Ekskluzive: Dëshmia e Mero Bazes për njohjen Berisha-Damir Fazlliç dhënë në 2008 pas arrestimit të Fazlliç dhe aludimi për një skandal rozë, për të cilin nuk është folur kurrë: “Shefin e BG&R e gjeta në dhomën e Damirit të skuqur… Më tha që i ishte prishur dushi”
Who is this guy?
Dëshmia e Mero Bazes për njohjen me Damir Fazlliç, në 2008, pas arrestimit të tij
“E njoha në të njëtën ditë me Berishën, Basha njeriu që donte afër që në fillim”
Më poshtë është një dëshmi e Mero Bazes dhënë në 2008, kur Falliç u arrestua, për t’u liruar shumë shpejt më pas. “Nëse Berisha nuk është shtirur në atë takim, unë e kam takuar për herë të parë njësoj si Berisha në janar 2005 – thotë Baze, ish-këshilltari kryesor i Berishës para dhe disa kohë pas ardhjes së tij në pushtet. Më poshtë, pjesë nga dëshmia:
“…E njoh personalisht Damir Fazlliç. Shpresoj ta kem takuar në të njëjtën ditë për herë të parë me Sali Berishën, nëse ky i fundit nuk është shtirur në atë takim të parë në Uashington, në janar të vitit 2005.
Kompania amerikane BG&R e kishte atë të kontraktuar si specialist për Ballkanin dhe ai do të bënte pjesë në ekipin që do të ndihmonte fushatën elektorale të PD në vitin 2005. Pasi u lidh kontrata dhe u vendos që BG&R do të ishte krah PD, Fazlliç kërkoi që të kishte një person kontakti në Tiranë.
KOP sa ishte formuar, kishte gjithsej dy javë. Lulëzim Basha ishte një emër që e njihnin shumë pak. Ndërsa unë e kisha në majë të gjuhës emrin e tij për t’ia dhënë si person kontakti, Fazlliç e shqiptoi gati njësoj me mua.
– Ai më duhet, – tha.
U çudita nga njiheshin, por nuk më bëri ndonjë përshtypje të keqe. Si dy ballkanas që kishin emigruar të dy në Evropë dhe në Ballkan, nuk ishte çudi njohja e tyre. Por BG&R u largua që në korrik. Damir Fazlliç, përkundrazi shtoi miqësinë me Lulëzim Bashën (dhe kunatin e tij, i cili nuk di pse rrinte gjithmonë dy hapa pas tyre ose hapte derën e makinës).
Në shtator të vitit 2005, në javën e dytë të pushtetit të PD, ata ishin shumë të qartë në planin e tyre. Do bënin pará. Damir Fazlliç hap tri firma brenda dy ditëve, në të cilat ka gjithmonë administrator kunatin e Lulëzim Bashës, Erionin. Të tria i ka shitur më vonë. Një në Qipro dhe dy pjesërisht te një ish-lojtar i Partizanit të Beogradit. Nuk ka shumë rëndësi transferimi i parave dhe shkeljet fiskale. Më e rënda në gjithë këtë histori është fakti që pushteti lëviz nga Lulëzim Basha tek Argita dhe Damiri. Avokatet e rekomanduara prej saj, si Kola apo Qeleshi, janë përpilueset e letrave të kompanisë, noterja Pustina, e cila punon tashmë me Shkëlzenin, është noterja e kompanisë, Breçani, mbesa e Berishës, është ekspertja kontabël e kompanisë, Enkelejda Isufi, kushërira e kunatit të Lul Bashës, është përkthyesja e dokumenteve… kështu, në një zinxhir pa fund lidhjesh të mbyllura brenda një sekti që lëviz nga Basha, tek Argita dhe Fazlliç, vërtitet gjithë historia e kupolës së pushtetit të Sali Berishës.
****
Në fund të vitit 2005, më ndodhi një incident personal me të. Qeveria e Kosovës po përpiqej të kontraktonte BG&R për lobim rreth çështjes së pavarësisë. Bëhej fjalë për një shumë 1,5 milionë dollarë. Ibrahim Rugova, i cili ishte në ditët e fundit të jetës së tij, nuk arriti dot të bindte UNMIK për pagesën zyrtare, ndërsa nuk pranonte që pagesa të bëhej nën dorë, siç propozonte Fazlliç. Palët u ndanë dhe brenda BG&R. Për të marrë situatën nën kontroll, Fazlliç shkon në Beograd dhe nënshkruan një marrëveshje joformale me zëvendëskryeministrin serb, ku thuhej se BG&R do të bëjë lobim për qeverinë e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës. Çmimi ishte dyfish dhe kushtet më të lehta. Pala tjetër brenda BG&R më nisi kopjen e spekulimit të Fazlliçit dhe më shpjegoi se kjo nuk ishte e vërtetë, por Fazlliç ishte duke bërë presion mbi qeverinë e Kosovës, se, nëse nuk firmosnin paratë, ai do lidhej me serbët.
