Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç ka akuzuar sërish Prishtinën zyrtare për mos implementim të marrëveshjeve të Brukselit, përfshirë formimin e asociacionit të komunave serbe, ndërsa aksionin e policisë në veri kundër krimit të organizuar, e ka quajtur “akt të papranueshëm me qëllim të frikësimit të serbëve në Kosovë”, sipas lajmit të mediave kosovare.
Gjatë fjalimit të tij në OKB-së mbi raportin e rregullt tremujor të UNMIK-ut për punën e këtij misioni në Kosovë, Daçiç ka kërkuar që Prishtina dhe Beogradi të zbatojnë marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e BE-së.
“Deklarata e Thaçit na bëjnë të pyesim se çfarë kemi bërë deri më tani. Pyetja është a ka qenë dialog ky në fakt. Serbia e ka kërkuar dialogun, por ky është ofendim edhe për bashkësinë ndërkombëtare sepse marrëveshjet nuk janë implementuar. Si partner i përgjegjshëm Serbia ka zbatuar të gjitha marrëveshjet, por përfaqësuesit e Prishtinës kanë thënë shumë qartë se nuk do ta zbatojnë dhe kanë kërcënuar BE-në duke thënë se do të bashkohen me Shqipërinë dhe t’i aneksojnë edhe tri komuna në Serbi. Kush mund të na bindë se Prishtina nuk do të sillet në të njëjtën mënyrë edhe në të ardhmen. Ndërsa tani vijnë edhe kërcënimet e kryeministrit të Shqipërisë për bashkim me Kosovën”, tha Daçiç.
Ai ka folur edhe rreth aksionit të policisë në veri të Kosovës, pasi sipas tij “përdorimi i tepruar i forcës policore kishte për qëllim frikësimin e serbëve në Kosovë, dhe nëse ky akt i papranueshëm nuk ndëshkohet, popullata serbe në Kosovë do të jetë e frikësuar”.
Sipas tij, asnjë forcë e sigurisë nuk mund të shkojnë në veri pa e njoftuar KFOR-in, kriter i cili në këtë rast nuk është plotësuar dhe se dy anëtarë të UNMIK-ut, njëri prej tyre rus, është rrahur, arrestuar dhe shpallur person non-grata.
“Edhe anëtarët e UNMIK-ut nuk janë më të sigurt në Kosovë kur pjesëtarët e tij janë të padëshiruar nëse nuk i shkojnë përshtat Prishtinës. Pa kurrfarë turpi, Prishtina i ka kërkuar misionit të rishikojë prezencën e vet në veri. Ne jemi shumë larg nga situata stabile në Kosovë. Rrezikshmëria e situatës mund të jetë e kushtueshme dhe zhvillimet e fundit tregojnë se askush nuk mund ta marrë përgjegjësinë e këtij rreziku”, u shpreh Daçiç.
Daçiç tha se “Prishtina po planifikon një sulm në veri” dhe kërkoi që “kjo të parandalohet për të mos shkaktuar një gjakderdhje e re”.
Duke folur rreth dialogut, ai tha se një gjë e tillë është pamundur të bëhet për shkak “të fajit të Prishtinës”, e cila ka krijuar pengesa vazhdimisht përmes vendosjes së taksës ndaj mallrave serbe.
“Prishtina bën hapa të tillë për të mos ardhur deri te dialogu”, u shpreh ai.
e.ll./dita
