Dalin notat e testit të gjuhës shqipe dhe letërsisë. Qendra e Shërbimeve të Arsimit, ka shpallur gjatë mesditës së djeshme notat për rreth 32 mijë maturantët që morën pjesë në testin e kësaj lënde, përmbajtja e të cilit u shoqërua me debate dhe pakënaqësi të shumta, jo vetëm në radhët e maturantëve, por edhe të mësuesve dhe ekspertëve të tjerë të kësaj fushe.
Për t’u njohur me notën që keni marrë në këtë provim, ju duhet të kërkoni në listën e shpallur nga QSHA në adresën www.qsha.gov.al, ID-në tuaj, përbri të cilës janë shënuar në mënyrë të detajuar nota e përshkallëzuar, si dhe nota përfundimtare me të cilën jeni vlerësuar në këtë lëndë.
Sipas të dhënave të konfirmuara nga ekspertët e arsimit, notën maksimale në këtë provim e kanë marrë rreth 760 maturantë të shkollave të ndryshme në kryeqytet e rrethe. Ndërkohë që 3.11 për qind e maturantëve nuk kanë arritur që të sigurojnë pikët minimale për të qenë kalues. Këta kandidatë do të duhet të presin sezonin e vjeshtës për të dhënë sërish këtë provim. Çka do të thotë se këta maturantë janë të përjashtuar nga gara e konkurimit për pranimet e raundit të parë të fituesve në universitete.
Ndonëse autoritetet e dikasterit të Arsimit kanë bërë me dije se nuk do të ketë rivlerësim të testeve të Maturës 2020, maturantët apo kandidatët e viteve të shkuara që janë të pakënaqur me notat e marra në provimet e detyruara, apo lëndën me zgjedhje do mund të kërkojnë kopjen e korrigjuar të testit. Procedura për marrjen e kopjes së testit mund të bëhet online në portalin e-albania, por vetëm pasi të jenë shpallur të gjitha rezultatet e provimeve të detyruara dhe lëndës me zgjedhje.
“Kërkesat për fotokopje të testit dhe të fletëpërgjigjes do të mund të kryhen online në portalin e-albania, duke përdorur shërbimin “Kërkesë për kopje të testit të Maturës”. Pas trajtimit të kërkesës, Qendra e Shërbimeve të Arsimit do të nisë kopjen e testit për secilin maturant/kandidat që e ka kërkuar atë, në “Hapësira ime”, seksioni “Dokumentet e mia”, në llogarinë përkatëse të çdo maturanti/kandidati, në e-albania. Maturantët do të njoftohen edhe me e-mail, në kohën që shërbimi do t’u kthejë përgjigje”, sqarojnë ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit në lidhje me procedurat e tërheqjes së kopjes së korrigjuar të testeve të maturës.
Sikundër ka ndodhur gjatë maturave të shkuara, marrja e testeve të korrigjuara online nuk do të shoqërohet me asnjë pagesë. Aktualisht edhe korrigjimi i testeve të matematikës dhe lëndës me zgjedhje po shkon drejt fundit. Sipas ekspertëve të QSHA, përgjatë kësaj jave do të bëhen publike edhe notat e testit të matematikës, si dhe lëndës me zgjedhje. Shpallja e rezultateve të këtyre provimeve do t’i hapë më tej udhë konkurimit për studimet e larta në universitetet publike dhe ato private të vendit për vitin e ri akademik 2020-2021.
Referuar kushteve të përcaktuara më herët, të drejtën për të konkuruar për studimet e larta për këtë vit e kanë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses studimet e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë këto katër kushte: “Janë pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor të përfundimit të studimeve të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga universitetet për programet në të cilat konkurojnë, si dhe nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi, duke përjashtuar këtu nxënësit dhe studentët e shkëlqyer.
Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2020-2021 do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e këtyre treguesve,: “mesatares aritmetike të thjeshtë të notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatares aritmetike të thjeshtë të notave të provimeve të Maturës Shtetërore 2020”. Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe dërgimin e këtyre të dhënave në Qendrën e Shërbimeve Arsimore.
Në vendimin e miratuar pak ditë më parë nga Këshilli i Ministrave përcaktohet se përjashtohen nga detyrimi i plotësimit të kriterit të notës mesatare kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve në fushën e artit dhe të sportit, si dhe kandidatët me origjinë shqiptare nga Republika e Kosovës, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Medvegja dhe Bujanovci.
Maturantët që mund të garojnë për studimet
- Në garë për studimet universitare përgjatë vitit të ri akademik 2020-2021 kanë të drejtë të hyjnë vetëm maturantët dhe kandidatët e viteve të mëparshme që kanë mesatare të shkollës së mesme duke nisur nga nota 6.5 e në vijim.
- Për degët e gjuhëve të huaja do të mund të garojnë maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme që nis nga nota 7 e më lart.
- Në degët e mësuesisë, mesatarja e hyrjes në konkurim do të jetë edhe më e lartë. Kështu në garë për studimet në degët e mësuesisë do të përfshihen kandidatët që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 7.5 e më lart.
- Për degët e mjekësisë mund të garojnë vetëm maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 7. Kjo mesatare ndryshon në varësi të degës së përzgjedhur. Konkretisht,për të garuar në degët për programet e teknikës dentare dhe higjienist dentar duhet një mesatare mbi notën 7, për degët logopedi, teknik laboratori, teknik imazherie, mami, fizioterapi, infermieri e përgjithshme duhet notë mbi 7.5, për degën e shëndetit publik duhet mesatare e gjimnazit mbi notën 8, si dhe për degët siç janë: mjekësia, farmacia, dhe stomatologjia në garë mund të përfshihen vetëm kandidatët që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 8.5 dhe më lart
- Për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar.
- Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e dy treguesve, që janë: mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.

Notat e mesimeve dua ti shikoj