Dante, Shqipëria dhe Kadare

Ornela

Bedri Islami

Që në momentin e parë, kur njeriu nis të mendojë për jetën e përtejme, atij, pashmangshëm, i bie ndër mend Dantja, poeti fiorentinas, i dëbuar prej saj dhe i ngashëruar prej mallit. Mësuar gjithnjë ta shohë në portretet e hershme me kurorën e pazbërthyer mbi kokë, ai, njeriu, nuk e di nëse ajo kurorë,  është e ardhur nga parajsa, apo pjesë e purgatorit, pa i shkuar kurrë në mendje se në hapësirën e përtejme, pjesa më e madhe i takon Ferrit.

Ka një lidhje të habitshme, do të thoja, çmendurisht të habitshme, mes së Panjohurës së madhe dhe poetit fiorentin Dante; ai është hapësi më i madh, më i shkëlqyeri patjetër, i portave të Hadit dhe krijues tjetërlloj i tij, një univers i strukturuar mirë, pasi, si vendos Kadareja në rreshtat e parë të librit të tij,  “DANTJA I PASHMANGSHËM”, dhe këtë e bën përmes një ese-je tejet të shkëlqyer, “Planeti ynë është tepër i vogël për ta bërë të shmangshëm Dante Aligierin”.

Dashje pa dashje, por përmes gjenialitetit të mahnitshëm, Aligieri krijoi perandorinë e tij të pashoqe, ireale të thelb, por lehtësisht të besueshme, çoroditëse dhe mrekullisht të organizuar; tronditëse dhe joshëse njëkohësisht, marramendëse dhe soditëse, të sinqertë dhe cinike; mbi të gjitha ai krijoi zgjerimin e hapësirës njerëzore në një përmasë të paparë. Askush tjetër nuk e kishte bërë këtë para tij dhe askush tjetër nuk mund ta ribëjë. Në pikun e Mesjetës ai solli iluminizmin, në terrin e së panjohurës ai bëhet dishepulli i parë i dritës, përmes tercinave të tij krijoi një muzikë që ndjek vazhdimisht emocionet, në muzgun e latinishtes ai solli agsholin e italishtes tingëlluese, paqëtuese dhe, si do të shkruante më pas Aleksandër Dymas (plaku),  gjuhën e lindur për dashuri.

Asnjeri nuk e di me saktësi të së cilës natyrë kanë qenë marëdhëniet e Dantes me njerëzit, por i ka dashur me shpirt dhe ndjenjë; me qytetin e tij të lindjes, që kurrë nuk ia fali dëbimin; çfarë acarimi ka pasur, ose më tej, çfarë kishte ndodhur mes poetit dhe qytetarëve fiorentinas, cila gjë e turbullt ka qëndruar mes tyre si një pezm i rëndë? Ashtu si  në secilën përplasje, edhe ajo  ka dy anë, jo vetëm mes poetit dhe qytetit të tij, por edhe mes të hapurës e të fshehtës, mes asaj që dihej dhe asaj që mbetej mister, enigmë përvëluese dhe gjithë ankth, i cili, duke qenë i lidhur me poetin, nuk është një ankth i zakonshëm, por shekullor. Askush, ende sot, sado që kanë hulumtuar mijëra njerëz, adhurues apo të zemëruar me poetin, ndonjë prej tyre, si Niçe,  do e quante gjithë pezm dhe paarsyeshëm, “hienë varresh”, nuk e di, atë, të vërtetën e fshehur me kujdes, arsyen e dëbimit të poetit, një e fshehtë shumë shekullore, që ende sot është e mbuluar; arsye e humbur, që mund të kishte qenë tragjike, por edhe meskine. Një qytet modern i kohës, Firence,  i dashuruar me artin, sinonim i tij, vërtet të ketë pasur një shkak kaq madhor, zemërim të papërmbajtur, mëri homerike, që kurrë nuk u shuajt, as nga mrekullia e hapësirës së madhe poetike e bashkë me to edhe një perandori tre katëshe, e pashoqe nga mendja,  e furishme nga idetë, e pasosur nga njerëzit dhe e mrekulluar nga poetët?

“Komedia” e Dantes, që më pas, nga adhurimi i Bokaçios, mori përfundimisht përcaktimin “Komedia Hyjnore”, deshën apo jo dëbuesit, të vërtetë apo të rrejshëm, do të jetë më e lartë se maja e malit Arafat, maja e të cilit nuk u zhyt nga përmbytja e Noes. Qyteti i famshëm ndërmori hakmarrjen e tij, ende të pashpjeguar, por ajo ishte një hakmarrje e çastit, pra vulgare, ndërsa hapësira e gjërë poetike e Dantes ishte, si ndodh me të gjithë poetët e mëdhenj, hakmarrja inteligjente, pra e përjetshme.

A do të kishim një “Komedi hyjnore” nëse nuk do të kishte ndodhur dëbimi i poetit? Askush nuk e di, por, edhe nëse nuk do të kishte qenë kjo, hapësira e Dantes do të ishte domosdo.

Fati i poetëve të dëbuar, shpesh herë, ka qenë i njëjtë dhe tragjik, ashtu si ka qenë edhe fati i poetëve të mërguar nga dhuna dhe pesha e rëndë e shtetit. Ndryshe nga sa mund të mendohet, diktaturat e kanë gjithnjë në shikimin dhe mllefin e tyre artin e madh, dhe kjo ka ndodhur në të gjitha kohërat. Aq më tepër në kohën tonë, kur zhvendosja e krimit ishte gjë e natyrshme, kur kërkimi i një Jude nuk ishte i vështirë, pasi gjendeshin në tregun e lirë të shitjes, kur duhej rritur domosdo koncepti i luftës, duke shuar konceptin e luftëtarit, dhe ku paqja duhej njësuar me luftën.

Dante ishte poeti i dëbuar. I pafalur. Ikanak dhe ëndërrimtar, dashurues i pashpresë dhe humbës i madh. Nëse Zoti, në gjashtë ditët e krijimit, bëri qiejt, tokën, yjet, ujërat, kopshtet, gjallesat, gjithçka që thuhet në Librin e Shenjtë, ai, Dante, stërmundimshëm, ngriti një botë tjetër, të panjohur, enigmë e përjetshme, të cilën e zhveshi poetikisht nga misteri, e ringriti, bëri kthinat e saj, rruginat, zjarret, u dha frymë të pafrymëve, i lartoi si deshi dhe i ngurosi sipas dashjes së tij, i dërgoi në një pasjetë të lumtur apo një ferr djegës dhe të përjetshëm; gjithnjë sipas shikimit të tij, të ikur nga kjo botë para mijëra viteve apo ende shëtitës në mbitokë; nuk kurseu askënd, as Uliksin dinak e Diomedin bashkëkrijues të tradhtisë, bredhës të pacak  e të  palodhur, Homerin me një jatagan në duar, profetin Muhamet, poetët e lashtësisë që nuk kishin pasur mundësinë të ishin të krishterë, filozofë, ndërton fenomene të mrekullueshme, legjenda të krijuara nga vetë ai që maten me ato tek Iliada, Odiseu apo Eneida, pushtetarë dhe gjykatës, e , si për të dashur të qetësonte gjithçka përmes dashurisë, dërgoi Beatriçen në Parajsë, si të dërgonte ëndrrën e tij.

Por, nëse qytetit të famshëm, Firences vezulluese, mund t’i  ikësh, me Danten ndodh ndryshe, pasi, “Asnjë vepër tjetër letrare nuk e ka ndërgjegjen njerëzore, më saktë, krusmën e saj, në qendër të vet”.( Kadare)

Shpesh herë poetët apo tragjedianët kanë qenë të pakuptueshëm në kohën e tyre. Nganjëherë të dëbuar, si Ovidi; të dënuar me vetëvrasje, si Seneka, apo edhe më herët në kohë, si ishte urrejtja e bashkëkohësve për Euripidin. Legjenda thotë se Euripidi pati një vdekje makabre: e shqyen qentë në oborrin e Arklaut, mbretit maqedonas.

Profetët e mëdhenj, po ashtu, shpesh herë kanë qenë të përndjekur dhe të persekutuar. Edhe pas vdekjes. Si ndodhi me dijetarin e madh shqiptar, Pjetër Bogdani, udhëheqësin e kryengritjes shqiptare kundër turqve në shekullin e XVII, i varrosur me veshjen episkopale në një kishë të Prizrenit. Turqit, pasi thyen kryengritësit, hapën varrin e tij dhe kufomën ua hodhën qenve. Pjetër Bogdani, me siguri, ka qenë një njohës i madh i Dantes, jo vetëm nga që kishte një kulturë të gjërë dhe ishte humanist i shquar, por vetëm shkollimi i tij kishte kaluar nëpër botën latine.

