Arta Dade flet nga SHBA-të, ku ndoqi zgjedhjet e fundit. Dade ka theksuar se mazhoranca parlamentare në Shqipëri asnjëherë nuk ka pranuar konsensus dhe fajëson opozitën. Për këtë anëtarja e Kryesisë së PS-së merr rastin e rrëzimit të Komisionit Hetimor për Ministrinë e Mbrojtjes nga ana e Kuvendit. Dade ka folur dhe për zgjedhjet e ardhshme të cilat i ka vlerësuar si tejet të rëndësishme për t’u zhvilluar të lira dhe të ndershme, çka do të sjellë dhe pranimin nga të gjitha palët. Dade ka vlerësuar dhe zgjedhjet në SHBA duke e cilësuar vendin matanë Oqeanit si kampion i demokracisë.
Zonja Dade, ju keni qenë dhe disa herë si vëzhguese në zgjedhjet amerikane. Çfarë përshtypjesh keni nga këto zgjedhje, me atë çfarë keni vëzhguar ?
Siç e thatë edhe ju, është hera e tretë që unë kam ardhur në SHBA, për të vëzhguar zgjedhjet presidenciale. Zgjedhjet e vitit 2004 patën specifikën e vetë. Ishte hera e parë që u soll një mision nga OSBE/ODIHR-i. Ato të vitit 2008 sigurisht që ishin më impresionuese. Kishte një pjesëmarrje sipas mendimit tim më të madhe dhe ishte një përvojë tejet interesante, e cila u përsërit edhe në këto zgjedhje. Është fat i madh për një person që ka ardhur disa herë dhe është më i familjarizuar me zgjedhjet amerikane. Dihet që e ka sistemin të decentralizuar, ku çdo shtet ka specifikën e vetë. Duke pasur një njohuri më të thellë se si zhvillohen zgjedhjet në SHBA. Në orën 10:00 paradite pati një raport paraprak të ODIHR-it dhe pak më vonë do të dalë raporti përfundimtar. Pra, kemi të bëjmë me të njëjtën praktikë që OSBE/ODIHR vepron dhe në vendet e tjera.
Zonja Dade, në Shqipëri janë tre ligje që opozita nuk ka pranuar t’i votojë në Parlament. Bëhet fjalë për tre ligje si parakushte për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Në kuadër të kërkesës që i bëhet palëve politike në Shqipëri për bashkëpunim, a do të ndryshoni ju qëndrim ?
Këtu nuk është problemi nëse opozita do të ndryshojë qëndrim. Sepse edhe ato pika që janë plotësuar kanë kontributin e opozitës. Problemi qëndron se si e shpreh një politikan, qoftë ky President, Kryeministër apo lider i opozitës, dashurinë që ka ndaj vendit. Mënyra se si e do vendin, sigurisht secili nga ne kemi konceptet e veta. Ato tre ligje që presin të miratohen në parlament, sigurisht që varen nga opozita. PS e ka shprehur vullnetin e saj, ka shprehur gatishmërinë e saj. Miratimi i tre ligjeve është komplet në dorë të mazhorancës, e cila padyshim që do ta zhbllokojë situatën. Në përgjithësi kompromiset i ofron mazhoranca, si shumicë parlamentare, nuk i ofron opozita. Sigurisht dhe opozita duhet të bëj pjesën e saj të lëshimit në raste të caktuara. Ne kemi manifestuar në shumicë rastesh që kemi dhënë mundësinë e konsensusit. Nuk njoh asnjë rast sidomos këto katër vjet që mazhoranca të ketë ofruar kompromis. Sot ju dhatë lajmin që është rrëzuar komisionin hetimor për Ministrinë e Mbrojtjes.
A jeni optimiste se do të arrihet në Shqipëri standardi që të pranohet rezultati nga pala humbëse?
Pranimi i rezultatit ndodh në SHBA, që janë kampioni i demokracisë. Nuk bëhet fjala për të pranuar ose jo rezultatin. Është fjala për të organizuar zgjedhje sipas standardeve, sikur u kërkua dhe nga zonja Klinton në fjalën e saj në Kuvendin e Shqipërisë. Në Shqipëri duhet të kemi zgjedhje që do të reflektojnë vullnetin e votuesve. Dhe kjo padyshim që është në autoritetin e qeverisë. Dihet tashmë që zgjedhjet e fundit e kanë mbajtur vendin jashtë Bashkimit Evropian. I takon mazhorancës të marrë angazhimin për të zhvilluar një proces normal zgjedhor. Problemi në Shqipëri nuk është mungesa e kodit zgjedhor, por është mos zbatimi i tij, që është shkelur në mënyrë të njëanshme nga qeveria aktuale. Nëse zbatohet Kodi dhe zgjedhjet do të jenë të lira dhe demokratike, s’ka arsye pse të mos pranohet rezultati.
