Vijon nga dje
Njerëzit e njohur të Shqipërisë në arkivat e Londrës, është cikël dokumentesh i shkëputur nga një raport i gjatë i ambasadorit anglez në Shqipëri, Sir Andrew Ryan, drejtuar ministrit të Jashtëm Viskontit Halifaks më 21 shkurt të 1938.
Në mënyrë të paanshme dhe tipike angleze, shqiptarët e njohur të viteve 20-30 me të gjitha virtytet dhe veset e tyre.
Kostë Çekrezi
Është ortodoks korçar lindur rreth vitit 1886. Kreu studimet në universitetin e Athinës kur u diplomua në jurisprudencë. Kur u kthye nga Greqia në 1913, u emërua sekretar në Ministrinë e Drejtësisë. Në të njëjtin vit u bë sekretar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit në Durrës për arsye se dinte disa gjuhë, frëngjisht, anglisht, dhe greqisht. Më 1914 shkoi në Amerikë ku qëndroi për disa vjet dhe u diplomua dhe nga universiteti i Harvardit. Gjatë kësaj kohe ishte anëtar të Shoqërisë Vatra të shqiptarëve të Amerikës.
Çekrezi u kthye në Shqipëri pak kohë pas mbarimit të luftës dhe u mor me letërsi. Ai shkroi një libër me titullin “Albania Past and Present” (Shqipëria në të kaluarën dhe sot) dhe botoi një fjalor të vogël Anglisht-Shqip, që të dy të shtypura në New York. Në të njëjtën kohë nxirrte një gazetë në Tiranë, “Telegrafi” që nuk pati jetë të gjatë. Autoriteteve nuk u pëlqyen disa artikuj dhe kur u proklamua monarkia, u arrestua dhe u dënua nga “Gjyqi Politik” me dënim të rëndë. Shpejt atij iu fal dënimi, fitoi prapë favorin e Mbretit dhe u emërua anëtar i Këshillit të Shtetit. Në 1932 prapë u fut në belara dhe këtë herë në lidhje me Komplotin e Vlorës. U arrestua, u gjykua dhe u dënua me tri vjet burgim. Po dënimet nuk arritën ta ndreqin dhe ta mënjanonin nga aktivitete revolucionare. Sa po kish dalë nga burgu prapë u fut në bela, këtë herë si figura qëndrore në lëvizjen e dështuar të Fierit në gusht 1935. Këtë radhë pati aq mend sa të përgatiste ikjen në rast dështimi, dhe mundi të largohet në Itali. Në maj 1936 ishte në Paris dhe u mundua të bindte Ambasadorin Britanik atje se pakënaqësia në Shqipëri kishte arritur kulmin dhe se një shpërthim i ri ishte i paevitueshëm.
Hiqmet Delvina
Hiqmet Delvina lindi më 1879. Është mysliman dhe ka studiuar në Turqi. Ai ka mbështetur Ismail Qemalin kur ngriti flamurin në Vlorë në 1912. Në konferencën e Durrësit ai përfaqësonte Gjirokastrën dhe më vonë u bë drejtor i Zyrës Civile të Ministrisë së Punëve të Brendshme. U zgjodh deputet i Gjirokastrës në 1925 dhe Ministër i Drejtësisë në vitin 1928. Korrupsioni dhe nepotizmi i tij fituan një nam dhe një urrejtje të gjerë në popull, ku vese të këtilla nganjëherë kalojnë me një sy të mbyllur, kurse arroganca dhe kapadaillëku i tij u bënë shkak për rrëzimin e qeverisë së Koço Kotës në vitin 1930. Me gjithë këtë i shkon deri diku fjala në qarqet e larta se u rizgjodh deputet i Gjirokastrës prapë në 1937 dhe u bë nënkryetar i parlamentit.
Abdurrahman Dibra
Abdurrahman Dibra, ish Ministër i Financave, lindi në vitin 1882. Kreu studimet në Turqi dhe ka botëkuptimin dhe pikëpamjet e një nëpunësi të ulët turk. Qe senator i Dibrës në 1925 dhe Ministër i Punëve të Brendshme në 1927, por nuk mbajti këtë post për kohë të gjatë. Mori pjesë në plan të parë në ngjarjet që shpunë në proklamimin e monarkisë. Në 1929 u bë Ministër i Arsimit në kabinetin e Koço Kotës. Në 1932 u zgjodh deputet i Dibrës. Nga portofolet e ndryshme që ka patur, ajo e financave ndoshta ishte ajo që i përshtatesh më pak, se është veçanërisht jo inteligjent dhe nuk ka kurrfarë përvoje në çështjet financiare. Thuhet se personalisht është i ndershëm, por nuk qe i zoti edhe sikur të ish munduar të pengonte të tjerët, miq të tij dhe zyrtarë të ndryshëm, të fusin duart në arkën e shtetit për qar të tyre. Ai humbi postin me rrëzimin e kabinetit të Pandeli Evangjelit në tetor të vitit 1935. U zu në mënyrë të tërbuar me ish-Ministrin e Brendshëm Et’hem Toto në verë të vitit 1936 mbi një çështje që dëmtonte qeverinë Frashëri dhe që u vu në dukje nga gazeta Besa ku ai ishte një nga pronarët. Ai u rizgjodh deputet në listën qeveritare në 1937.
Izet Dibra
Izet Dibra lindi rreth vitit 1880 dhe kreu studimet në Turqi. Ishte prefekt i Durrësit në 1922 dhe më vonë deputet i Dibrës, prefekt i Beratit, Tiranës dhe Shkodrës. Në 1931 u emërua Ministër i Punëve Botore në qeverinë e Pandeli Evangjelit dhe në vitin 1932 u zgjodh deputet për Elbasanin. Kur u rindërtua kabineti në vitin 1933, Dibra u zëvëndësua në postin e Ministrit të Punëve Botore nga Sandër Saraçi. Është pak inteligjent dhe ka fituar nam si njeri i pandershëm dhe përvetësues. Ai ish ndër ata pak deputetë që nuk u dolli kandidatura për deputet në vitin 1937, duke qenë se ish emëruar në 1936 si kryetar i Reformës Agrare.
Xhemil Dino
Xhemil Dino është nga Preveza ku lindi në 1894. Në 1922 u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe më vonë Sekretar I i Legatës Shqiptare në Paris ku veproi edhe si i Ngarkuar me Punë për njëfarë kohe. I dëbuar nga posti kur Fan Noli erdhi në fuqi, u emërua nga Ahmet bej Zogu, kur u kthye nga Jugosllavia si Ministër në Romë, post që e mbajti deri në vitin 1931. Ai atëhere ra nën ndikimin italian dhe luajti një rol të rëndësishëm në hartimin e Paktit të Tiranës. Në një kohë ishte i fejuar me njërën nga motrat e Mbretit Zog dhe ishte mik i ngushtë me të, por e fejuara e theu fejesën dhe miqësia midis tij dhe Mbretit u ftoh mjaft. Në 1931 ai shkoi në Londër me rang Ministri, por nuk qëndroi shumë në këtë post se një dashuri e vjetër përfundoi me vetëvrasjen e dashnores te shkallët e Legatës. Çështja u raportua gjerësisht në shtypin e verdhë dhe Dino qe i shtrënguar të japë dorëheqjen. Në 1934 erdhi në Tiranë dhe në vjeshtë u martua me të bijën e Shefqet Vërlacit, ish- e fejuara e Mbretit Zog dhe vajza e pronarit më të madh të tokave në Shqipëri. U emërua Ministër në Sofje në Tetor të po këtij viti. Dino përfaqëson brezin e të rinjve shqiptarë në punë shtetërore që kanë një lustër të qytetërimit perëndimor. Ai është i aftë, i sjellshëm por dembel pa masë. Është linguist i mirë dhe flet në mënyrë të rrjedhshme frëngjishten, anglishten, turqishten dhe greqishten.
