Dalin notat e gjuhës së huaj, formulari që duhet të plotësoni për të marrë kopjen e korrigjuar të testit

J L

Dalin notat e provimit të parë të detyruar për Maturën Shtetërore 2021 të zhvilluar në lëndën e gjuhës së huaj dy javë më parë.

Pas vlerësimit të bërë nga sistemi elektronik për pyetjet me alternativa, si dhe nga mësuesit e përzgjedhur për pyetjet me shtjellim, Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka shpallur gjatë ditës së djeshme notat e marra nga afro 34 mijë maturantët që morën pjesë në testin e gjuhës së huaj të zhvilluar në datën 3 qershor në një nga lëndët: anglisht, italisht, gjermanisht, frengjisht, spanjisht, rusisht dhe turqisht.

Për t’u njohur me notën që keni marrë në këtë provim, ju duhet të kërkoni në listën e shpallur nga QSHA në adresën www.qsha.gov.al, ID-në tuaj, përbri të cilës janë shënuar në mënyrë të detajuar nota e përshkallëzuar, si dhe nota përfundimtare me të cilën jeni vlerësuar në këtë provim.

Sikundër përcaktohet edhe në rregulloren e provimeve, maturantët dhe kandidatët e tjerë që janë të pakënaqur me notën e marrë në këtë testim, apo edhe në lëndët e tjera, mund të kërkojnë të tërheqin një kopje të testit të korigjuar. Aplikimet për marrjen e kopjes së testit mund të bëhen online në portalin “E-albania”. Por, pavarësisht kësaj të drejte, autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit bëjnë me dije se nuk do të ketë rivlerësim. Sipas tyre, çdo test i gjuhës së huaj ka kaluar në duart e disa mësuesve gjatë procesit të vlerësimit, çka redukton në zero mundësinë për vlerësime të pasakta.

Për të marrë një kopje të testit dhe të dhe të fletëpërgjigjes maturantët duhet të plotësojnë formularin përkatëse online në portalin www.e-albania.al. Pasi të hyni në portal duhet që të vijoni aplikimin në shërbimin “Kërkesë për kopje të testit të Maturës”, ku duhet të plotësoni me kujdes të gjithë të dhënat e nevojshme të kërkuara në formular (shkolla, DAR/ZA, provimin përkatës, adresa) dhe në përfundim të dërgoni formularin e plotësuar.

Pas trajtimit të kërkesës, Qendra e Shërbimeve të Arsimit do të nisë kopjen e testit për secilin maturant/kandidat që e ka kërkuar atë, në “Hapësira ime”, seksioni “Dokumentet e mia”, në llogarinë përkatëse të çdo maturanti/kandidati, në e-albania. Maturantët do të njoftohen edhe me e-mail, në kohën që shërbimi do t’u kthejë përgjigje. Për këtë shërbim nuk kërkohet dokumentacion shoqërues, si dhe nuk aplikohet asnjë tarifë. Referuar afateve të përcaktuara, përgjigjet do të dalin brenda 10 – 25 ditëve.

Për të qenë kalues në këtë provim, maturantët duhet të siguronin 25 për qind të 60 pikëve totale me të cilat vlerësohej testi. Kandidatët që nuk sigurojnë këtë nivel të kërkuar pikësh, e humbasin të drejtën për të qenë pjesë e garës së pranimeve për studimet në shkollat e larta përgjatë raundit të parë të pranimeve që do të zhvillohen në mbyllje të muajit korrik. Këta kandidatë duhet të presin sezonin e vjeshtës për të dhënë sërish testimet ku rezultojnë mbetës, dhe vetëm në rast se rezultojnë kalues do mund të përfshihen në garë për studimet larta, duke aplikuar në raundin e dytë të pranimeve që do të zhvillohet përgjatë muajit shtator, për kuotat e mbetura bosh nga mbyllja e regjistrimeve të raundit të parë.

Aktualisht po shkon drejt fundit procesi i korigjimit edhe për provimin e dytë të gjuhë shqipe dhe letërsisë, rezultatet e të cilit do të shpallen brenda pak ditësh. Ndërkohë që procesi i korigjimeve po vijon edhe për dy testet e tjera, atë të matematikës dhe lëndës me zgjedhje.

Shpallja e rezultateve të këtyre provimeve do t’i hapë më tej udhë konkurimit për studimet e larta në universitetet publike dhe ato private të vendit për vitin e ri akademik 2021-2022. Të drejtën për të konkuruar për studimet e larta për këtë vit e kanë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses studimet e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë këto katër kushte: “Janë pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor të përfundimit të studimeve të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga universitetet për programet në të cilat konkurojnë, si dhe nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi, duke përjashtuar këtu nxënësit dhe studentët e shkëlqyer.

Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë për vitin e ri akademik do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e këtyre treguesve: “mesatares aritmetike të thjeshtë të notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatares aritmetike të thjeshtë të notave të provimeve të Maturës Shtetërore 2020”. Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe dërgimin e këtyre të dhënave në Qendrën e Shërbimeve Arsimore.

Përjashtohen nga detyrimi i plotësimit të kriterit të notës mesatare kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve në fushën e artit dhe të sportit, si dhe kandidatët me origjinë shqiptare nga Republika e Kosovës, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Medvegja dhe Bujanovci.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *