Çrregullimet e mungesës dhe teprisë së vitaminës D tek fëmijët

redaktor

Vitaminat janë ndër elementet e rëndësishme që nxisin zhvillimin e mirë të shëndetit, kjo veçanërisht tek fëmijët. Marrja e sasive të rekomanduara të vitaminave nuk duhet neglizhuar në asnjë rast, pasi në të kundërt, pasojat mund të jenë tepër të rënda. Krahas mungesës së vitaminave në organizëm, edhe përdorimi me tepri i tyre, është po njëlloj i dëmshëm për shëndetin. Kjo veçanërisht për fëmijët gjatë viteve të para të jetesës ku dhe ndodh zhvillimi i tyre. Mjekët rekomandojnë që të bëhet shumë kujdes në respektimin e terapisë së përshkruar nga specialistët, sa i takon marrjes së vitaminave sipas grupmoshave. Vitamina D është një ndër më të rëndësishmet, e cila krijon mineralizimin e duhur të kockave. Mungesa e kësaj vitamine mund të çojë në shfaqjen e sëmundjes, e cila njihet si raketizmi. Sëmundja prek kryesisht kockat, të cilat bëhen më të dobëta dhe të buta si shkak i mungesës së vitaminës D.

Pasojat e mungesës së vitaminës D

Mjekët këshillojnë që të bëhet shumë kujdes me përzgjedhjen e ushqimeve që duhet të konsumojnë fëmijët, në mënyrë që çrregullimet e lidhura me mungesën e vitaminave, e veçanërisht asaj D, të jenë sa më pak të pranishme. Sipas tyre, mungesa e vitaminës D mund të ndodhë edhe në rastet e keqpërthithjes së lëndëve ushqimore. Grupet më të rrezikuara nga kjo sëmundje janë fëmijët e lindur nga nëna që kanë pasur probleme më parë me mungesën e kësaj vitamine, personat që janë shumë pak të ekspozuar në diell, personat që kanë pigment të errët të lëkurës, personat që praktikojnë vegjetarizmin, ku sasia e vitaminës D që merret është shumë e ulët. Natyra e përshtatshme e ushqyerjes është forma më e mirë e parandalimit të problemeve që mund të vijnë nga përdorimi i tepruar, ose në mungesë i vitaminës D. Bluzat e bardha vënë në dukje se nëse një fëmijë nuk ka sasi të mjaftueshme të vitaminës D në organizëm, atëherë kalciumi nuk përthithet si duhet në zorrë. Mungesa e vitaminës pengon fiksimin e kalciumit dhe fosfateve në kocka dhe thithjen e tyre në zorrë. Si rrjedhim i pakësimit të kalciumit dhe të fosfateve në gjak, ulet kalciumi total në gjak, duke varfëruar kockat dhe duke i bërë ato më të dobëta, si dhe me prirje drejt deformimit. Kështu, pasojat e mungesës së vitaminës D shfaqen direkt me sëmundjen e raketizmit.

 

Simptomat e rakitizmit

Shenjat më të shpeshta që vërehen tek këta fëmijë janë: “Çrregullimi i gjumit, djersitja e cila është karakteristike gjatë gjumit, si dhe kur fëmija ushqehet. Në muajt e parë vërehen edhe çrregullime skeletike që mund të shfaqen në kokë me deformime dhe kafkë të sheshtë, në kolonën vertebrore, si dhe deformime të gjymtyrëve. Deformim i krahëve dhe i këmbëve është po ashtu i pashmangshëm”. Gjithashtu pacienti i vogël manifeston edhe deformim të gjunjëve, paqëndrueshmëri të artikulacioneve. Në dhëmbë shfaqen vonesa në kalcifikim, veçanërisht në dhëmbët që janë të përhershëm. Veç dëmtimeve që përmendëm, fëmijët rakitikë sëmuren më shpesh edhe me bronkopneumoni. Ndërkohë që dëmtimet skeletike të legenit te femra bëjnë që ajo më vonë të ketë vështirësi në lindje. Mjekët apelojnë që prindërit të mos lënë pas dore edhe aktivizimin e fëmijës. Kjo pasi sëmundja mund të rëndohet edhe më shumë në rast se fëmijët janë inaktivë dhe shpenzojnë me orë të tëra para televizorit apo lojërave elektronike. Ky qëndrim i ulur për një kohë të gjatë pengon zhvillimin elastik të kockave. Ndaj këshillohet që fëmijët të luajnë më shumë në ajër të pastër dhe të marrin rrezet e diellit, të cilat e pasurojnë organizmin me sasinë e duhur të vitaminës D.