Imzot Visarion Xhuvani
Me origjinë nga Elbasani lindur në vitin 1885 dhe përgatitur për karrierën klerikale në Athinë. U emërua prift i komunitetit grek ortodoks në Sofje të Bullgarisë. U kthye vonë në Shqipëri dhe mori pjesë në politikë në vitet 1920-1921, por shquhet më tepër për përpjekjet për krijimin e Kishës Autoqefale Shqiptare dhe mbajtjen e saj në këmbë megjithë dështimet e njëpasnjëshme për të siguruar njohjen nga ana e Patriarkatit të Stambollit. Përpjekjet e Xhuvanit dhe shokëve të tij klerikë u përkrahën nga prelatët jugosllavë. Me kohë arriti të bëhet kryetari i kishës por fatkeqësisht energjia dhe kurajoja e tij, për të cilat nuk mund të kishin dyshim, shoqëroheshin nga një karakter moral të ulët. Personaliteti i tij qe një nga pengesat kryesore për arritjen e një marrëveshjeje me Fanarin deri në vitin 1936 kur u bind të japë dorëheqjen. U dekorua nga Mbreti dhe iu dha një pension duke e nxjerrë në pension, por pritshmëria e shprehur në raportin e vitit të kaluar se ai do të zhdukesh në errësirën e harresës, nuk doli parashikim i saktë. Përkundrazi që atëhere nuk ka lënë rast pa humbur për të dalë në pah në Shqipëri dhe jashtë, duke marrë pjesë në konferenca kishtare si në atë të Londrës në vjeshtë të vitit 1937, dhe pak më vonë në varrimin e Primatit të Jugosllavisë. Ai nuk mban sekret armiqësinë e tij për marrëveshjen e arritur midis kishës ortodokse shqiptare dhe Fanarit të prillit 1937, po pas lidhjes së marrëveshjes ai bëri paqe me Patriarkatin Ekumenik dhe më vonë bëri një vizitë në Stamboll. Ai vazhdon të përdorë titullin e kryepeshkopit.
Cen Elez Ndreu
Një figurë me influencë te malësorët e Dibrës. Është i biri i Elez Isuf Ndreut dhe kunati i Murat Kaloshit. Shtëpia e familjes është në Slatinë në Dibër. Familja Ndreu me traditë është anti-serbe. Në 1920 të shtrënguar të braktisin shtëpinë e tyre nga trupat serbe, erdhën në Tiranë si refugjatë. Kur Serbët u larguan nga familja u kthye në Slatinë. Në vitin 1922 Cen Elezi dhe i ati morën pjesë në një lëvizje kundër Ahmet bej Zogut dhe marshuan mbi Tiranë, por më vonë për arsye të ndërhyrjes si Sir Harry Eyres (Ministri i Britanisë në Shqipëri. A.D.) u pajtuan me Zogun dhe u kthyen në Dibër. Prapë në vitin 1924 ranë në konflikt me Zogun. Elez Isufi vdiq nga plagët e marra në luftën për të kundërshtuar kthimin e Ahmet beut nga Jugosllavia, në afërsi të Peshkopisë dhe Cen Elezi u bë kryetari i familjes. Ai nuk trashëgoi influencën që kish patur i ati. Mungesa e qëndrueshmërisë, egoizmi dhe pabesnikëria shkaktuan që malësorët e Reçit dhe të Dardhës të shkëputeshin prej tij. Tani së fundi administrimi i keq i Tiranës ka bërë që këto dy fise prapë të bashkohen me të, dhe mund të mbështetet mbi ndihmën e tyre po të jetë nevoja.
Ali Erebara
Më parë oficer në ushtrinë shqiptare dhe tani ushtron profesionin e juristit. Lindi në 1898. Kreu studimet në Akademinë Ushtarake të Sofjes në 1916 dhe mori pjesë në ushtrinë bullgare në aksionet në në Maqedoni. Pas luftës mbaroi shkollën e kavalerisë në Beograd. Mbaroi Shkollën e Lartë për Oficerë të Shtabit në Torino dhe pastaj përfundoi studimet në fakultetin e jurisprudencës po në atë qytet. Për një kohë ishte Kryetar i Gjykatës Ushtarake në Tiranë dhe pedagog në shkollën mbretërore ushtarake po në këtë qytet. U mërzit me jetën ushtarake dhe si pasojë të një mosmarrëveshjeje me Komandantin e Përgjithshëm në lidhje me gradimin e tij në rangun e majorit, dha dorëheqjen nga ushtria. Gruaja e tij është italiane. Mbreti Zog nuk e do, por është i zoti dhe është me karakter të pavarur.
Pandeli Evangjeli
Pandeli Evangjeli lindi në vitin 1859, dhe ka të drejtë të konsiderohet “Plaku i Vjetër i Shqipërisë”. Është ortodoks dhe vjen nga kolonia shqiptare e Rumanisë, të cilën e përfaqësoi në Konferencën e Paqes në Paris në vitet 1919-20. Në korrik 1921 u emërua Ministër i Punëve të Jashtme dhe më vonë po në atë vit, Kryeministër deri në grushtin e shtetit të Hasan Prishtinës. Në 1922 ishte prapë Ministër i Punëve të Jashtme dhe mbajti atë post për dy vjet. Në 1924 u zgjodh deputet për Korçën. Kur erdhi Fan Noli në fuqi, Evangjeli shkoi në Rumani, por u kthye në Shqipëri kur Ahmet bej Zogu përmbysi qeverinë e Fan Nolit. U bë senator në vitin 1925 dhe president i senatit 1926. Në vitin 1928 Evangjeli përfaqësonte Korçën në Asamblenë Kushtetuese që proklamoi monarkinë. Me rënien e kabinetit të Koço Kotës në 1930 ai u bë Kryeministër, por dha dorëheqjen në dhjetor të vitit 1932. Mbreti e ftoi të modifikonte qeverinë dhe ai kështu bëri, duke kryer disa ndryshime. Me këtë qeveri të rindërtuar ai qëndroj në fuqi deri në tetor 1935 kur Mbreti Zog vuri në veprim qëllimin që kish shpallur prej kohe, që të hiqte dorë nga këshilltarët e tij të vjetër dhe në vend të tyre të caktonte persona nga brezi i ri. Karakteri i lartë i Pandeli Evangjelit, besnikëria e tij, dhe ndershmëria e tij e përsosur dhe e pa diskutueshme e bënin atë figurën më përfaqësuese të kohës të përparshme.
Lame Kareco
Eshtë ortodoks dhe lindi në Gjirokastër rreth vitit 1886. Ka mësuar në Greqi dhe ka njëfare përgatitjeje juridike. Më parë punonte në Bankën e Egjiptit. Në 1926 u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave kur Milto Tutulani ishte Ministër. Për aq sa kishte rregull në atë dikaster të çrregullt, kjo i dedikohej Lame Karecos. Në 1930 u emërua President i Komisionit të Kontrollit dhe në 1931 me propozim të Mbretit u bë Ministër i Financave dhe si i tillë firmosi marrëveshjen për huanë italiane. Ai dha dorëheqjen me Pandeli Evangjelin në 1932 dhe mbeti jashtë kabinetit të rindërtuar nga Pandeli Evangjeli në janar 1933. U zgjodh deputet i Gjirokastrës në nëntor të vitit 1932. Ai është funksionar me njëfare përvoje i cili kreu punë me vlerë, por jo si Ministër. Si Ministër nuk plotësoi sa pritesh prej tij, se i mungonte kurajoja dhe krijoi armiqësi për arsye se kërkoi të rrethonte veten me ortodoksë. U rizgjodh deputet në vitin 1937.
Imzot Kristofor Kissi
Imzot Kissi lindi në Berat më 1885. Kreu studimet në shkollën teologjike të ishullit Halkis në detin Marmara afër Stambollit. Në 1916 zgjodh peshkop i Lagjes Makrikeuj të Stambollit. Në 1923 u kthye në Shqipëri dhe ishte peshkop i Beratit dhe pastaj i Korçës deri në 1936, kur u bë zëvëndësi i Kryepeshkopatit të Durrës –Tiranës me dhënien e dorëheqjes së Visarion Xhuvanit. Më vonë luajti rolin kryesor në bisedimet me një pajtim midis kishës ortodokse shqiptare dhe Patriarkatit Ekumenik. Ai kryesoi komisionin që vajti në Stamboll në pranverë të vitit 1937 për plotësimin e radhitjeve të reja në të cilat ai u bë Kryepeshkop i Durrësit, Tiranës, dhe Elbasanit dhe Primati i Shqipërisë. Dy ditë më vonë pas njohjes së kishës shqiptare si autoqefale, ai mori nga Patriarku “Tomos-in”, dokumentin formal që njeh kishën ortodokse shqiptare si autoqefale. Ai ka namin se është klerik i ndershëm dhe i drejtë, por është tepër shpejt të gjykohet aftësia e tij për të drejtuar një kishë ku ende ka shumë mosmarrëveshje.
Faik Konica
Faik Konica është vëlla me Mehmet Konicën. Është Ministër i Shqipërisë në Uashigton që nga viti 1926. Qëndron në një pozitë më vete midis shqiptarëve të sotëm duke qenë se është krejtësisht perëndimor në idetë e tij, me një kulturë të konsiderueshme, kritik muzike dhe arti. Që kur filloi nja 20 vjet më parë të bëjë agjitacion në shtyp për Shqipërinë dhe pavarësinë e saj, ai ka bërë mjaft, në një mënyrë apo tjetër, për vendin e tij. Duke jetuar shumicën e kohës jashtë Shqipërisë, ai sheh punët në Shqipëri në prizmin e një vëzhguesi të jashtëm. Në 1912 bëri gabim me ndihmën që i dha Esat Pashës për të krijuar qeverinë e Shqipërisë së Mesme në kundërshtim me qeverinë e Vlorës, dhe në ditët e Fan Nolit, ai mbështeti këtë të fundit kundër Ahmet beut. Megjithë këtë ai arriti shpejt të kuptonte gabimin dhe të bënte paqe me fituesin. Faik Konica ka natyrë të pavarur, është me vullnet të fortë, nevrik dhe sarkastik. Si pasojë ka bërë shumë armiq. Në 1920 ai u bë Kryetar i Shoqërisë Vatra të Shqiptarëve të Amerikës si dhe redaktor i gazetës saj “Dielli”. Si Ministër shqiptar në SHBA, një post që nuk ka arsye të ekzistojë, ai ndjek vijën e vet pavarësisht nga udhëzimet që mund të marrë nga Tirana.

Profesioni me imvjeter i shqiptareve,vjedhja dhe pabesia te bien ne sy ne kete permbledhje,eshte njelloj si dhe sot,asnje ndryshim nuk ka.
Jane fisnike dhe te mesuar,keta nuk jane harbutet e Sali Berishes.Me vjen keq,zoti greku,por keta jane bejlere.Nje mirenjohje te vecante zotit Koste Cekrezi per textet mesimore te shtypshkronjes “Vatra”,qe edhe tani ja shkojne ku e ku, texteve te ministrise se malokes Nikolli.,.Sa mbahet tufa pa dash percor,aq behet Shqiperia me llumin e proletariatit.
Shumica nga Gjirokastra, Korca dhe Dibra .