Pas periudhës katër mujore të hetimit, Gjokë Dabaj dërgohet në internim në fermën e Beçishtit në Tepelenë. Tashmë, rrugët e rikthimit në vendlindje, në ish-Jugosllavi janë ndërprerë. Në Tepelenë detyrohet të bëjë punë ndër më të rëndat në bujqësi. Ndërkohë, ai përndiqet nga Sigurimi i Shtetit dhe akuzohet për “Agjitacion e propagandë”… Detyrohet të bëjë një “Fletë-Rrufe” e të thotë se “nuk jam tradhtar”, duke akuzuar me emër shpifësit ndaj tij dhe të futet në një grevë urie 5 ditore në kërkim të së vërtetës… Pas sqarimit të situatës, befasisht, i jepet e drejta të ndjekë studimet në Universitetin Shtetëror të Tiranës… Këto e të tjera, Gjokë Dabaj i rrëfen në intervistën e tij në vazhdim…
Zoti Gjokë! Pas përfundimit të hetuesisë katër mujore dhe pamundësisë për t’u rikthyer më në Jugosllavi, ku ju dërguan?
-Më dërguan në internim në fermën e Beçishtit në Tepelenë, në punë të zakonshme të bujqësisë. Në fakt, nuk më thanë që do të shkosh në internim, por më thanë se do të të dërgojmë në një kamp pune ku do të punoja dhe jetoja si të gjithë njerëzit e tjerë. Siç thashë, unë nuk kisha rrugë tjetër. Nga shpresa që më solli në shtetin amë për të na ndihmuar ne të rinjve kosovarë që ishim nën pushtimin serb, unë u zhgënjeva…
Çfarë pune bënit në fermë në Tepelenë?
-Punë të rëndomta si të gjithë të tjerët. Por unë e kuptova dhe e provova në çdo orë dhe në çdo ditë, se isha nën survejimin e inspektorëve të Sigurimit të Shtetit… Ndonëse në përfundim të hetimeve, më thanë se “je njeri i mirë, nuk kemi gjë me ty”, dihej që ata dyshonin, minimalisht për një arratisje timen… Aty në kamp kishte edhe kosovarë të tjerë që kishin ardhur(ilegalisht) në Shqipëri për një jetë më të mirë pasi nuk mund të duronin regjimin e Titos. Ata, shumica e tyre, ishin nën survejim, ashtu si dhe unë që atë kohë, isha më i riu në atë kamp pune…
U ambientove shpejt me jetën e kampit?
-Me thënë të drejtën jo. Unë isha i ri, e kisha ndërprerë studimet në vendlindje, kisha rrezikuar jetën duke ardhur ilegalisht nëpërmjet kufirit me shpresën se do të mirëpritesha në shtetin amë, se do të na jepej ndihmë për organizatën ‘Liria’ për programin tonë që në themel kishte çështjen kombëtare. Por përfundova në një kamp pune, diku në Shqipërinë e Mesme, bile më në jug, një vend i izoluar e ku në çdo hap isha nën kontrollin e plotë të agjentëve të Sigurimit të Shtetit. Po kisha lënë dhe studimet në mes. Por mbi të gjitha, më vinte keq se ëndrra jonë, e shokëve të organizatës “Liria” për të bërë diçka për çështjen kombëtare(ashtu siç e mendonim e gjykonim ne për kohën), ishte ndërprerë. Më brengoste dhe fati i shokëve të mi, për të cilët nuk dija gjë… Por nuk e mendoj se dhe për mua në këtë kamp, do të nisnin peripecitë… Do të më akuzonin për agjitacion e propagandë, për veprimtari armiqësore…
Për çfarë veprimtarie armiqësore ju akuzuan?
-Ne, siç thashë edhe më lart, aty në fermë bënim punë nga më të ndryshmet, kryesisht punë të bujqësisë. Punonim me grupe, herë vetëm dhe bisedonim shpesh edhe për hallet e problemet e ditës, probleme që i kishte jeta. Me thënë të drejtën, ato vite kanë qenë nga më të vështirat, veçanërisht për sa i përket gjendjes ekonomike… Punonim gjithë ditën në punët më të rënda, ndërkohë që ushqimi ishte shumë i keq. Flisnim kështu në intimitet me njëri-tjetrin ndonjë gjë, por nuk guxonim se e dinim që do të na ndëshkonin. Një ditë prej ditësh, më thërrasin drejtues të fermës dhe disa që kishin ardhur nga dega e Punëve të Brendshme apo nga Tirana dhe më thonë se flisja shumë, kisha shprehur pakënaqësi për regjimin, kisha thënë se ushqimi është i keq, se puna është e rëndë e na paguanin fare pak, etj… U befasova dhe u ndjeva në siklet.