Çfarë duhet bërë për të shmangur deformimin dhe dobësimin e kockave?

Sipas bluzave të bardha, çdo nëne duhet t’i shpjegohet me kujdes rekomandimi dhe sasia e përdorimit të dozave të vitaminës D, që gjatë shtatzanisë, si dhe pas lindjes së fëmijëve. Kështu, gjatë vitit të parë të jetës foshnja duhet të marrë vitaminë D në sasitë 1000-1200 UI (njësia matëse) në ditë deri në 18 muaj, pastaj jepet çdo 6 muaj deri në 5 vjet, nga 200000 UI. Por, në rast nevoje kjo dozë mund të përsëritet edhe më shpesh. Prindërit duhet të rendin edhe drejt ushqimeve që janë të pasura me përmbajtjen e vitaminës D, sidomos qumështit të lopës, por pasi fëmija të ketë mbushur vitin. Ndërsa për fëmijët që ushqehen me gji, duhet të nxitet dhënia e vitaminës D si shtesë, sipas rekomandimit të dhënë nga një mjek specialist. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në rastet kur fëmija nuk ekspozohet shumë në diell, si dhe në rastet kur nëna ka pasur probleme me ushqyerjen e shëndetshme. Vitamina D shtesë mund të jepet në rrugë orale me doza ditore, ose në rrugë muskulare. Në ditët e nxehta kur fëmija ka diarre, apo probleme të tjera që nxisin të vjellat, duhet të ndërpritet dhënia e vitaminës D. Megjithatë, mjekët vijojnë të këmbëngulin në rëndësinë e ekspozimit të foshnjës në dritën e diellit, si një domosdoshmëri për shndërrimin e vitaminës D në lëkurë, ndërkohë ndihmojnë edhe në trajtimin e rakitit. Burimet natyrale të marrjes së vitaminës D sigurohen nëpërmjet ekspozimit direkt në diell dhe vajit të peshkut (sardele, salmon dhe ton). Ushqime të pasura me këtë vitaminë janë qumështi dhe nënproduktet e tij, drithërat, margarina, buka.

Korrigjimi i deformimeve

 

Kur deformimet nga rakitizmi janë të stadeve të lehta, ato zhduken vetë gjatë periudhës parashkolllore. Ndërsa në rastet më të rënda, mund të nevojitet korrigjimi i tyre me anë të ndërhyrjeve kirurgjikale. Është mjeku specialist ai që përcakton kohën e përshtatshme se kur duhet të bëhet kjo ndërhyrje.

Pasojat e teprisë së vitaminës D

Sikundër u theksua, nuk është vetëm mungesa e vitaminës ajo që çon në shfaqjen e problemeve me kockat. Po ashtu edhe marrja e sasive të tepërta të kësaj vitamine mund të bëhet shkak për një sërë ndërlikimesh. Simptomat më të shpeshta që shfaqen tek fëmijët që kanë tepri të vitaminës D janë të vjellat, dehidratimi, dhimbjet e kockave, temperatura e lartë, teksa përmenden dhe format më të rënda, sicc është koma. Ndër simptomat kronike janë dobësia trupore, ngadalësia intelektuale, anoreksia, vonesa e theksuar në rritje, etje, ndjesia e urinimit të shpeshtë, diarre, të vjella, si dhe fraktura. Mostrajtimi në kohë i këtyre simptomave mund të bëhet shkak për rëndimin e punës së zemrës, veshkave, tensionit të lartë të gjakut, etj. Kështu nëse vërehet tepri e vitaminës duhet vepruar me heqjen e shtesave të saj. Tepria e vitaminës d, çon në shfaqjen e sëmundjes së tetanisë, e cila është e lidhur ngushtë edhe me rakitizmin.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *