Shumë këshilltarë të kryeministrit Rama dhe njerëz të afërt të tij që morën pjesë në darkën mes dy kryeministrave në rezidencën qeveritare “shtëpia e gjahut” në Beograd, flasin për një atmosferë krejt të ndryshme nga ajo që shqiptarët dhe serbët panë përmes ekraneve televizive.
Njëri ndër ta, Shkëlzen Maliqi, madje ka folur publikisht këto ditë në ekrane dhe media të shkruara, duke treguar sekrete nga kjo darkë vëllazërore që kish mbetur mister. “Ka qenë një atmosferë e relaksuar, darkë pa protokoll, në të cilën ishin vetëm delegacionet e ngushta, kryeministrat dhe anëtarët e delegacionit. Kishte ushqim të bollshëm, pak muzikë, madje zv/kryeministri Ivica Daçiç ka kënduar arie dhe këngë të popullarizuara”, ka thënë Shkëlzen Maliqi.
Madje sipas disa të tjerëve edhe pjesa e marrëveshjeve të mbetura, që Vuçiç ka refuzuar t’i nënshkruajë përpara kamerave, janë firmosur aty, në tavolinën e ushqimit, në një atmosferë aspak formale. Pikërisht këtë ka shkruar edhe Gazeta serbe “Kurir” në numrin e djeshëm. Ajo thekson se shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiç në këtë darkë ka marrë mikrofonin dhe ka kënduar këngën napolitane “O sole mio“. Kjo sipas “Kurir”, ka ç’tensionuar situatën mes dy delegacioneve. Ishte kryeministri serb Aleksandër Vuçiç ai që ka ftuar në një darkë të paplanifikuar delegacionin shqiptar, vetëm disa orë pas konferencës për shtyp të dy kryeministrave.