Kur ka ndodhur kjo?
-Ka qenë prilli i vitit 1967. Përveç të tjerash, më thanë se kisha shprehur pakënaqësinë e se doja të largohesha nga Shqipëria. Njëri nga të ardhurit më bëri pyetjen: “Do që të largohesh nga Shqipëria!” E dëgjova me vëmendje sa thoshte. E kuptova se kjo ishte pyetje provokative… Pasi çfarëdo përgjigje të jepja, do të ishte në avantazh të tyre ose do të shërbente për pikënisje e vazhdimit të sulmit ndaj meje. Isha vënë në shënjestër. Dikush (në kamp kishte dhe të ardhur si puna ime, nga Kosova) kishte informuar vazhdimisht për mua në Degën e Punëve ët Brendshme. Po tu thosha që dua të shkoj në vendlindje, praktikisht e kisha të pamundur. Ndaj u thashë: “Unë erdha këtu me shpresa, erdha në shtetin amë, nuk dua të iki se atje serbët mua do të më presin kokën”…
Kush u merrte në pyetje lidhur me akuzat që të bëheshin?
-Kishte disa, por unë do të përmend njërin, Todi Keqin, që ishte kryetar i degës së Punëve të Brendshme. Ky ishte njeri i mirë… Por dhe të tjerët, bënin punën e tyre, se ashtu qe ndërtuar shteti, shoqëria shqiptare në atë kohë… Por unë isha i bindur se nuk kisha bërë punë armiqësore, nuk kisha folur keq kundër shtetit amë, e zgjodha rrugën e reagimit të ashpër…
Çfarë rruge zgjodhe?
-Pasi ua thash të gjitha, ashtu siç ishte dhe si e ndjeja, vendosa të dal hapur. Përgatita një “Fletë-Rrufe” dhe e vendosa në vendin e afishimit të tyre në qendër të fermës. Ishte ajo kohë kur nën shembullin e Dacibaove kineze, në Shqipëri nisën “Fletë-Rrufetë” ku njerëzit bënin kritika të hapura për punët apo probleme të ndryshme… Pra unë përgatita një “Fletë-Rrufe” dhe e vendosa në Qendrën e Emulacionit Socialist. Në të, që në fillim u thosha se “Unë nuk jam armik deh se punë armiqësore bëjnë ata që shpifin gjëra të tilla për mua…”. Dhe këta njerëz, unë i përmendja me emër… Me që jemi tek ‘Fletë-Rrufetë’, dua të përmend se atë kohë, në Tepelenë, si pasojë e thash e themeve, ndodhi një ngjarje tepër e rëndë që tronditi jo vetëm Tepelenën, por gjithë vendin. Për këtë ngjarje bëri nëj letër dhe Enver Hoxha, e cila u diskutua në gjithë vendin. Bëhet fjalë për vetëvrasjen e dy të rinjve tepelenas, drejtues rinie në këtë rreth, për të cilët u hapën fjalë, thashetheme, se kishin flirte intime me njeri-tjetrin. Duke mos duruar opinionin mbytës, dy të rinjtë u detyruan të vetëvriten…
Çfarë ndodhi me “Fletë-Rrufenë” tuaj?
-E lexuan dhe përgjithësisht u prit jo mirë… Dikush e kishte grisur. Unë u mërzita shumë nga kjo situatë dhe ndërmora një veprim që atë herë ishte i panjohur: Nisa një grevë urie. Për 5 ditë, nuk vura gjë në gojë. Dua të them, se jo pak njerëz që më njihnin, shprehën keqardhje në heshtje për mua, e përpiqeshin të më ngushëllonin… Ky veprim pati reagim në strukturat partiake dhe shtetërore të kohës. Kuptohet, njerëzit e Sigurimit të Shtetit e të degës së Brendshme ishin të parët që reaguan.
Kanë kaluar kaq kohë nga ajo ditë, por ju e kujtoni se kush ishin shpifësit dhe personat që u akuzuan ju për agjitacion e propagandë kundër regjimit socialist në Shqipëri?
-Është një histori e gjatë kjo… Sigurisht që e mësova që atëherë.. Ishin njerëz dashakeq atëherë e më vonë. Ja, unë do të përmend Pelivan B., që ishte shpifësi im kryesor. Është i njëjti person që shpifi dhe për çiftin e të rinjve drejtues të Komitetit të Rinisë, që siç thashë më parë, u vetëvranë përballë kësaj situate të rëndë …
Cili ishte reagimi?
-Më thirri e më takoi Todi Keqi, kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Tepelenës. Më tha se i kishin verifikuar gjërat, problemet që ishin ngritur për mua dhe se kishin sqaruar gjithçka. Më tha:’I kritikuam ata që të kanë ngacmuar dhe ti do të vazhdosh punën normalisht!”. U qetësova disi, por e shikoja se isha në një situatë të vështirë… Më vinte keq se përveç të tjerave, kishin kaluar kaq vite, unë kisha ndërprerë mësimet në vendlindje, kurse këtu në shtetin amë, isha në një kamp pune… Pra, nuk më ishte dhënë asnjë mundësi që të shkollohem. Me thënë të drejtën, e humba shpresën në këtë drejtim… Por atëherë kur unë nuk e mendoja, mu krijua dhe mundësia e shkollimit… Pra, më thirrën e më thanë se më ishte dhënë e drejta për të ndjekur universitetin… Këtu kishin ndikuar shumë rrethana…
Cilat ishin këto rrethana që nga kampi i punës, u dhanë të drejtën e ndjekjes së shkollës së lartë?
-Pas përplasjes që pata, pas akuzave për veprimtari armiqësore, siç i thoshin atëherë agjitacion e propagandë, përfshi dhe këmbënguljen time me ‘Fletë-Rrufe’ e grevë urie në kërkim të së vërtetës, shumë gjëra ishin sqaruar… Por në këtë drejtim, pra në drejtim të shkollimit, më ka ndihmuar dhe një djalë me origjinë nga Peja, që edhe ai, kishte ardhur në Shqipëri, emigrant si unë. Namiku, pas disa peripecive, kishte mundur që të fitoj të drejtën e vazhdimit të universitetit. Pasi u njoha me ‘të, lidha shoqëri e miqësi, që ndër vite, e forcuam më tej. Ai më tha se do të më ndihmonte që unë të shkoja në universitet. Dhe kështu bëri ai. Vjen në Tiranë dhe takon Skënder Backën, që në atë kohë ishte titullar në Drejtorinë e Tretë të Ministrisë së Brendshme. Ka qenë një njeri i mirë, i mrekullueshëm… Veçanërisht për emigrantët që vinin në shtetin amë… Ne kosovarët e quanim Skënderin “Nëna e Kosovarëve”…
Ku i nisët studimet?
-Me ndërhyrjen e Skënderit, në qershor-korrik të vitit 1967, më njoftojnë se më ishte dhënë bursa për të ndjekur studimet në Universitetin Shtetëror të Tiranës, përkatësisht në degën Gjuhë-Letërsi. Viti mësimor fillonte atëherë në shtator. Ishte një sihariq që mua më bëri me krahë… E kujtoj si sot atë moment kur më komunikuan se do të shkoja në universitet… Pas shpresës së kthyer në zhgënjim jo pak kohë pasi erdha ilegalisht nga Jugosllavia në shtetin amë, kjo ditë ishte ndër më të gëzuarat e jetës sime… Për këtë më përgëzuan shokët, miqtë e mi të shumtë dhe bashkëfshatarët që për shumë vite kisha ndarë me ta jetën e vështirë dhe hallet e shumta të punës e jetës së rëndë në bujqësi… Por ruaj si sot dhe mbresat e pa shlyera që përjetova në momentin që banorët, miqtë dhe shokët më përcollën mua për në Tiranë në shtatorin e vitit 1967…
Çfarë do të na përmendni nga ajo ditë?
