Një gjest human ka ardhur nga bota e futbollit. Kush thotë se Cristiano Ronaldo është egoist dhe mendjemadh, gabohet. Sulmuesi i Real Madrid ka treguar edhe një herë tjetër se është një person i madh dhe i gatshëm t’i ndihmojë të tjerët, sidomos ata në nevojë.
Ylli portugez ka shitur njërin nga katër “Topat e Artë”, për t’i dhuruar paratë për bamirësi. Kopja e këtij trofeu, e fituar në ceremoninë e Londrës në vitin 2013, është nxjerrë në ankand dhe është blerë nga manjati izraelit Idan Ofer për shifrën e 600 mijë eurove.
Fondet kanë shkuar për organizatën britanike të bamirësisë “Make A Wish” e orientuar për fëmijët që vuajnë nga sëmundje të rënda ose që janë në stadin final të saj dhe që ka si qëllim të bëjë reale edhe dëshirat më të çmenduara nga mendja plot fantazi e një fëmije.
Një gjest i rrallë, duke treguar zemërgjerësinë e këtij futbollisti të madh. Në koleksionin e Cristiano Ronaldos do të mungojë një trofe, por në memorien e mijëra fëmijëve dhe shumë të tjerëve ai do të mbetet “trofe” më vete.
