Armando Cungu iu gëzua fitores së tij të parë në drejtimin e Vllaznisë. Pas ndeshjes tekniku shkodran deklaroi: “Normalisht janë dy rezultate pozitive për ekipin tim kundër kampionëve të Shqipërisë, megjithatë starti i sezonit nuk na favorizon shumë.
Pozitive është që vumë në vështirësi një skuadër si Skënderbeu, jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës dhe me pikët.
Fitorja është me shumë vlera në planin moral. Këta djem e kanë kuptuar se kanë mundësi të luajnë mirë, të përfaqësojnë si duhet Vllazninë, të sfidojnë edhe Skënderbeun. Gëzimin e suksesit e ndaj me stafin, me lojtarët, me tifozët”.
Kalaja
Heroi i kuqebluve në duelin përballë Skënderbeut ishte sulmuesi i talentuar Arlind Kalaja.
Për një 20-vjeçar një gol me vlerë tre pikëshe i realizuar ndaj skuadrës kampione është më të vërtetë maksimumi, por Kalaja pavarësisht rrjetës së realizuar qëndron me këmbë në tokë, ku thotë: “Unë konkretizova mundësinë që m’u paraqit dhe jam i lumtur për këtë fakt.
Me pak fjalë bëra detyrën e sulmuesit. Dua t’i them trajnerit që nuk më është rritur mendja pas këtij goli dhe do të punoj akoma më fort për ta bindur atë”.