-Thashë, janë kujtime të bukura që unë i përjetova si as një herë deri atë kohë, që i kam dhe do i kem të freskëta deri sa të jem gjallë… Atje, në fermën e Beçishtit, të vetmen pasuri që unë kisha, ishin librat. Me aq mundësi që kisha, unë nuk lija libra pa blerë. Kisha krijuar një bibliotekë modeste në fakt, por që pak njerëz mund ta kishin atë kohë në atë zonë të largët ku unë kalova 15 vjet të jetës… Mbajë mend, se kur më përcollën drejt Tiranës për në stacionin e autobusit të linjës, kisha(mora) me vete tri mushka të ngarkuara me libra…
Diçka për vitet e tua në universitet në Tiranë?
-Isha me bursë, konviktor si të gjithë konviktorët e tjerë. Ishte jetë tjetër këtu, kolektiv tjetër, e mbi të gjitha, isha i lirë e bëja të gjitha përpjekjet për të përvetësuar sa më shumë dije. Sigurisht që edhe rrjeti im shoqëror u zgjerua dhe pasioni im për letërsinë, të shkruarit, kishte hapësira e mundësi të reja… E unë i shfrytëzova me sa munda këto mundësi… Këtu në Tiranë, ndonëse perdja e izolimit ishte pothuaj e pa depërtueshme, diçka mund të mësoja për situatën në vendlindjen time, në trojet shqiptare në kufijtë e Jugosllavisë së Titos…
NESËR DO TË LEXONI:
-Rrëfimin e Gjokë Dabajt: Vitet e mia në Universitet në Tiranë dhe komunikimet ilegale me letra me familjarët e mi në Jugosllavi. Korrespodenca që kalonte nëpërmjet Stambollit në Turqi.
-Njohja e Gjokë Dabajt me studenten nga Përmeti, martesa e tyre tek një i njohur i largët në Korçë, përfundimi i studimeve dhe emërimi në punë si mësues.
-Jeta e mësuesit në Klos të Burrelit dhe takimi i Gjokë Dabajt me të ëmën pas 30 viteve, e cila erdhi si turiste nga Jugosllavia në Shqipëri.
Nje nga njerezit me dinjitoze qe kam njohur ndonjehere. Karakteri i tij i paepur, kembengulja per te arritur çfaredo lloj objektivi, dashuria e thelle per librat e dijen, perkushtimi i veçante ndaj kombit, pasioni i jashtezakonshem si mesimdhenes, jane trashegimia e vyer e profesor Gjokes. Dhe shembulli me i mire qe na ka lene ne, mijera ish-nxenesve te tij. Ai ishte nje personalitet i vertete qe impononte respekt ne çdo mjedis. Edhe pse i shikuar me dyshim e nje fare mosbesimi si “i huaj”, nuk gjendet nje njeri i vetem, besoj, qe te mos kete ngelur i mahnitur prej kultures se tij erudite, diksionit dhe menyres se si e rrembente tjetrin me te foluren e pasur, argumentin e forte, skrupulozitetin e kryerjes se detyres, respektin ndaj mendimit alternativ, stilin e te shkruarit, korrektesine e pashoqe, kerkesen e rrepte (deri ne pedantizem) per ta shkruar e folur shqipen pa gabimin me te vogel dhe sa e sa cilesi e virtyte te tjera te shumta.
Dy vepra te profesor Dabajt jane tregues i forte i diapazonit te tij mendor e intelektual: “Shestani” (ne dy vellime), nje enciklopedi e mrekullueshme per krahinen prej nga vjen, por edhe nje botim luksoz me pasuri informacioni e qasje shkencore te lakmueshme. Libri tjeter, “Strategjia e shqipetarevet”, meton te jete nje traktat i krahasueshem me “Shqiperia ç’ka qene, ç’eshte e ç’do te behete” te Samiut. Dy libra qe do t’i benin nder çdo biblioteke dhe çdo personi sadopak te interesuar ne fushe te tradites, historise, trashegimise sone por dhe te vizionit per te ardhmen.
Kam qene me shume fat qe e kisha mesues letersie ne gjimnaz, shume te nderuarin Gjoke Dabaj.
Me respekt e konsiderate te larte, Selim Kurti