Curri, në pritje të shansit

anazapta

Do të zëvendësojë Canën dhe synon të rifitojë formacionin e humbur për shkak të dëmtimit të gjatë

Dritan Ikonomi

Debatik Curri do të jetë i vëzhguari special i mbrëmjes së sotme. Zakonisht kjo frazë përdoret kur për lojtarin ka të interesuar nga fronti i merkatos, por këtë herë mbi Currin do të jenë ngulur sytë e trajnerit të tij, por edhe të të gjithë shqiptarëve që e ndjekin kombëtaren. Oreksi është rritur, shpresat kanë shkuar deri në qiell pas fitores në Norvegji, por vazhdimi i kualifikueseve të Shqipërisë ka marrë goditje me mungesat për ndeshjen e ardhshme. Debatiku është kandidati kryesor për të zëvendësuar Lorik Canën, i cili nuk do të jetë në qendër të mbrojtjes, për arsye pezullimi. Dikur një lojtar fiks në formacion, tashmë ka mbetur jashtë e në pritje të shansit të tij, për shkak të mungesës së gjatë. Dëmtimi është lënë pas prej kohësh, por mbrojtësi ende nuk ka arritur të gjejë vend në formacionin e Gençlebirligi. “Ndjehem mirë, nuk kam dhimbje, por nuk mendoj se jam në 100 për qind. Po stërvitem, por ndeshje nuk kam luajtur shumë. Shpresoj të luaj sa më shumë ndeshje që të arrij formën më të mirë”, thotë lojtari, duke treguar për situatën e tij në klubin turk. “Me trajnerin marrëdhënie shumë të mira. Ekipi po ecën mirë dhe ndodhemi në vend të gjashtë. Jemi tre qendërmbrojtës, por trajneri preferon të luajë me ata të dy, pasi tek ata është mbështetur gjatë kohës që nuk kam qenë unë. Megjithatë, nuk kemi probleme dhe nuk besoj se është çështja që më përfundon kontrata dhe nuk më aktivizon”.

Ajo që u intereson tifozëve kuqezi është  loja e tij në qendër të mbrojtjes kundër Norvegjisë. Curri qetëson, duke thënë se deri atëherë me siguri që  do të jetë më mirë, ndonëse i duhet ende praktikë  loje për të qenë në maksimum. “Deri në qershor ka dhe 2-3 muaj kohë, kështu që mua më duhet që  deri në fund të sezonit të luaj në disa ndeshje me ekipin, që të arrij formën time më të mirë. Me Norvegjinë është një tjetër ndeshje e rëndësishme, që duhet ta fitojmë dhe të rrisim shpresat për një  kualifikim të mundshëm”, tha dje lojtari kosovar. Për sa i përket qëndrimit në stol në ndeshjet e fundit, Curri nuk shfaq probleme. “Në fillim, normalisht që është  pak e vështirë të qëndrosh në stol, por nuk besoj se është e rëndësishme kush luan. Me kombëtaren e rëndësishme është fitorja. Nëse fiton kombëtarja nuk do të thotë  se fitoi Curri, Cana, Bogdani apo dikush tjetër, por fiton Shqipëria, fitojnë të gjithë shqiptarët”. Për të vazhduar kështu edhe në të ardhmen, Curri thotë se kuqezinjtë duhet ta hedhin pas krahëve suksesin e Oslos dhe të shohin përpara, fillimisht me ndeshjen e sotme, me Lituaninë, e më pas në takimin e kthimit me norvegjezët. “Me Norvegjinë ishte një fitore historike. Mendoj se bëmë një ndeshje të mirë dhe duhet të kënaqemi me këtë rezultat. Por, pas ndeshjeve të tilla kemi pasur probleme. Kemi bërë ndeshje të mëdha dhe më pas kemi rënë. Prandaj, nëse duam të vazhdojmë me këtë ritëm, ta harrojmë Norvegjinë dhe të përqendrohemi te ndeshja e nesërme me Lituaninë, sepse aty do të luajmë në funksion të ndeshjes së qershorit. Kam biseduar me trajnerin dhe mendoj se ai do të bëjë zgjedhjet e duhura. Do të provojë disa lojtarë të rinj. Është një ndeshje ku duhen provuar elementë të rinj. Nëse më fut, natyrisht që do të jap më të mirën, ndryshe do të qëndroj në stol”, thotë Curri.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *