“Bashkësia e komunave serbe nuk mund të jetë ‘Republika e re Srpska’, sepse ne nuk duam kompetenca legjislative. Kjo është ndërrim tezash dhe kjo përrallë nuk pi ujë. Është realitet se Prishtina nuk dëshiron asgjë që i ngjan çfarëdo lloj autonomie”. Kështu është shprehur kryeministri serb Ivica Daçiç për gazetën “Novosti”, i pyetur nëse Uashingtoni kërkon nga Beogradi garanci shtesë se bashkësia e komunave serbe nuk do të jetë ‘Republika e re Srpska’.
Në konstatimin se me kërkesën për normalizimin e marrëdhënieve nënkuptohet nënshkrimi i marrëveshjes së Beogradit dhe Prishtinës me të cilën do të vulosen të gjitha marrëveshjet, Daçiç thotë se nuk është kontestuese të vërë nënshkrimin në ndonjë lloj marrëveshjesh, “me kusht që ky të jetë vendim i kreut komplet shtetëror dhe që për këtë të marrë autorizimin e Kuvendit dhe të qeverisë”.
Daçiç ka paralajmëruar se do të shkojë në Nju Jork për të marrë pjesë në seancën e radhës së Këshillit të Sigurimit të OKB lidhur me raportin e kreut të OKB-së, Ban Ki Mun për Kosovën.
“Do të jem në Nju Jork dhe do t’i bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të angazhohet edhe më shumë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe mbrojtjen e serbëve”, tha ai. / Kosova.com