Ishte e rëndë për Berishën, se ishte njeri popullor në Kosovë. Nipi i Stanisiç po bënte presion ndaj qeverisë së Rugovës, ku kishte hyrë me kartëvizitën e Berishës. Ja nisa me e-mail Berishës kontratën tip të Damirit me zëvendëskryeministrin serb. Nuk pata asnjë përgjigje. Nuk e kishte hapur fare për tri ditë. Kur befas kontrata u botua në “Gazeta Shqiptare”. U trondita thellë, pasi i vetmi person që e kishte në e-mail isha unë dhe Sali Berisha. Pyeta sekretaren e tij se kush e hapte e-mail-in [email protected] Më tha që vetëm ajo dhe ndonjë këshilltar i marrëdhënieve publike. Më përmendi Sejaminin si më të mundshmin. Nuk pyeta më.
Atë ditë në mbrëmje isha në debat në TV “Klan” me Edi Ramën. S’kisha qenë kurrë në debat me të dhe kisha frikë se do bëhesha nervoz.
Debati nisi në mënyrën më të paparashikuar për mua. Edi Rama po ashtu kishte në dorë marrëveshjen e BG&R me Serbinë, dhe e nisi debatin me të. E ndërpreva pa takt dhe nisa të shpjegoj që është një mashtrim. Berisha vetë ishte hutuar nga shpjegimi im dhe pas debatit më tha se “ku i dija të gjitha ato”. I thashë se ia kam nisur me e-mail, por ka përfunduar te “Gazeta Shqiptare”. Nuk më dha kurrë një shpjegim për këtë, edhe pse e kuptoja sikletin e tij.
Dy ditë më pas i shkova në zyrë dhe i çova atë që mund të quhej dosja “Fazlliç”. Ishin një tufë shkrimesh në shtypin boshnjak dhe serb që e akuzonin për mashtrime financiare, lidhje me Legijan që ka vrarë Xhinxhiçin, por ndonjë mendjelehtë e akuzonte dhe për spiun britanik.
U kap te kjo e fundit.
– Janë mendje të mbyllura, – tha. – Nuk e shikon që i thonë spiun britanik?!
– Jo të gjithë, – i thashë. – Vetëm një. Të tjerët i thonë hajdut dhe vrasës.
– Mos i merr seriozisht, – tha.
E kisha harruar Damir Fazlliçin, dhe pse më shfaqej shpesh në bulevard, dy hapa para kunatit të Lulëzim Bashës, i cili ndërronte vazhdimisht makina me mbi 100 mijë euro. Një ditë, në vitin 2006, aty nga fillimi, m’u shfaq përballë dhe më tregoi se kishte sjellë Tom Ridge si këshilltar të Berishës.
– Do t’i bie dhe Klintonin, – tha, – nga fillimi i janarit 2007.
– Shumë mirë, – i thashë dhe u ndava me të.
Në verën e vitit 2006, një ish-mik i Fazlliçit, pjesëtar i BG&R, Hank Jones, vjen në Tiranë me një biznesmen grek. Kërkonte njëfarë studimi mbi hidrocentralet mbi Vjosë. Më kërkoi disa takime me kryeministrin dhe ministrin e Energjitikës. Berisha i priti shumë mirë dhe i çoi te Bojaxhiu. Ky po ashtu i priti mirë dhe vendosën të flisnin konkretisht, kur ata të nisnin studimin.
****
Kur Olldashi humbi thellë, Fazlliç m’u zhduk nga sytë bashkë me amerikanët e tjerë. Për disa ditë kisha ndjesinë që, nëse më dilte para ai ose Basha, mund të humbisja kontrollin. Por ai s’më doli më. Dhe rrallë e më rrallë e shihja. Nga mesi i vitit 2007, zakonisht rrinte te “Sheraton” me Sejaminin, një këshilltar të Berishës, dhe sa herë gjendej këtu dhe Tom Ridge. Dukej që i kishin punët e tyre në rregull. Ishte koha kur Shkëlzeni po ashtu filloi të shpeshtojë qëndrimet në “Sheraton” me Fatmir Mediun. Ishte një kohë në pranverë të vitit 2007 që rrinin thuajse bashkë natë e ditë dhe zbrisnin nga e njëjta makinë. Ishte një kohë që Fazlliç dukej i qetë dhe me punët në terezi. Është koha që tashmë shikoj se ai ka mundur të shesë një kompani pa asnjë bilanc, pa asnjë aset dhe pa asnjë veprimtari financiare, 1 milionë e 750 mijë euro një kompanie fantazmë në Qipro që përfaqësohet në Shqipëri nga bashkëpronarja e studios së Argita Berishës, Flutura Kola. Ishte vërtet kohë e mirë për të. Që atëherë s’e kam parë më…
Anët e errëta të njerëzve të angazhuar në fushatën e Berishës në 2005, sipas Bazes: “Nëse ngeleshe vetëm me ta, tregonin histori të tmerrshme kundër njëri-tjetrit dhe tregonin për spekulime financiare…”
“Shefin e BG&R e gjeta në dhomën e Damirit të skuqur… Më tha që i ishte prishur dushi”
Erion Habilaj
Më poshtë janë disa pjesë nga intervista e Mero Bazes në numrin e parë të DITA-s, pas daljes së një artikulli në revistën amerikane The Neë Republic që fliste për këshilltarin e fushatës së kandidatit aktual për president Mit Romney dhe eksperiencat e tij të mëparshme, ku përfshihej edhe ajo shqiptare me PD-në në fushatën e 2005-s që solli Berishën në pushtet.
Z.Baze, ju në fushatën e Berishës në 2005 çfarë mbuluat?
Unë në atë fushatë mbulova medien dhe koordinimin e debateve në TV.
Në median amerikane ka një artikull kritik ndaj strategut të fushatës aktuale të Mitt Romney-t, Stuart Stevens Përmendet si një figurë që ka mbështetur udhëheqës autoritarë. I përmendet edhe fushata e PD-së në vitin 2005, ku ju keni qenë pjesë. Si u arrit të kontaktohej me Stuart Stevens nga PD në 2005?
Stevens ju bashkua BG&R nga Marsi i 2005. Ai u përfshi fillimisht me disa ide në organizimin e Kuvendit të PD-së në Prill të 2005, në imazhin e sallës dhe mënyrën e paraqitjes së fjalimeve. Gjatë fushatës u angazhua në prodhimin e spoteve. I bëri spotin për KOP, spotin për Berishën dhe Topallin si dhe disa spote negative mes të cilëve spotin për Fatos Nanon, Benz-in e falur dhe pjesëmarrjen në buzuk ditën e tragjedisë. Fazlliçi e paraqiti tek Berisha si arritje të vetën, por në fakt ai ishte thjesht një bashkëpunëtor i njohur nga shefi i BG&R, Leni Grif. Ky e kishte dobësi Damirin.
Dobësi..?
Kam pasur një rast që ka qenë delikat, kur një mëngjes në “Sheraton”, duhej një deklaratë nga ekipi i [email protected], të cilën duhet ta shkruaja unë. E shkruajta në shqip tek një kompjuter aty tek korridori mes restorantit dhe hollit, ju përkthye Stevensit në anglisht, ra dakord dhe duhet ta lexonte Leni para medies. Por Leni nuk po gjendej në dhomë të tij dhe ndërkohë nuk kishte zbritur ende poshtë. Stevens u bë shumë agresiv dhe i tha dikujt nga ekipi; “shqyej dhomën e Damirit, se aty e ke!”. Prej andej doli vërtet i skuqur dhe kërkoi ndjesë se i ishte prishur dushi i tij dhe kishte bërë dush tek dhoma e Damirit. Ishte hera e parë që dëgjoja të shara dhe fyerje mes ekipit. Deri në atë moment i kisha marrë seriozisht.
Nuk ishin serioz si ekip ?
Nuk ishin ekip, ishin individ. Stevens ishte një prej tyre dhe i talentuar për punën e vet, por arrogant dhe mospërfillës për të tjerët. Një tjetër vdiq gjatë fushatës nga overdoza, dikush bëhej xheloz për afërsinë e madhe të Damirit me Lenin, shefin e tyre. Nuk i pashë kurrë të punonin në ekip. Tregonin histori të tmerrshme kundër njëri-tjetrit dhe disa skandale me fushatën kundër Baseskut në Rumani. Pastaj një prej tyre fliste për lidhjet e vajzës së rivalit të Baseskut me ta dhe lidhjet me Romanpetrolia. Nëse ngeleshe vetëm me ta të shanin njëri- tjetrin dhe të tregonin për spekulime financiare…
Në shkrimin e “The New Republic” thuhet se Stevens i është rekomanduar Berishës nga Damir Fazlliç…
Fazlliç vinte nga disa lidhje politike nga Bosnjë-Hercegovina, nga ekipi i vjetër i Izetbegoviçit, kishte një histori të tërë tentativash për t’u përfshirë në biznese privatizimi dhe letrash me vlerë në Bosnjë dhe Serbi, nga të cilat kishte dështuar. Kishte lidhje shumë të afërta me Leni Grif, një nga shefat e BG&R, të cilit i siguroi më pas punë dhe në tregun serb. Kishte punuar në vitin 2004 me tregun e energjisë në Kosovë, kishte njohur vajzën e Berishës dhe kishte krijuar disa lidhje me dy ministra të qeverisë Rugova-Haradinaj, që i kishin ofruar ndihmë. Fazlliç realisht ishte njeriu që lëvizi telat që PD të kërkonte ndihmë në Uashington për të kontraktuar BG&R. Kontaktet pastaj ishin çështje teknike, por pas tyre qëndroi Fazlliçi. Kur shkuam në Uashington, për marrëveshjen, e kuptova qart që ai ishte “sekseri”, sidomos i pagesës.
O Mero une nuk kuptoj se cfare brumi je ti !
Thua qe ti ishe ai qe mbulonte PDne shtyp dhe TV .
Thua diku tjeter qe Berisha konsultohej me ty se ke do vinte minister !
Me keto qe ke thene une kuptoj qe kini dhjere ne nje poce dhe kur I prishet pazaret u sulet kunder njeri tjetrit dhe perfundimi dihet ai maloku ishte me I forte dhe te perveloi .
Sejamini ose ndryshe balta e rehoves.