(Vijon nga numri i kaluar)
Pasi është dorëzuar tek forcat kufitare shqiptare në Tarabosh, Gjokë Dabaj dërgohet në degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës ku u rrëfen për misionin e ardhjes në Shqipëri, ndihmën e shtetit amë për aktivitetin patriotik të organizatës “Liria”. Pas 10 ditësh, e transferojnë në një bazë në Shijak të Durrësit, ku i nënshtrohet një hetuesie katër mujore. Aty, mes të tjerave, e takon dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme Mihallaq Ziçishti. Por tashmë, kur u bindën se nuk ishte agjent i UDB-së, ai nuk mund të rikthehej në Jugosllavi… Kjo, pasi aktiviteti i organizatës ishte diktuar dhe disa nga drejtuesit e saj ishin arrestuar…

Çfarë ndodhi me ju pasi kaluar ilegalisht kufirin dhe erdhët në Shqipëri?
-Kur e pashë se iu shmanga ushtarëve jugosllavë në zonën e Vermoshit e kalova kufirin dhe u futa në Shqipëri, u lehtësova. Eca disa metra me shpejtësi, e ndalova frymën. “Erdha në tokën amë, erdha në Shqipëri”, më shpërthyen natyrshëm fjalët e shpirtit. Pashë se fare afër meje ishte një patrullë e kufitarëve shqiptarë që më kishin diktuar, e më kishin lënë të afrohesha në një pritë të tyre të padukshme… U dorëzova tek ata. Më çuan në postën e kufirit, më pyetën shkurt e pastaj më nisën për në qytetin e Shkodrës, në degën e Punëve të Brendshme… E kisha pas ëndërr të shëtisja rrugëve të Shkodrës, e kisha imagjinuar të bukur, të lashtë, me rrugë të bukura e njerëz të mirë… Por nuk e pata këtë kënaqësi… Nga xhamat pothuaj të mbyllur të mjeti, unë veçse shihja pakëz nga kjo mrekulli që kishte zënë vend në përfytyrimin tim…
Sa qëndruat në degën e Punëve të Brendshme në Shkodër dhe çfarë bëtë aty?
-Kam qëndruar rreth 10 ditë këtu. Nisën të më pyesnin, pothuaj çdo ditë e disa herë në ditë. Unë u tregova për organizatën tonë “Liria”, qëllimin e themelimit të saj, mënyrën e organizimit, misionin, duke u dorëzuar dhe gjithë dokumentacionin që kisha marrë me vete. U thashë se shokët më kishin dërguar në Shqipëri, në shtetin amë, për të marrë detyra për aktivitetin e organizatës dhe se unë pas kësaj, duhej të kthehesha t’i çoja këto detyra tek krerët e organizatës sonë… Por konstatova se ata nuk po më besonin, sikur shprehnin çudi, e unë kuptova se u dukesha i pabesueshëm… Më pyetën drejtuesit e degës së Punëve të Brendshme, hetues apo ç’ishin, duke mbajtur me shënime… Kuptova dhe mësova se për misionin tim ishte njoftuar menjëherë dhe qendra në Tiranë dhe drejtues të Ministrisë së Brendshme nisën interesimin direkt dhe kontaktet me mua…
Kë kontaktuat nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme pas ardhjes në Shqipëri?
-Më priti, më takoi dhe më pyeti, në mos gaboj, Mihallaq Ziçishti, që në atë kohë, më duket se ishte zëvendës Ministër i Punëve të Brendshme. Pati dhe të tjerë nga kjo ministri që kontaktuan dhe biseduan gjatë me mua… Nuk di se si, por nga pyetjet e shumta, kuptova se ata kishin dyshimin se unë mund të isha agjent i UDB-së. Përpiqesha të argumentoja të vërtetën, por me sa duket, nuk isha aq bindës sa bashkëbiseduesit ta shmangnin dyshimin… Më pyesnin për disa emra që unë nuk i njihja, të tjerë që i njihja e ua thosha siç e dija, më pyesnin për ngjarje… Gjithçka që bëhej, dokumentohej nga specialistët dhe funksionarë të Sigurimit të Shtetit…
Mbani mend emrat e personave që u merrnin në pyetje?
