Fitorja e dytë radhazi në kampionat sjell entuziazëm tek Partizani, që tashmë sheh përpara në ndeshjen e radhës me Teutën. Të kuqtë kanë nisur përgatitjet për përballjen me durrsakët të bindur se asnjë ndeshje nuk është e lehtë. Mbrojtësi Ardian Cuculi kthen kokën pas tek fitorja me Kukësin si dhe tregohet i përmbajtur për 90 minutëshin e javës së 5-të: “Ishim në një situatë të keqe, por treguam forcë karakteri dhe gjithashtu treguam se jo rastësisht Partizani është një emër i madh dhe një ekip me pretendime, pasi mundëm në fillim kampionët dhe më pas nënkampionët. Skuadra është gati për Teutën. Këto ekipe që shihen si më pak favorite, siç i pamë këtë javë Apolonia me Skënderbeun apo Elbasani me Tiranën mund të shkaktojnë probleme. Sot në futboll nuk ka ekipe të dobëta. Shpresojmë për fitore dhe këtë e arrijmë me angazhim maksimal”.
Dy fitoret e regjistruara ndaj Skënderbeut dhe Kukësit rikthyen jo vetëm qetësinë tek 15 herë kampionët por edhe ambiciet e fillim sezonit. 27-vjeçari i mbrojtjes së kuqe bën të qarta pretendimet që ka Partizani këtë sezon, duke parashikuar një luftë të ashpër për kreun. “Pretendimet tona janë për të qenë tek skuadrat e kreut në kampionat dhe pse jo të synojmë titullin kampion. Me këto dy fitore dëshmuam se kemi kualitet. Shikoj një luftë të hapur për kreun”.
Aventura e Cuculit tek Partizani është shoqëruar me thirrjen në përfaqësuese dhe aktivizimin për herë të parë në një ndeshje zyrtare me Maqedoninë. Mbrojtësi 27-vjeçar jep përshtypjet e para të kësaj aventure duke vlerësuar së tepërmi kampionatin shqiptar, madje duke e cilësuar si shumë herë më të mirë se ai në Maqedoni.
“Këto tre muaj kam ndryshuar shumë profesionalisht tek Partizani, por edhe tek Kombëtarja Maqedonase. Këtu është kampionat më i mirë se në Maqedoni, kam parë lojtarë cilësorë. Unë do tregoj vlerat e mia edhe në vijim”.
