Këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës denoncuan një ndërtim pa leje, që sipas tyre po ngrihet në qendër të kryeqytetit. Aldrin Dalipi akuzoi qeverinë për korrupsion me ndërtimet pa leje dhe tha se bashkia po e betonizon qytetin.
“Është zëri i qytetarëve, i cili flet sot sigurisht për një ndërtim pa leje në qendër të Tiranës. Ka filluar të japë leje ndërtimi edhe qeveria në ikje, kjo është një gjë krejtësisht e paligjshme dhe sigurisht e papranueshme për qytetarët. Ndërtimi që ndodhet pas nesh e turpëron atë që sot është kryetar i emëruar i Bashkisë dhe nuk e nderon. Kryetari i emëruar është fokusuar vetëm te ndërtimet, vetëm te korrupsioni me ndërtimet, te trafiku me klientët dhe natyrishtqë ky objekt që ndodhet këtu na tregon se Tirana sot është nën pushtetin e korrupsionit të ndërtimeve ngado, pa leje, dhe që veprojnë edhe me bekimin apo vendimet e qeverisë. Do të jetë qeveria e ardhshme, që do të marrë vendimet e duhura për të stabilizuar dhe për të rregulluar këtë situatë kaotike në Tiranë, e cila është në dorë të klientëve dhe korrupsionit ngado”, u shpreh Aldrin Dalipi.