Armando Cungu është i bindur se skuadra e tij do të dijë si të veprojë në fushë, për të arritur kualifikimin historik në raundin e katërt në Europa League. Kukësi luan sot në Donjeck, kundër Metalurgut, ku i duhet të mbrojë fitoren 2-0, të arritur një javë më parë në “Qemal Stafa”. Edhe pse shifrat janë të favorshme, trajneri pret një takim të vështirë. I mungon Lukas Malakarne, një lojtar shumë i rëndësishëm, përveçse autor i golit të parë në Tiranë, megjithatë Cungu beson se të tjerët do të dinë të kompensojnë për argjentinasin dhe të marrin rezultatin e dëshiruar.
– Tani Metalurgu është kundërshtar i njohur për ju, cilat janë anët më të forta?
– E dimë që është një ekip shumë i fortë, me lojtarë cilësorë. Para ndeshjes së parë, ne grumbulluam shumë informacion rreth kësaj skuadre dhe e analizuam gjatë me stafin e lojtarët. Kukësi mbështetet në futbollin kolektiv. Ekipi ynë është si një familje. Synonim të shfaqnim dëshirë për të fituar dhe karakter në fushë, gjë që ia dolëm mbanë ta bënim.
– Vini me dy gola epërsi në ndeshjen e kthimit. Sa e ndryshon kjo taktikën tuaj?
– Ne arritëm rezultat të mirë në ndeshjen e parë, por e dimë që ndeshja e ardhshme do të jetë shumë e vështirë. Do të përpiqemi ta mbrojmë rezultatin. Kam folur me lojtarët për këtë, u kam kërkuar të jenë seriozë në stërvitje e në fushë. Do të jetë ndeshje e vështirë, por nuk dyshoj në seriozitetin e lojtarëve të mi. Ata do të luajnë siç duhet.
– Keni probleme me formacionin?
– Mungon vetëm Malakarne, i dëmtuar në gju në fund të pjesës së parë në ndeshjen e parë. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Megjithatë, unë besoj tek ekipi im. Ne kemi lojtarë të fuqishëm dhe do të tregojmë vlerat tona më të mira në ndeshjen e kthimit.
– Keni planifikuar të luani futboll sulmues apo mbrojtës?
– Në futboll janë të dyja anët: mbrojtja dhe sulmi. Para së gjithash duhet mbrojtur porta për të mos pësuar gol, por kur merr topin në zotërim duhet të sulmosh.
– Kush është më i fortë midis Sarajevos e Metalurgut?
– Nëse do t’i shikoja të dyja ndeshjet, do të thosha se më shumë probleme patëm me Sarajevon. Kundër Metalurgut ne shënuam shumë shpejt, por unë jam i bindur se Metalurgu është më i fortë se Sarajevo. Gjithçka varet nga rrethanat.
