Cruyff: Nuk duhet ta nënvlerësojmë Tiranën

Gazeta Dita

Maccabi Tel Aviv me fitoren 2-0 regjistruar në takimin e vajtjes ka hedhur një hap të madh drejt kualifikimit në turin e dytë të Europa League.

Megjithatë trajneri Jordi Cruyff thotë se asgjë nuk ka përfunduar dhe ka kërkuar nga të tijët impenjim maksimal për ta kaluar me sukses edhe takimin e dytë kundër Tiranës në “Selman Stermasi”.

“Fitorja 2-0 është në rregull për një rezultat në shtëpi, por mendoj se deri në minutën e fundit nuk duhet të nënvlerësojmë askënd.

Kemi si shembull historinë e kohëve të fundit me kombëtaren e Izraelit kundër Shqipërisë. Nuk mendoj se jemi në pozicionin që të mendojmë se gjithçka ka mbaruar”.

Cruyff thotë se skuadra nuk është në më të mirën e saj për shkak të largimeve në merkato: “Kemi bërë dy javë përgatitje, kemi afruar dhe larguar disa lojtarë ndaj nuk jemi në formën maksimale.

Por mendoj se jemi gati për këtë ndeshje. Ne luajmë jashtë fushe, e dimë që kundërshtari duhet të rrezikojë, të kërkojë sa më lart topin, si në ndeshjen e parë dhe duhet të jemi gati për këtë”.

I pyetur nëse i trembet një përmbysje të bardhebluve tekniku holandez tha: “Shpresoj që jo, mendoj se ata erdhën shumë të përgatitur në ndeshjen e parë. Më pëlqeu mënyra se si u munduan të luanin, se si bënë presion dhe pres edhe më shumë këtu. Lojtari më i rrezikshëm?

Nuk do të flas me emra kundërshtarësh, kam respekt për secilin kundërshtar dhe trajner. Luajmë ndaj një skuadre dhe jo ndaj një individi, ndaj i respektoj njëlloj”.

Sa i përket objektivave që ka vendosur me klubin, 43-vjeçari sqaroi se synon pjesëmarrjen në grupet e Europa League.

“Maccabi ka qenë rregullisht në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve apo Ligës së Europës në vitet e fundit. Sigurisht që objektivi mbetet ai. Ne e dimë që nuk jemi favoritë për të fituar trofeun, por duam të marrim pjesë dhe të bëjmë më të mirën”.

Në fund pyetjes se çfarë opinioni ka për Shqipërinë, ish-mesfushori iu përgjigj: “Nuk kemi parë shumë nga aeroporti deri këtu.

Por deri tani është mirë, është e këndshme. Më pëlqen, si çdo vend normal. Njoh disa lojtarë që kanë ardhur dhe firmosur këtu gjatë verës, do t’i pyes se si ia kanë kaluar, se si është këtu”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *