Vijon ende tjerrja e muhabetit rreth përcaktorit “çun Tirone” (edhe prej s`vërteti) si status publik, që Rama ia dedikoi të ndjerit Artan Santo, pak pasi ky i fundit kishte dhënë shpirt pas një atentati në ish-bllok. Debati pasohet së fundi dhe nga një shkrim i Lubonjës.
Por me gjasë, ky përcaktor do i kalojë kufijtë e kontekstit kur u tha, për kë u tha dhe si u tha, duke përftuar vlerën e madhe të komplimentimit ndaj dikujt, për atë se çfarë ka qenë e është, sigurisht pa qenë nevoja t`i bëjnë ndonjë atentat e t`i marrin jetën, por ashtu, duke qenë mirë e bukur, me jetë e shëndet. Shembulli më i freskët, na vjen nga një shkrim i gazetarit Tom Therçaj kushtuar ish-deputetit e diplomatit Qemal Minxhozi, aktualisht ambasador në Kosovë.
“Rreth katër dekada më parë, pikërisht në vitin 1977, gjatë kohës kur ndërtohej hidrocentrali i Fierzës, pasioni dhe dashuria për gazetarinë me njohu me një “çun tirone”, Qemal Minxhozin.” – është kjo pra një nga fjalitë e shkëputura nga shkrimi i Therçajt, kushtuar, siç kuptohet pra, mikut të tij të hershëm, Qemal Minxhozi, i cili vërtet, siç mëton ta paraqes dhe Therçaj, ka gëzuar e gëzon reputacionin e një njeriu me aftësi e cilësi pozitive.
E ndërsa nga njëra anë, ka ende shpirtëra të shqetësuar që duan t`i shkojnë në fund arsyeve të kulluara se përse e përdori Rama atë përcaktor social, se mos vallë aty fle ndonjë “lepur” i madh i paragjykimit e njëherësh i mbivlerësimeve të tepruara, ka të tjerë si Therçaj, që nuk lodhen shumë në analiza psikosociale për autorin dhe produktin, por e fusin direkt në përdorim, si t`u vijë për mbarë. Ama, pa e kuptuar se mund të bëhen shkak që tjerrja të vazhdojë me ritme të pandërprera; se ja, Minxhozi vërtet ka jetuar në kryeqytet, por origjina e tij është nga Mati.
Dhe tani ngrihet një tjetër dilemë, një tjetër çështje që ka nevojë të ftillohet: për t`u quajtur “çun Tirone”, duhet të jesh patjetër tirons me ‘rrojë e me degë’; thjesht duhet të kësh lindur në Tiranë e të kesh qenë dikushi, në një lloj “halabakrie” të shkolluar; apo të kesh shfaqur tipare të garipllëkut tirons me nuanca intelektuale, pavarësisht faktit se ku ke lindur e se nga e ke origjinën?! Dhe kështu si ka nisur, ndoshta do vijë një kohë kur “çun Tirone”, do shndërrohet si titujt klasikë: “Nderi i Kombit”, “Naim Frashëri”, “Gjergj Kastrioti”….
E.H