-Sigurisht që i mbaj mend, se nuk ishin shumë ata… Kujtoj këtu se kam biseduar dhe me Asim Alikon, që në atë kohë kishte një gradë të lartë në Sigurimin e Ministrisë së Brendshme… Dua të theksoj se me gjithë dyshimin që ata kishin për misionin e arratisjes sime nga Jugosllavia në Shqipëri, më trajtonin shumë mirë… Nuk më mbajtën gjatë në Shkodër, se më transferuan pastaj…
Sa qëndruat në Shkodër dhe ku u dërguan më pas?
-Në degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës, ku dhe më pyetën, kam qëndruar 10 ditë. Pastaj më transferuan dhe më sistemuan në Shijak. Aty, këta të Ministrisë së Brendshme kishin një bazë të tyre, ku më mbajtën dhe me pyesnin me hollësi. Këtu, hetues ishte Ymer Mekuli, një njeri me grada të larta dhe ishte një njeri i mirë. Ky më ripyeti më me hollësi,(sigurisht që verifikonte dhe deklarimet e mia të dhëna më parë në Shkodër) dhe mbante shënim gjithçka. Ka një dosje të plotë në arkiva për këtë, e cila është ruajtur e ruhet si të gjitha dokumentet e tjera…
Një pyetje direkt për ju, nisur nga situata dhe rasti konkret: A u kërkuan të bëheni bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit për misione pas kthimit tuaj në Jugosllavi?
-Mund të kenë pasur mendim të tillë, por nuk e bënë një gjë të tillë. Kjo, për faktin se unë fola e deklarova hapur, pasi për këtë më kishin ngarkuar shokët e organizatës “Liria”. Nuk mbaja rezerva. Pra isha legal se këtë mision kisha e gjithçka bëja po të ishte në të mirë të vëllezërve të mi në trojet autoktone në Jugosllavi e shtetit amë Shqipërisë.
Sa kohë qëndruar në Shijak?
-Kaluan katër muaj nga dita që unë ilegalisht, duke rrezikuar kokën nga plumbat e ushtarëve jugosllavë, kalova kufirin në malin e Taraboshit dhe erdha në Shqipëri me misionin e ngarkuar nga shokët e organizatës “Liria”. Një ditë, aty në Shijak më vjen përsëri Mihallaq Ziçishti dhe më tha se “Qenke njeri i mirë dhe atdhetar”. Më pas më shtoi: “Do që të kthehesh në vendlindjen tënde në Jugosllavi!”. Ju përgjigja: “E si të shkoj, më presin kokën atje!”. Kishte kaluar kaq kohë nga arratisja ime e ardhja në Shqipëri dhe shumë gjëra kishin ndryshuar. Unë duhet të kthehesha për punë ditësh atje tek shokët që më prisnin, por siç e përmenda dhe më parë, kishin kaluar jo pak, por katër muaj.
Si dhe kur ishte parashikuar kthimi juaj në Jugosllavi?
-Ishte parashikuar që unë të kthehesha brenda 6 a 7 ditësh. Në të kundërtën, duhej të ishte dërguar ndonjë ndërlidhës me udhëzimet përkatëse. Nuk kish ndodhur as njëra, as tjetra. Shokët nuk dinim asgjë as për gjendjen time, as për problemet në të cilët unë mund të kisha hasur. Pas dekadash mësova se ata kishin ardhur në përfundimin që organet e Republikës së Shqipërisë mund të mos të kenë besuar për çfarë u kisha thënë unë. Rrjedhimisht ne duhej të ndërmerrnim diçka për të dëshmuar që grupi ynë vërtet ekzistonte. Edhe atje gjërat kishin ndryshuar. Aktiviteti i organizatës sonë kishte rënë në sy të UDB-së, disa shokë ishin arrestuar dhe dërgohen e dënohen në gjyq. Sigurisht dhe arratisja ime në Shqipëri ishte një faturë tjetër për ata atje… Gjithë sesi, unë mbeta në Shqipëri, ku do të niste dhe kalvari i stër mundimshëm i jetës, larg vendlindjes e familjes për dekada të tëra…
Çfarë kishte ndodhur me drejtuesit e organizatës “Liria”?
