Greqia do të emetojë të martën një bond me vlerë 4 miliardë euro dhe afat maturimi 5 vjeçar.
Kjo do të jetë hera e parë që nga viti 2014, që Greqia do të tentojë të huazojë nga tregjet ndërkombëtare financiare, në kohën që qysh prej fillimit të krizës Greqia është financuar ekskluzivisht nga programet e shpëtimit të ofruara nga partnerët e Eurozonës dhe Fondi Monetar ndërkombëtar.
Ministria greke e Financave njoftoi të hënën në mesditë se ka mandatuar gjashtë banka të mëdha ndërkombëtare që të fillojnë të martën procedurën e emetimit të bondit.
Bankat janë: BNP Paribas, Bank of America – Merrill Lynch, Citigroup, Deutsche Bank, Goldman Sachs dhe HSBC.
Qeveria greke synon që interesi i bondit të jetë maksimumi 4,2%. Por kjo duket e vështirë të arrihet dhe interesi më i mundshëm parashihet të jetë te 4,3 deri 4,5%.
Qeveria Tsipras kërkon me çdo kusht një interes më të ulët, nga sa ishte bondi i mëparshëm, i emetuar në vitin 2014, kur në krye të qeverisë ishte konservatori Antonis Samaras. Atëherë interesi kishte qenë gati 5%.
Sipas analistëve, emetimi i këtij bondi, nëse konkludohet me sukses, do të jetë një hap i rëndësishëm, një “provë gjenerale” në rrugën e Greqisë për daljen nga kriza.
Por analistët janë skeptikë lidhur me momentin kohor të emetimit dhe shtrojnë pyetjen retorike nëse kjo e tanishmja ishte periudha më e përshtatshme.
