Çuko: I kërkova ndërtimin e rrugës, Haxhi Lleshi më tha se “urdhrat i jep Enveri”

anazapta

Vlerësimi i eksportit të perimeve si përparësi, veçanërisht pas eksperimentimit me sukses të prodhimit në sera në vitin 1966 e objektivi për shtimin e kësaj eksperience në shumë rrethe të tjera të vendit, bëri që drejtuesit e shtetit komunist, nga Enver Hoxha, anëtarë të Byrosë Politike e ministra, të shkonin shpesh në Divjakë që ishte bërë “shkollë kombëtare” në këtë drejtim. Në rrëfimin e tij në vazhdim, specialisti i njohur Loni Çuko rrëfen një nga vizitat në Divjakë të Haxhi Lleshit, ish-Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Biseda me Haxhi Lleshin, sipas Çukos, është një nga bisedat më produktive e mbresëlënëse…

-Zoti Çuko! Përmendët se gjatë eksperimentit tuaj për prodhimin e domateve në sera, kanë qenë vazhdimisht atje dhe keni biseduar me pothuaj drejtuesit e shtetit të kohës?

-Po. Ky eksperiment që u realizua në vitin 1966 e rezultoi i suksesshëm, për nevoja prodhimi të tregut të brendshëm e veçanërisht për eksportin, e ktheu Divjakën në një qendër ku mësohej e përhapej eksperienca në shumë rrethe të vendit. Kështu që, shpesh, siç e kam thënë edhe më parë, vinin drejtuesit më të lartë partiak e shtetëror. Një prej tyre, ka qenë dhe Haxhi Lleshi, për të cilin formova e ruaj konsiderata të veçanta, mbi të gjitha si njeri…

Kur ka ardhur Haxhi Lleshi në ekonominë tuaj?

-Haxhi Lleshi, në atë kohë ishte Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Ai, gjatë kohës që unë punova dhe drejtova në kooperativën bujqësore ‘Mao Ce Dun’ të Divjakës, ka ardhur dy herë. Ka ardhur në vitin 1966 dhe në vitin 1968.

Cili ishte qëllimi i vizitave të Haxhi Lleshit?

-E theksoj se me Haxhi Lleshin, përveç atyre që thash më parë, dua të shtoj se kam pasur e ruaj mbresa shumë të veçanta. Unë, e kam pritur dhe e kam respektuar (isha i detyruar) si Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor), por nuk është pak të them se me të kam biseduar më shumë si specialist. Kjo, përveç kënaqësisë që ndjeva, klimës së mirë të bashkëbisedimit që dinte të krijonte ai, u vura në siklet, pasi ai fliste me maturi e me kompetencë profesionale. Më thënë të drejtën, këtë unë nuk e prisja… Nga të gjithë funksionarët e shtetit të kohës, apo dhe ata partiakë, biseda me Haxhi Lleshin, ishte ndryshe, më e veçanta…

Mund të na thoni se përse u vutë në siklet?

-Ka qenë maj i vitit 1968 që ai erdhi për vizitë në Divjakë. Bëhet fjalë këtu për vizitën e dytë të tij në këtë ekonomi, aq kohë sa unë punova atje. Na lajmëruan një ditë më parë se do të vinte e do të vizitonte serat e Divjakës Haxhi Lleshi. Na u tha gjithashtu se vizita e tij ishte enkas nga Tirana në Divjakë, për të parë situatën në sera.  Kur vinin të mëdhenjtë, bëheshin përgatitje të shumta, por në sektorin që eksperimentova, dinamika ishte precize e përkujdesja ishte e kërkohej sistematike. Kjo për shkak të parametrave bio-teknik të prodhimeve në rritje. Ishte kohe e kalimit të fazës së “prodhimit eksperimental” e kishte nisur me intensitet prodhimi masiv, jo vetëm në ekonominë tonë por dhe më gjerë… Objekt, siç thashë, ishte dalja e prodhimeve të para qoftë me ditë apo orë sa më shpejt për eksport, pasi tregu i huaj i kërkonte masivisht perimet tona cilësore… E prita tek serat. Pasi u përshëndetëm, hyri drejt në temë dhe më pyeti: Çfarë mendon për farën e domates, hibridin, pasi nuk i ka cilësitë dhe parametrat teknik si vitin e kaluar? U befasova.

Përse u befasuat?

-Po. Në fakt, fara këtë vit ishte pak me vonesë, e një specialist e di mirë se si ndihmon kjo vonesë në cilësinë dhe sasinë e prodhimit. Por Haxhi Lleshi, pa pritur shpjegime më të hollësishme nga unë, ndërhyri: Më saktë, sivjet është 8 dit me vonesë!

Nga i dinte Haxhiu këto?

-Në fakt, Haxhi Lleshi, në shtëpinë e tij në Tiranë, kishte një baxhe ku kultivonte pothuaj të gjitha perimet. Si i vëmendshëm dhe punëtor që ishte, ai e ndiqte ecurinë e tyre në të gjitha fazat, për të mos e tepruar, jo me ditë, por ndoshta dhe me orë. Kjo eksperiencë e gjatë, me sa duket e kishte bërë atë mjeshtër në kultivimin e perimeve.

Si vazhdoi më pas biseda me Haxhi Lleshin?

-U detyrova që t’ia shpjegoja teknikisht gjithë procesin, si kultivoheshin, nga dhe si kishte ardhur kjo vonesë disa ditore (në fakt, vonesë ishte 8 ditë, aq sa tha Haxhiu), pengesat dhe ç’duhej bërë nga ne në ditët në vazhdim për të evituar pasojat e këtij afati kohor.. I thashë: ‘Këto kohë kanë qenë ditë të vrenjtura, me pak diell  shumë shira, ndryshe siç ka qenë kjo periudhë gjatë vitit të kaluar. Dihet se elementi kryesor në këtë proces është dielli!’ Vazhdova dhe me detaje të tjera, teksa ai më dëgjonte me vëmendje. Më pyeti se çfarë ndihme kërkoja në aspektin teknik apo dhe me mbështetje materiale. I thashë se kishim marr masat e duhura, do të punonim me më shumë përkujdesje, me qëllim që prodhimi i pritshëm të dalë në kohë e ne do të realizonim planin që kishim. Më pas Haxhiu vazhdoi: ‘Po ndonjë kërkesë tjetër, a keni?’ Kaq desha unë dhe shpërtheva. Kishim një kërkesë, më saktë një nevojë të cilën ua kishim shtruar jo një herë drejtuesve të rrethit e atyre që kishin ardhur nga Tirana, por askush nuk na e kishte plotësuar.

Cila ishte kjo kërkesë dhe si reagoi Haxhi Lleshi?

-Problem, apo më saktë, një nga kërkesat tona të para ishte dhe mbetej rehabilitimi dhe shtrimi i një aksi rrugor që lidhte serat me Çermën. Pra, ishte një segment rrugor rreth 10 kilometra i gjatë tejet i amortizuar. Ishte i shtruar me kalldrëm, por tepër i vështirë për lëvizjen normale të automjeteve. Ndërsa nga lëkundjet e makinave, prodhimi dëmtohej deri sa shkonte në Lushnjë, jo më për atje ku e kishte destinacionin e eksportimit, në Austri apo Gjermani. Nisur nga bashkëbisedimi i ngrohtë, i mora leje duke i thënë se do i tregoja shkurt një ndodhi…

Cila ishte kjo ndodhi?

-Ja çfarë dhe si ja tregova: “Shoku Haxhi! Na ndodhi një herë kur nisëm qumështin e sapo mjelë të bagëtive nga Lushnja për në NIQ (Ndërmarrja Industriale e Qumështit)”. Duke mos e kuptuar se çfarë do të thosha e ku doja që të dilja, Haxhiu ndërhyri dhe më pyeti: ‘Hë, si ndodhi!?’ Unë vazhdova: ‘Nga që rruga është gropa-gropa, qumështi i pa zierë ishte transformuar rrugës në gjalpë e dhallë!’

Si reagoi Haxhi Lleshi?

-Qeshi gjatë. Ishte një qeshje e natyrshme. Duke e parë se ai e mora mesazhin, unë vazhdova më tej: ‘Kështu, shoku Haxhi, na ndodh edhe ne me domaten. Ata dëmtohen rrugës e firot, shoqëruar me koston financiare janë jo të vogla. Kërkojmë nga ju që të jepni porosi të rregullohet kjo rrugë, pasi na shpëton nga sa thashë. Kujt nuk i kemi thënë për këtë. U kemi thënë këtyre këtu ën rreth, u kemi thënë atyre që na kanë ardhur nga Tirana. Na kanë premtuar se do të ndërhyjnë e rruga do të ndërtohet. Por kalojnë ditë, javë, muaj e vite, e situata është kjo që po u themi!’

Ua premtoi Haxhiu ndërtimin e rrugës?

Jo. Por ai u tregua i sinqertë e na foli hapur, jo siç na kishin thënë e premtuar të tjerët, ‘fjalë e mirë e guri në trastë…’

Haxhiu u thye ballas me mua e më tha e nisi të më thotë: ‘Shiko djalë! Më dëgjo këtë që po të them: Këtë punë e bën vetëm Enver Hoxha! Asnjë tjetër, dhe unë që jam këtu, nuk e bëjmë dot!’ Pra, Haxhi Lleshi na e tha hapur se dhe ai ishte i pamundur të urdhëronte ndërtimin e rrugës. Jo si ata të tjerët, dhe udhëheqësit që kishin ardhur nga Tirana, që na kishin premtuar, por nuk e bënin dot. Se atë, e bënte vetëm Enver Hoxha. Haxhi Lleshi na e tha hapur këtë. Kështu përfundoi vizita dhe biseda me Haxhi Lleshin.

Në fakt, u ndërtua kjo rrugë që kërkuat ju?

-Mbeti problem ‘i harruar’ për shumë kohë. Me sa duket, askush nuk kishte guxuar që ti thotë Enver Hoxhës se duhet ndërtuar një rrugë si ajo që ne kërkonim…. Me që po flisnim për Haxhiun, kujtoj dhe diçka nga ajo vizitë. Në ndarje, Haxhi Lleshi më bëri një ftesë..

Cila ishte ftesa e Haxhiut?

-Më ftoi që në një kohë të mundshme, unë të shkoja për vizitë në shtëpinë e tij dhe të shikoja nga afër kopshtin me perime, që ai e kishte merak e përkujdesej vetë për ‘të. Por unë nuk munda ta bëj këtë vizitë… Kur thash udhëheqësit, kam parasysh të gjithë, që nga Byroja Politike, që kishin ardhur në Divjakë, me përjashtim të Ramiz Alisë që nuk ka shkelur atje derisa isha unë!.  Me Haki Toskën, ruaj një kujtim të veçantë, një ndodhi, nga një vizitë që ai bëri në Divjakë…

 

Por dua të shtoj se vizita e Haxhi Lleshit në Divjakë në maj të vitit 1968, ndonëse kishte për objekt shtimin e prodhimit të perimeve në sera, nuk u përqendrua vetëm në këtë objekt.

Çfarë diskutuat tjetër me Haxhi Lleshin në këtë vizitë të tij në Divjakë?

-Dhe shumë probleme të tjera, Ndryshe nga vizitat e drejtuesve të lartë të kohës, Haxhi Lleshi ishte më i thjeshtë, më komunikues, më popullor. Pas vizitës dhe porosive që dha në serat e perimeve, ishte planifikuar dhe një takim me kuadrot drejtues të ekonomisë ku do të raportohej për problemet e bujqësisë në tërësi si dhe për probleme të tjera që ne kishim. Por Haxhiu nuk e respektoi këtë program… Ai, aty ku ishim, nisi bisedën me kooperativistët e pranishëm. Mbaj mend, se nisur nga afrimiteti që krijoi Haxhiu, fshatarët nisën të flasin më lirshëm, duke artikuluar dhe disa kërkesa…

Mund të na thoni ndonjë nga kërkesat apo problemet që ngritën?

-Ngritën disa probleme që lidheshin me shkollimin e nxënësve, bursat që jepte shteti për fëmijët e kooperativistëve, problemin e furnizimit me ujë të pijshëm në disa fshatra, etj… Haxhiu i dëgjonte me vëmendje dhe dha porosi si për ne që ishin drejtues të ekonomisë, ashtu dhe për shokët e partisë dhe të pushtetit në rreth.

Po në takimin me kuadrot çfarë problemesh ngritët?

-Dhe aty probleme të ndryshme u ngritën. Aty Haxhiu na theksoi se kryesore për ne drejtuesit e kooperativës, ishte mirëkuptimi me punëtorët, udhëheqja me shembull personal, me përkushtim e ndershmëri.

“Në qoftë se i merrni zemrën me të mirë fshatarëve, edhe kur sakrificat janë të mëdha, ata ju dëgjojnë dhe punojnë më shumë. Ndërsa kur futeni mes tyre, punoni me ‘ta, rezultatet do i keni më të mëdha. Kur jeni punëtorë e të ndershëm, ju besojnë, ju dëgjojnë e ju ndjekin”- shtoi mes të tjerave Haxhi Lleshi.

Po punën e rrugës, e ‘harruat’?

-Përgjigjen për rrugën e morëm që më parë. Atë, siç na tha Haxhiu, mund ta ndërtonte, pra, të bëhej vetëm me urdhër të Enverit…

Të kthehemi tek vizita e Haki Toskës?

 

 

-Më thotë Dhimo Liko, kryetari i ekonomisë: Ka ardhur Haki Toska dhe ka vajtur direkt tek serat. Nxito që të shkosh sa më shpejt!’ Kishim dëgjuar se Hakiu është i sertë, e vajtja e tij tek serat pa na lajmëruar ne, mua që isha përgjegjësi kryesor, më vuri në siklet..

Si vepruat në këtë rast?

-I hipa motorit(e kisha mjet pune në organikë) dhe u nisa me shpejtësi. Tek sheshi i serave gjejë Haki Toskën. Ju prezantova. Ai nuk priti më gjatë dhe më pyeti: ‘Ç’janë këto pula me kallam në krahë!”. I kishin bërë përshtypje (një kallam i gjatë në shpinë të pulave ku ishin lidhur dy krahët e shpendit), por nuk po e preceptonte pse bëhej një gjë e tillë. Iu përgjigja: ‘Këto pula kanë ditën e zborit!’ Ai më pa një moment, shfaqi një pakënaqësi deri në hakërrim. Desha të përgjigjem sa më shpejt pasi pashë që e thëna me shaka nga ana ime, ;nuk u përtyp’ nga ai e nuk dihej se si shkonte. Por ai nuk më la kohë. Më pyeti: ‘Çfarë do të thotë kjo?’ Ja shpjegova: Po mos u venë këto kallama kooperativistët, ato do të bëni kërdinë në prodhimet në ara. Këto kallama, i pengojnë të futen në gardhet që rrethojnë parcelat!’

Si vazhdoi më pas kjo vizitë?

-Kaluam tek serat dhe problemi i tyre, gjë për të cilën kishte ardhur dhe Haki Toska në Divjakë. Në këtë moment, ai më tha: Sapo kam ardhur nga një vizitë në Hungari, e atje pashë se si mbarë shtrohen masivisht pulat, jo kështu si këtu!’ Nisi të tregoj hollësi… Kur mbaroj, u përgjigja:’Keni të drejtë shoku Haki. Me përmirësimin e kushteve, ashtu do të bëhet edhe këtu!’ Priste që të pyeste, të interesohej apo të bisedonim për serat, por për çudinë time, ai nuk u përqendrua fare në këtë aspekt. Nisi të flasë për rininë, si lexon ajo, me çfarë aktivitetesh merret, si e kalon kohën e lirë, etj… Teksa i jepja përgjigje për sa pyeste, në mendje herë më vinte e herë më largohej ideja që ti thosha të vërtetën për sa ai interesoje, por isha në mëdyshje, Në fund vendosa…

Çfarë i pohuat?

-Realitetin, siç ishte: ‘Shoku Haki! Divjaka, që është një ekonomi e madhe e me shumë banorë, për sa thoni e kërkoni ju, ka një problem këtu. Shpesh, vijnë inspektorët nga Komiteti i Partisë dhe na thonë se rinia këtu nuk e ka mendjen tek puna, por tek shfaqjet, sporti, tek mbrëmjet e dëfrimit”. Në fakt, në një farë mënyre, ky ishte realiteti, por dhe pasioni që unë kisha për artin dhe sportin, duke qenë për disa kohë dhe futbollist i ekipit të qytetit, isha i prirë që rinisë t’i jepeshin hapësira e të mbështeteshin në këtë drejtim. Kur unë isha gati të vazhdoja më tej, Hakiu ndërhyri: ‘Ata e kanë gabim! Shoku Enver dhe Byroja Politike disa herë e kanë theksuar me të madhe çështjen e pjesëmarrjes aktive të rinisë në fushën e kulturës e sportet, si një aspekt i rëndësishëm krahas pjesëmarrjes në prodhim. E kështu të bëhet!’ E ftuam Hakiun për drekë me ne, por ai tha se kishte puën dhe u largua në drejtim të Tiranës…

Përmendët më parë dhe Hysni Kapon?

-Po, dhe Hysni Kapo ka qenë për vizitë pune në Divjakë. Kur unë punoja atje, Hysnik ka qenë në vitin 1967. Në linjën e Partisë, Hysni Kapo ishte njeri më i informuar për problemet e bujqësisë dhe që e mbështeti më shumë atë. Ndërsa kur unë u emërova në Ministrinë e Bujqësisë, ishte Hysni Kapo që më mbështeti fort në projektin për ndërtimin e serave me ngrohje në shumë rrethe të Shqipërisë.

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Rrëfimi i specialistit Loni Çuko: Vizita e Mehmet Shehut në Divjakë në vitin 1967 dhe kërcënimi i tij:Divjakasit u borgjezuan,

marrin para dy herë më shumë se kryeministri!’

-Si gjuanin kafshë të egra në pyllin e Divjakës Mehmet Shehu, Beqir Balluku e Kadri Hazbiu dhe ‘racioni’ që ndanin për Enver Hoxhën pas gjahut.

-Historia dhe brenga e Vasil Shores, kapësit të kuajve, tipizuar tek Vlashi i filmit ‘Pylli i Lirisë’.

 

Share This Article
3 Comments
  • Po mbresa nga nje kohe sa e veshtire po aq edhe e ngarkuar me pune ku edhe “QEJFI ” ,ne kuptimin e plote te fjales ,pas nje dite me pune kishte me shume kuptim dhe nuk kishte stresin e sotem .
    Nuk i kam jetuar vitet e fundit ’60 ne kuptimin qe te kuptoja se kam qene ende femije ,por e kuptoj RITMIKEN e atyre kohrave te largeta .
    Punohej ,shume edhe pse merrej pak po edhe harxhohej me pak .
    Ishin kohe te veshtira ,por edhe te kuptimta !

  • Totila ,shume dakort .Dhe une mendoj se ishin kohe te veshtira por dhe te uauuuu
    kuptimta
    Shiko dhe une as 60 dhe 66 nuk isha ende ,por ne 66 paraardhesit e mi kishin ber 10 vjecarin e pare ne Spac .Sepse partia kur nxirrte kuptimin e kuptonte qe ishin ende armiq dhe cdo kongres na nxirrte perseri armiq .Ngaqe ju kuptonit dhe duartrokisnit !
    Jo mo jo ,ku kishte stres ateher .Ateher kuptimin e kuptonte partia .Marrte dhe nga ditet tuaja
    Ajo ju bente armiq ose komunist ,varej nga 80 lekeshi .Partia ju jepte shtepi te re me banje te perbashket me komshiun .Partia ju jepte bursen dhe dilnit koperativist .Universitaret mbronin me noten 10 marksizem leninizmin .Pyete Lonin do guxonte mos te merrte 10 ne leximin e veprave te shokut Enferr ?
    Totila do harxhoje pak medoemos ,kishe vetem buk misri dhe nje kostum do blije ,e vishje kur martoheshe ,kur votoje partine dhe kur te vdisje ai do te ngelej .Me raste do te duhej dhe kur ishe deshmimtar ne ndonje gjyq .
    Nuk kishte strese ajo kohe Totila ,jo sepse ishit femije ,por sepse vetem bunkerin kishe pare dhe aftesite e te kuptuarit ishin te kufizuara .Me keqardhje ju njoftoj qe jane trauma thuajse te pakurueshme .Lenini ,ai gjyshi i juaj thoshte :’Me jepni nje femij per 8 vjet dhe ai do vdesi bolshevik”
    Ju shoh shume te stresuar ,por radhen e pare jua thashe dhe kurimin .Kthehuni ktu te bunkeri ….per aq sa dini do ndiheni me mire !

    Shoku Loni falenderojme per foton ,duket sikur eshte duke pare ferrin qe gatoi per popullin e tij ,sidomos per specialistet .Ferrin e servileve qe gjithe jeten e duartrokiten dhe kurre nuk do dalin nga hija e tij .Dhe sot ate bejne ,nanuriten ne kujtimin e atyre koheve ,ku bashke me pederastin skllaveruat …jo armikun ,ate thjeshte e futet ne burg ,skllaveruat veten !
    Masat jane idiote te dobishem ……Lenini e thote jo une .

  • @TOTILA NUMERO UNO,,NUMBER ONE !! – i vertete . DIREKT PRENOST

    Me fjalen PRENOST, ju me ktheni mbrapa ne adoleshencen time kur shikonim sport ne televizionin Jugosllav. Me fusni ne nostalgjine e moshes si asnje tjeter.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *