“Ç’u pruri juve nga Juga, shtatë ditë u bëri rruga!…”

DITA Online

 

Zylyftar Hoxha

Këto vargje të një kënge vjetër popullore që këndohej dikur në Përmet, Kolonjë e Dangëlli për Abdyl Frashërin, mu kujtuan këto ditë, pikërisht më 10 qershor 2017, kur me një grup prej mëse 100 përmetarësh, dëshnicarësh e frashërllinjsh u nisëm për në Prizren për të përkujtuar 139 – vjetorin e një prej ngjarjeve kulmore të historisë së Shqipërisë, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

E ndërsa autokolona prej disa makinash të vogla dhe dy autobusë, të mbushur plot me njerëz gazmorë, rrëshqisnin harmonishëm drejt verilindjes në Rrugën e Kombit, një tik meditativ çasti udhëtimi s’mi ndan që s’mi ndan nga mendja vargjet e këngës së dikurshme “Ç’u pruri juve nga Juga, shtatë ditë u bëri rruga”, por këtë radhë në një kontekst të ri, aktual: “Ç’u pruri juve nga Juga, as dy orë s’u bëri rruga”!

Një miku im, Parim Kosova, drejtori i Qendrës Muzeale të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me të cilin para disa vitesh kishim kaluar mbrëmje të gjata dhe të këndshme bashkë me Xhevahir Spahiun, këtu, në Tiranë, dhe që kisha vite pa e takuar, më vë në dukje një “shqetësim”: Dikur ne vinim dhe flinim në Tiranë dhe kishim kohë të rrinim gjatë me miqtë tanë, tani, kthehemi menjëherë brenda ditës,  siç kthehesh ti në Skrapar, apo Tomorri (Kotorri) në Përmet. Ndaj nuk jemi parë, thotë Parimi. Megjithatë, pavarësisht “shqetësimit” të tij, dihet, rrugët dhe urat i afrojnë njerëzit!

Veprimtaria fillon me një vizitë në shtëpinë muze, stendat e së cilës të çojnë në ato ditë të vështira për shqiptarët, por edhe për ata që kishin marrë përgjegjësinë të viheshin në krye, Abdyl  Frashërit, si ideologu dhe ministri i Punëve të Jashtme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; vendaliut Ymer Prizrenit si kryetar i Qeverisë së Përkohshme; Sulejman Vokshit, ministrit të Mbrojtjes; Iliaz Pashë Dibrës, si kryetar i Kuvendit të Lidhjes. Ndër figurat më të shquara që morën pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm njihen edhe Ali bej Gucia, Hasan pashë Tetova, Abdulla pashë Dreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Jashar bej Shkupi, Haxhi Shabani etj.

Nga drejtori i arealit historik të Lidhjes, Parim Kosova mësojmë se edhe pse ka patur përpjekje dhe studime, edhe sot e kësaj dite nuk është e njohur lista e plotë e delegatëve që morën pjesë në ditën e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes, njihen më se 110 emra, shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës, ishin këta përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë, tregtarë e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktar e malësorë.

Mësojmë këtu se Kuvendi i Përgjithshëm i zhvilloi punimet në një nga sallat e medresesë së ndërtuar në shek. XVII nga Mehemet Pasha, ndërtesë ndodhet pranë Bajrak Xhamisë në Prizren.

Se sa e rëndësishme ka qenë kjo ngjarje për Shqipërinë e tregon edhe fakti që më 2 korrik 1878, 20 ditë pas mbledhjes së parë, Kuvendi i Përgjithshëm miratoi Kanunin e Ri, që i jepte të drejtë mobilizimi ushtarak të të gjithë burrave të aftë për armë, mbledhjes për nevojat e veta buxhetore një serë taksash të ndryshme, formimit të gjyqeve të veçanta etj. Me këto të drejta, Lidhja e Prizrenit fitonte funksione pushteti të veçanta nga ato të Shtetit Osman dhe krijohej mundësia për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar

Ndërsa një pjesë e njerëzve, vendas dhe të ardhur, hyjnë e dalin në shtëpinë muze të Lidhjes, në oborrin e saj kanë filluar veprimtaritë e ndryshme kulturore. Dallojnë të rinjtë. Jo vetëm këtu, por në të gjithë qytetin e Prizrenit, në kafe, në rrugë, në dyqane kishte shumë të rinj. Një qytet i vjetër, me zemër e gjak të ri. Ndoshta ky është sekreti i bukurisë së këtij qyteti që të ngop, që të mban dhe që të ngelet koka mbrapa kur ndahesh nga ai…me mendjen se do të vish përsëri një ditë!

Miku im, profesori i njohur, Genci Luarasi, me të cilin ndenjëm bashkë gjatë gjithë kohës, më prezantoi me një zonjë interesante, që edhe pse në moshë dhe preokupime familjare, bën çudira. Dhe çudia më e madhe është se edhe pse bën çudira, mediat shqiptare pak ose aspak e evidentojnë punën e saj! Ku të lënë shalët dhe cicat e Çiljetave! Elida Jorgoni, kështu quhet gruaja në fjalë, kishte ardhur në Prizren me një aktivitet të vetin. Si një misionare e historisë, ajo gjurmon ngjarje dhe vende ku historia, si të thuash, është treguar e pakujdesshme apo edhe ato që i ka mbuluar pluhuri i kohës, për t’i nxjerrë në pah. Merr grupe të rinjsh, historianë, intelektualë, njerëz pasionantë dhe bën atë që e shikon të arsyeshme. Psh, në Rekën e Sipërme të rilindësit të njohur Josif Bagërit, ku shqiptarët kishin frikë të identifikoheshin si të tillë, edhe pse me leje të kishës, nuk ia hapën derën. Ndaj u detyrua që meshën ta bëjë në varreza ku ishte varri i patriotit, por gjatë rrugës u ndal dhe vuri lule edhe në të gjitha përmendoret, pllakat përkujtimore dhe lapidaret e zonës së Dibrës së Madhe. Në një rast tjetër, me fondet e saj personale, bëri bustin e Fan Nolit dhe e vendosi në kishën ku Noli kishte dhënë meshë, në Durrës, duke i dhënë edhe emrin “Fan Noli” rrugës. Po kështu ka kontribuar për aktivitetin kushtuar kolonel Tomsonit në Durrës etj.

Ja, tani, pas Prizrenit ajo do të nisej me një grup të rinjsh që kishte më vete drejt Fushë-Kosovës. Çfarë do të bënte atje? Ato që di të bëjë ajo…Mbi të gjitha, sensibilizim dhe vëmendje mbi ngjarjet dhe figurat historike.

Në ndarje, kur po shkëmbenim adresat, se ku i vanë sytë mbi xhaminë e madhe të Prizrenit, ku varej një flamur jeshil gjigant arab, ndërkohë që në godinën e Lidhjes, edhe pse në një ditë feste jubilare gjithëshqiptare, organizatorët nuk kishin vendosur flamurin shqiptar, por atë të Kosovës. Përse? Për kujdes ndaj ndjeshmërisë së simboleve.“Ne jemi të marrë” – tha ajo jo pak e shqetësuar duke na dhënë dorën dhe duke na treguar përsëri flamurin arab.

Pasi u ndamë me Elidën, dikush u kujtua… Kush tjetër, veç organizatorit të palodhur të të gjithë këtij aktiviteti, kryetarit të shoqatës atdhetare kulturore “Përmeti”, historianit të mirënjohur, Kastriot Bezati, që s’i shpëtojnë edhe detajet më të vogla: një fotografi me të gjithë!… Fotografia realizohet bukur në shkallaret e kompleksit.

Pas kësaj, grupe-grupe njerëzit u nisën drejt qendrës së qytetit, te “Shtëpia e Bardhë” (kështu i thoshin, nuk kishte emër tjetër), ku do të zhvillohej veprimtaria shkencore. Shtëpia, siç kishte  emrin, e bardhë, kështu ishe edhe nga brenda me një sallë moderne, me akustikë të shkëlqyer dhe solemnitet të ndjeshëm në shumë detaje.

Pas një përshëndetjeje të thekshme, ku vihej re një kulturë dhe inteligjencë e admirueshme, kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja (më pas mora vesh se ishte historian) bëri një ekspoze të komunës, jo vetëm të qytetit, por edhe të 72 fshatrave të kësaj komune, të gjithë me asfalt deri në qendër të fshatit, të gjithë me ujë të pijshëm brenda në shtëpi, të gjithë me kanalizime, Kastriot Bezati ua dha fjalën historianëve, profesorëve dhe akademikëve të njohur, Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, Moikom Zeqo, Sherif Bundo, Parim Kosova, Taulant Bicaj etj. Në kumtesat e tyre ata sollën të reja shkencore mbi këtë ngjarje kyçe historike të popullit shqiptar dhe mbi të drejtën natyrore të tij për vetëvendosje.

Paskal Milo vuri theksin tek qëndrimi historik evropian që ka përcaktuar fatet e shqiptarëve herë për mirë dhe herë për keq, me një korrigjim të madh këto kohët e fundit si rezultat i pushkëve të UÇK-së.

Moikom Zeqo foli për hapësirat e pafundme naimjane në zgjim të ndërgjegjes kombëtare; Sherif Bundo në trajtesën e tij kishte zbuluar filozofinë e punës në veprën e Sami Frashërit; Pëllumb Xhufi foli për përpjekjet e mbijetesës së shqiptarëve jo vetëm nga perandoria otomane, por edhe nga fqinjët; ndërsa Parim Kosova u përpoq të sillte atmosferën mikpritëse të qytetit të Prizrenit në ditët e Lidhjes.

 

 

 

Share This Article
1 Comment
  • Kurvelesh e Gegeri
    C`u mblodhe ne Ergjeri
    Abdyl bej Frasheri
    C`u perpoq i varferi
    Shkriu tre barre flori
    Shtate here ne Frengji
    Cu perpoqe bej per ne
    Me mendje,me hazine.

    Pa dyshim me i kulluari,me i ndricuari,me i pakompromisi ne dem te cdo pellembe toke shqiptare,ky qe Abdyl bej Frasheri.Ndryshe nga vellezerit e tij ky i sherbeu vetem memedheut dhe u be theror,pa i sherbyer interesave te perandorise osmane,pa i sherbyer gjuhes dhe kultures turke,pa e vene emrin ne sherbim te administrates osmane.Turqit,as e kane dashur,as e kane qasur,as e kane njohur.Per ne shqiptaret ky eshte Moisiu,qe u tregoi shqiptareve token e bekuar,por nuk e gezoi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *