Këshilltarët e majtë në Bashkinë e Tiranës thonë se kryetari Basha nuk i ka mbajtur premtimet dhe e ka thyer Tiranën në një qytet ku hapësirat publike zihen përditë e karroatrecat tmerrojnë ata që kanë makina. Kreu i këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi, tha se projektbuxheti i vitit 2013 dhe plani rregullues i Tiranës nuk zgjidhin problemet që ka sot kryeqendra e Shqipërisë.
“Sot ka shumë trishtim nga varfëria dhe papunësia, nga trafiku i rënduar në çdo kryqëzim. Një qytetar i bllokuar në trafik për orë të tëra te Zogu i Zi duke ardhur te rrethrrotullimi i doganës më kërkonte i acaruar, para disa ditësh, të ngrija zërin e t’i kujtoja Bashës se nuk ia kanë borxh shkatërrimin e mbikalimit 3 milionë euro dhe sot duhet të presin radhën me dëshpërim kur projekti ishte një zgjidhje moderne e praktike për këtë nyje të rëndësishme”, tha Dalipi.
Duke u ndalur në buxhetin e vitit të ardhshëm, Dalipi tha se asnjë prej banorëve të Tiranës nuk pret zgjidhje prej tij. “Nesër në këshillin bashkiak do të paraqitet projektbuxheti i vitit 2013. Një vit më parë u shpall sipas kryetarit të bashkisë projekti më i madh në historinë e Tiranës, kur në fakt ishte më i vogli, më i parealizueshmi dhe më i dështuari”, tha Dalipi.