-Atëherë unë nuk kisha kontakte e hollësi, por do i mësoja pas vitit 1990, ose më saktë në vitin 1989, kur pas shumë mundimesh, nëna ime mundi të sigurojë një vizë si turiste dhe erdhi të më takonte. U ndamë kur sapo kisha mbushur 24 vitet, e më gjente 55 vjeç, me thinja e në prag të pleqërisë… Peripecitë dhe vuajtjet e shokëve të mi, ishin të rënda në Jugosllavi… Meqenëse unë nuk u ktheva më në Jugosllavi siç ishte parashikuar, shokët e organizatës “Liria” ishin mbledhur e kishin vendosur që të ndërmerrnin diçka për të dëshmuar që grupi ynë vërtet ekzistonte. Ndonëse kjo binte ndesh me platformën tonë të mëparshme, platformë themelore, u vendos që të ndërmerrnim një veprim, i cili do të bënte bujë dhe në atë mënyrë të mund të merrej vesh edhe matanë kufìrit se ne vërtet ekzistonim e punonim për çështjen kombëtare…
Çfarë kishin ndërmarrë shokët e organizatës “Liria” në këët drejtim?
– Kishin vendosur të sajonin një stampë parulle, në formë vule, me shkronja gome, ku të shprehnim përkrahje ndaj Republikës së Shqipërisë dhe kundërshtim ndaj Jugosllavisë. “Rroftë Shqipëria!”, “Rroftë Enver Hoxha!”, “Rroftë bashkimi me Shqipërinë!” “Poshtë Jugosllavia!”, “Poshtë Tito!”. Theksoj se këto që po them, i mora vesh më vonë e janë dokumentuar në gjyqin kundër shokëve të mi… Kishin bërë plane që në ditën e inaugurimit të hekurudhës Klinë-Prizren, ato parulla, stampuar në fletë letre, të hidheshin gjatë rrugës. Kishin blerë gomat e kishin prerë shkronjat… Ndërkohë, Haxhi Zyba kish krijuar në Suharekë një grup të ri. Anëtarë ishin: Shefki Musaj, Hysen Bukoshi dhe me sa di unë, edhe Hamit Bytyçi, kandidat ose anëtar. Ky grup mblodhi me tepër të holla dhe u futën në punë nëpërmjet Haxhiut. Por për arsye teknike, aksioni nuk mundi të realizohej ditën e inaugurimit të hekurudhës… Por u vendos që kjo të bëhej më 28 nëntor të vitit 1962, që ishte 50-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë… Por gjërat u përshpejtuan… Dy anëtarë të kryesisë organizatës sonë “Liria” arrestohen… Tashmë, ishte kuptuar se UDB-ja kishte rënë ën gjurmë të organizatës sonë…
Kush nga drejtuesit e ‘Liria’ u arrestuan dhe pse?
-Kishin arrestuar në fillim Fadil Cukajn dhe një tjetër. Në fakt, shkak ndodhi një konflikt të rinjsh që përfundoi në përgjakje, por duket se agjentët e UDB-së diçka kishin rënë në gjurmët e organizatës sonë patriotike… U kapën pastaj dhe disa gazeta e materiale që propagandonin Shqipërinë… Me qenë se në hetuesi unë i arratisuri Gjokë Dabaj u përmenda disa herë, u kuptua që UDB-ja tashmë i kish marrë informacionet. Për të mbrojtur Bedrushin dhe Haxhiun dhe për t’u dhënë mundësi atyre të largoheshin, Fadili u pranon hetuesve: “Gjoka, unë, Selatini, Zymeri dhe Gjergji, kishim krijuar një organizatën ‘Liria’.” Me përjashtim të dy të arrestuarve, të tjerët atë kohë nuk ndodheshin (kishin ikur) në Jugosllavi… Pra, tashmë në hetuesi, ishte çështja e organizatës ‘Liria’… Pra, dolën shumë gjëra…
Çfarë kishte mësuar UDB-ja në lidhje me aktivitetin e shoqatës ‘Liria’?
