deklaruar se “goditja e korrupsionit brenda kompanisë, qoftë edhe arrestimet

e dy drejtorëve rajonalë të përfshirë në vjedhjen e energjisë, janë krejt të pamjaftueshme, ndërkohë që kërkohet zero tolerancë”.
Gjithashtu shefi i Qeverisë ka theksuar se pavarësisht rezultateve të deritanishme, kompania nuk ka bërë sa duhet për të rritur cilësinë e burimeve njerëzore e të shërbimit ndaj klientit. Rama është kujdesur që të ndajë qeverisjen aktuale me atë të mëparshme, duke e cilësuar, citon burimi, kohën e PD-së, si koha e hajdutërisë, jo e menaxhimit të kompanisë. Mesazhi i fundit i Ramës gjatë mbledhjes të Shtabit Qendror të operacionit kundra vjedhjes së energjisë ishte dhënia fund me çdo çmim e abuzimeve, madje Rama ka shprehur me forcë se nuk do të ketë asnjë lloj amnistie të borxheve të prapambetura, duke shprehur qëndrimin e qeverisë për mos t’u tërhequr, edhe sikur ky operacion të prodhojë kosto elektorale. Në fund Seferi ka dhënë dorëheqjen, duke nxjerrë si pretekst arsyet familjare.
Kur borxhliu del mbledh borxhet
Por aksioni për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike u shoqërua me një handikap të çuditshëm. Ndërsa u kërkohej abonentëve që të paguanin detyrimet dhe madje arrestoheshin ata që kishin bërë lidhje të paligjshme, u zbulua nga Task-Forca e OSHEE-së dhe Policia, se mes abuzuesve ishin edhe vetë punonjësit e kësaj kompanie. Elektricistë dhe deri tek drejtorët e degëve të OSHEE-së në rrethe. Deri tani numërohen mbi 20 elektricistë të arrestuar dhe 3 drejtorë në paraburgim. I pari u ndalua ish-drejtori i OSHEE-së në Mallakastër, Arban Myftaraj, 32 vjeç, i cili u akuzua se favorizonte biznesin e vëllait, duke grisur procesverbalin e kontrollit nga Task-Forca që gjeti lidhje të paligjshme energjie. Më pas u ndalua edhe ish-drejtori i degës së OSHEE në Lushnjë, Dine Aliaj, të cilit grupi i kontrollit i gjeti në lokalin e tij në Divjakë, një lidhje të paligjshme dhe madje paguante fatura të ulëta energjie, 200 lekë të reja, apo 2 mijë lekë në muaj, megjithëse kishte lokal dasmash. I treti u arrestua në fundjavë edhe Sulejman Brati, ish-drejtori i OSHEE në Has, i cili kishte bërë lidhje të paligjshme energjie për lokalin e tij në fshatin Golaj.
Aksioni, 5 mijë kërkesa për kontrata dhe rriten arkëtimet
Operacioni i nisur nga Task-Forca e ngritur me vendim qeverie, për të ndaluar vjedhësit e energjisë elektrike dhe për të rritur arkëtimet nga faturat e prapambetura, duket se ka dhënë një sinjal pozitiv që në hapat e tij të parë. Burime nga Ministria e Energjisë bëjnë të ditur se që pas nisjes së aksionit, ka mbi 5 mijë kërkesa për kontrata të reja. Arkëtimet deri më tani janë rritur në një nivel 50%, ndërsa ka shumë debitorë të cilët kanë bërë marrëveshje për shlyerje me këste. Ndërprerja e lidhjeve të paligjshme ka sjellë edhe ulje të kërkesës për konsum energjie me 15 për qind, ç’ka do të thotë që njerëzit kanë filluar të tregohen më të kujdesshëm, si dhe një rritje të faturimit mbi 11 për qind mbi mesatare. Përsa i përket humbjeve, mësohet se janë reduktuar në 34%. Këtë vit janë grumbulluar mbi 70 milionë dollarë më shumë sesa vitin e kaluar.

Per cdo hyrje apo shtepi te mbyllur, qe gjat gjith vitit funksionon vetem veres apo ndoshta edhe njher ne vit, te ket nje pagese prej 15 deri 20 mij lek te vjetra per sherbime harxhon apo jo energji mujore! Besoj se kjo shume do te kombesoj te tjeret qe jetojn gjith vitin! Keshtu paguaj ne nje hyrje ne spanje qe mbase 2 her ne vit e vizitoj 20 euro cdo muaj edhe pse shtepia ri e mbyllur gjat gjith vitit pervecse 2 here ne vit ne krishtlindjet 2 jave e ne behar 3 jave!
Per cdo shtepi te mbyllur ne Shqiperi paguhet tek Ndermarrja Elektrike 2400 leke te vjetra ne muaj ose 20 Euro ne vit i nderuar. Tek ndermarrja e Ujesjellesit paguhen edhe 50 Euro te tjera ne vit. Pra gjithsej, pa jetuar ne nje shtepi paguan rreth 70 Euro ne vit. Te duken pak ty per nje vend te varfer si Shqiperia.
Esht gati nje pension mujor i ulet, por ndryshe nuk mbahet dot shteti!
Kryesisht ato hyrje apo shtepi ne plazh apo edhe ne cdo qytet, jan emigrante qe jetojn jasht shtetit dhe nuk mundet ta krahasojm njelloj si me nje pensionist me page minimale ne shqipri pra ktu esht qellimi, qe jo me 2400 lek te vjetra qe barazohen me 1.50 euro qe besoj se ne vendet ku emigrantet punojn e jetojn esht nje gjysem kafe! Me ato tatime qesharake ne shtepi gjigande, qe jan ndertuar nuk mundet qe shteti tu rit mirqenjen popullit sidomos ne ceshtje te mprehta sociale,,
Pervecse 20 eurove ne muaj, qe nuk jetoj fare gjith vitin, paguaj sigurim dhe rojtarin qe me shef shtepine gati 184 euro ne muaj! Kto i kam te detyrushme ti paguaj ose ndryshe mer nje shtepi me qira ne plazh ose hotel!