Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Arta Dade, shprehet se nuk do të pranojë më kandidatura për ambasadorë në këtë komision pa pasur më parë strukturën e re të shërbimit diplomatik.
Nisur nga kandidaturat e debatuara në këtë komision, Dade shprehet për gazetën Panorama se nuk mund të paraqiten kandidatura që vijnë nga jashtë shërbimit, teksa shprehet se është thirrur nga Presidenti i Republikës për këtë problematikë.
Sipas Dades, në momentin që nisin procedurat për ambasador, ato duhet të nisin me konsulta jopublike me presidentin, me Komisionin e Jashtëm dhe pastaj të niset procedura formale me kryeministrin.
“Edhe me kërkesë të anëtarëve të tjerë të komisionit, ne duhet të kemi urgjentisht strukturën e re të ministrisë për shërbimin tonë diplomatik dhe madje, duhet një studim i mirëfilltë se cilat nga përfaqësitë tona diplomatike do të mbyllen dhe sa do të kemi në mënyrë që ne të shikojmë raportin që parasheh ligji lidhur me ambasadorët që vijnë nga karriera diplomatike dhe ata që vijnë jashtë kësaj fushe. Unë shpresoj se para se të na vijnë kandidatura të tjera për ambasadorë, dua që të vijë më parë struktura e re e shërbimit diplomatik, struktura nëse do të mbahen të gjitha ambasadat të hapura pa asnjë lloj studimi. Nuk duhet të bëjmë dëgjesa për ambasadorë pa ardhur kjo strukturë, me qëllim që Komisioni i Jashtëm të jetë i qartë nëse kjo strukturë do të jetë në parametrat e zbatimit të ligjit. S’mund të vazhdohet me ambasadorë që vijnë jashtë shërbimit. Por edhe brenda shërbimit, duhet të shohim a janë figura të spikatura, të mos krijohen probleme te tjera në këtë shërbim, kur nuk ndiqet kriteri i karrierës”, shprehet Dade.
Dade e ka konsideruar të frytshëm takimin e djeshëm me presidentin, teksa pohon se: “Presidenti sugjeroi konsolidim të përfaqësimit tonë diplomatik në vendet që i kemi konsideruar si partnerë strategjikë dhe do të ishte e papranueshme që ne të kishim prezencë diplomatike të pakualifikuar në ato vende që përbëjnë përparësi në politikën tonë të jashtme”.

shum e drejte.