-Në hetuesi u vërtetua se në Normalen e Prizrenit dhe rrotull saj kishte vepruar organizata ilegale “Liria”, që ata e quanin armiqësore. Në Suharekë Haxhiu kish formuar grupin e vet, në të cilin bënin pjesë Shefki Musa dhe Hysen Bukoshi. Shefkiu ishte matematicien. Qe regjistruar në fakultet në Beograd, por për shkak të kushteve të këqij ekonomikë, qe detyruar të hynte në punë si mësues. Hyseni kish kryer gjimnazin dhe punonte si administrator në qendrën shëndetësore. As për njërin, as për tjetrin, deri në ditët e gjyqit, jo vetëm unë, por shumica (për shkak të formulës 1+3) nuk e kishim ditur që ishin pjesëtarë të organizatës. Hasan Salaj dhe Musa Maxhari, siç duket, pas largimit tim, nuk kanë vepruar organizativisht. Ashtu si edhe Iljaz Zogaj, Zymer Buçajn, Liman Thaçin. Rrotull nesh ka pasur edhe shumë të tjerë që ne vetë nuk i kishin angazhuar organizuar direkt në punë ilegale. Duhet të vëmë ne dukje këtu që askush prej nesh nuk ka ushqyer iluzione se nuk do të zbuloheshim apo, edhe më keq, se nuk mund të burgoseshim e torturoheshim. Të gjithë e dinim edhe forcën, edhe dinakërinë e UDB-ës. UDB-a ish organ shtetëror i një shteti që e kish pushtuar vendin tonë. Ne ishim individët që e kishim kuptuar esencialisht se pa sakrifica nuk mund të vijë liria. Nuk mund të vinte liria pa sakrifica, por ne nuk ishim as për atë që t’i shtynim të gjithë drejt qelive të burgut. Vetë mund të sakrifikoheshim, por të tjerët duhej t’i ruanim. Kjo ka qenë filozofia jonë. Siç mësova, Selatini e Gjergji i kishin marr si dëshmitarë.. Hasani e Musai, për fat të mire, nuk ishin zbuluar. Me vonë Hasan Salaj ishte bërë spiker i TV-Prishtinës, kurse Musa Maxhari punoi si mësues në vendlindjen e vet…
Po për arratisjen tuaj në Shqipëri dhe rolin tuaj në shoqatën ‘Liria’, u pyetën shokët e arrestuar nga UDB-ja?
-Sigurisht që ishin pyetur dhe nëpërmjet torturave nga më ntë rëndat. Por ndryshe nga anëtarët e tjerë të organizatës që ishin në Jugosllavi, për mua e kishin më të lehtë. Kishin deklaruar se isha një nga themeluesit e organizatës, por që isha arratisur në Shqipëri e më tej ata nuk dinin gjë. Kurse deponimet për shokët e tjerë ishin me përgjegjësi, pasi ata ishin të arrestuar, nën hetim, apo dhe në kërkim… Mund ta pësonin shumë keq ata, por dhe familjet e tyre… Ka qenë një situatë e rëndë për shokët e mi andej dhe ky gjyq…
Ju, që mbetët në Shqipëri, mësuat gjë për fatin e organizatës ‘Liria’, të shokëve dhe gjyqin?
-Diçka po, por jo detaje… Siç thashë më lart, vonë i kam mësuar detajet, vuajtjet e shokëve, torturat në hetuesi, gjykimin, dënimin… Ishte diçka që ne e mendonim, që ditën kur themeluam shoqatën, por tashmë, ndjej dhimbje se arratisja ime në shtetin amë, nga shpresë, u kthye në zhgënjim… Jo vetëm që nuk munda të kthehem më të isha pranë tyre, por nuk munda që direkt t’u dërgoja shokëve udhëzime nga shteti amë… Ky gjyq ka bërë bujë atë kohë… Kur sot kanë kaluar më shumë se 50 vjet, dokumentet arkivore të kohës, veçanërisht proces-verbalet zyrtare të gjyqit, kanë rënë në dorën tonë… Ata janë pjesë e rëndësishme e aktivitetit tonë rinor që dëshironim lidhje e bashkim me Shqipërinë, me shtetin amë, por dhe dokumente historike të rrugës nga kanë kaluar brezat deri tek çlirimi i Kosovës e raportet që ka Kosova sot me shtetin amë…
Tani, pas shumë dekadash, takoheni me bashkëluftëtarët e dikurshëm?
-Sigurisht… Po vetëm një pjesë, pasi jeta ka bërë të vetën… Ca natyrshëm e ca për shkaqe të tjera janë ndarë nga jeta… Po dhe unë që për 30 vjet nuk pata asnjë kontakt, kam mbushur 75 vitet… Për sa po fola pak më lart, janë peripecitë që hoqën shokët pas arratisjes sime.. Ndërsa unë, në vitin 1962, do të nisja një kalvar të mundimshëm të jetës në Tepelenë (fillimisht) me statusin e të internuarit…
(Vijon nesër)
