Rezulton që Kryeministri Berisha të ketë lëshuar një tjetër deklaratë boshe. Në rastin më të fundit, kemi të bëjmë me premtimin e kreu të qeverisë shqiptare për krijimin e një hapësirë unike të valëve televizive mes Shqipërisë dhe Kosovës. Deputeti i PS-së, Alfred Dalipi duke iu referuar një deklarate të tillë theksoi se as më shumë e as më pas ajo një deklaratë klienteliste dhe në kundërshtim me rregullat dhe marrëveshjet e nënshkruara në Gjenevë. Qëllimi kryesor në nismën e anonçuar nga Berisha është unifikimi i tregut të licencave për transmetim në Kosovë dhe në Shqipëri. Por sipas Dalipit, përcaktimin e frekuencave nuk e bëjnë Qeveritë, por një institucion ndërkombëtar, siç është “International Telecomunication Union” (ITU) dhe konventat ndërkombëtare. “Unë theksoj që deklarata është vetëm për konsum klientelist. Them klientelist, sepse në momentin që tregu është i hapur mundësitë ligjore janë të mjaftueshme, hapësirat tregtare janë të konsiderueshme, çdo operator radio televiziv i Kosovës, mjafton të regjistrohet në Republikën e Shqipërisë në bazë të ligjit. Ligji aktual nuk ka pengesa për të hapur tregun. Ajo që nuk ekziston është se frekuencat janë të ndara jo nga Shqipëria dhe jo nga vullnetet qeveritare, por janë të ndara nga ITU-ja, janë të ndara nga marrëveshjet që bëjnë palët në atë që ka marrë rolin e moderatorit dhe të menaxherit të frekuencave kombëtare për të gjithë globin, që është Gjeneva. Krijimi i një hapësire unike radio televizive është i pamundur”, argumentoi Dalipi. Po në këtë linjë, deputeti i PS-së anëtar në Komisionin parlamentar të Medias bëri me dije se ligji i ri për transmetimet me zë e figurë i cili po miratohet në këtë komisionin, vë rregulla të qarta, dhe ka hapësira për të gjithë operatorët në Shqipëri dhe Kosovë. “Bashkimi dhe heqja e kufijve mes Shqipërisë dhe Kosovës vjen vetëm nëpërmjet zbatimit të këtij ligji të ri dhe futja e operatorëve në platforma të përbashkëta shqiptare, të shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të territorit të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai. Për këtë arsye, në vlerësimin e Dalipit, nisma e Kryeministrit lidhet me favorizimin e klienteve te caktuar dhe nuk është kërkuar aspak nga operatorët e Kosovës, të cilët kanë akses në tregun shqiptar dhe respektojne ligjin. “Realisht mund të jenë kërkesa klienteliste për të krijuar mundësinë e marrjes së ndonjë kapaciteti teknik me aprovimin e ligjit. Ligji i ri, i cili ka përcaktuar edhe mundësi për të transmetuar pa pagesë, këtu e ka hallin Kryeministri, sepse unë nuk besoj se një operator që do të dalë në treg, të mendojë se mund të ndërmarrë një biznes pa kosto financiare. Të gjithë duan të hyjnë në treg, duke u përballur me konkurrencën dhe jo duke ju fshehur konkurrencës. Çdo deklaratë e Kryeministrit është me ‘background’ klientelist dhe të paktën tre deklaratat e analizuara prej tij, duan të fshehin mundësinë e përballjes në mënyrë korrekte në treg”, vuri në dukje deputeti socialist.