Bota e përtejme, Hadi i vjetër, si e quajtën fillimisht helenasit e lashtë, mbetet enigma e përjetshme e njerëzimit. Natyrisht nuk do të jetë si ajo e sjellur nga Dante dhe e besuar nga brezat. Është e fshehta e pasosur. Njerëzit kanë dashur gjithnjë të dinë se çfarë ndodh “atje, përtej”, si ngërthehet e mëpasmja, në cilën gjendje do të jetë njeriu, rruga është pa kthim apo do të ketë një dalje tjetër, në një vend të çfarëdoshëm; si do të jetë njohja përmes shpirtrave, do të jemi vërtet gjithmonë e gjithkund apo “komedia mbaroi”?

Herodoti, tek “Historitë”, sjell gojëdhënën për mbretin Rampsiniti, për të cilin priftërinjtë thonin se deri në mbretërimin e tij, Egjipti kishte pasur rend të përsosur dhe ishte një vend shumë i begatë, por që,  pasardhësi i tij, mbreti Keops, ai i piramidës së njohur, e rrëgjoi në skamjen më të frikshme, gjë që, si duket, ndodh me të gjithë diktatorët e dashuruar pas piramidave. Në gjalljen e në vdekjen e tyre.

“Gjëja tjetër që bëri Rampsiniti, sipas priftërinjve, ishte zbritja për së gjalli në atë vend që helenët e quajnë Hades. Aty luajti me zare me Demetrën. Ca loja i fitoi, të tjera i humbi, pastaj u kthye sërish sipër me një peshqir të artë që ajo ia kishte dhuruar… Egjiptianët thonë se sovranë të mbretërisë së nëndheshme janë Demetra dhe Dionisi. Egjiptianët ishin të parët që shpallën se shpirti i njeriut është i pavdekshëm”.

Zbritja në atë “botë” dhe kthimi , ka qenë njëra ndër ëndrrat joshëse të botës së letrave dhe legjendave, që, edhe nëse ka nisur me një mbret egjiptian, më të mirin e mundshëm, nuk ka mbetur vetëm me të. Në Had do të zbresin përgjithësisht zotërit e tokës dhe të luftës, si Uliksi, një perëndi si Budha, por edhe një Qeros, hipur mbi shkabën e uritur, të cilës do i japë mish nga trupi i tij për të dalë në dritën e mbitokës.

Më i legjendshmi prej tyre, Konstadini i baladës së njohur, do të ringrihej nga varri për diçka sublime dhe njëkohësisht të natyrshme tek shqiptarët, por pak të kuptueshme për të tjerët: të mbajë fjalën e dhënë, besën, çka e nis atë në një rrugëtim të përbashkët, i vdekuri me të gjallën, vëllai dhe motra, e pastaj, si të ishte një ritual i zakonshëm, të rikthehej në vetminë e tij të përjetshme.

Edhe te poema ENEIDA, në librin e X, Eneu zbret deri në fushat e Elizesë, përtej kolonave të Herkulit. Ai flet me hijet e mëdha të Akilit, Tirezias; sheh vegimin e nënës së tij dhe përpiqet ta përqafojë, megjithëse të gjithë janë në një botë tjetër.

Tundimit të ndërlidhjes së botës, të këtejshme dhe të përtejme, nuk i ka shpëtuar as Gëte. Në pjesën e dytë të “Faustit” ai shkon më tej, bashkon botërat. Fausti martohet me fantazmën e Helenës në Had dhe prej tyre lindi Euforbi, për të cilin studiuesit mendojnë se është një alegori për Bajronin.

Gëte ishte një ndër mendjet më të shquara të të gjithë kohrave, por kjo nuk e pengoi të krijonte një aliazh fantazmagorik, më shumë shpirtëror dhe mistik, çka do të ndodhë edhe me njerëzit e fillesës së civilizimit.

Në disa fise të Siberisë ekziston besimi se njeriu mund të ketë jo vetëm një, por disa shpirtra. Indianët autoktonë të Amerikës besonin në ekzistencën e dy shpirtrave. Në Tibet, po ashtu. Si duket, dëshira është e papërmbajtshme dhe gjithëkohshme; askush nuk ka shpëtuar prej saj dhe askush nuk është ngushëlluar nga padija.

Vetë Kadare, në një libër tjetër të tij, “Ura me tri harqe”, e risjell këtë motiv ngashëryes, motërzimin e jetës dhe të vdekjes, “…i shpjegova se gojëdhënat dhe baladat e këtyre anëve flisnin kryesisht për atë ç’ka i ka trazuar më së shumti njerëzit e të gjitha kohrave, ndarjen e njerëzimit në dy rrëmete të mëdha: të gjallët e të vdekurit. …Sepse, gjer më sot, që andej s’ka ardhur asnjë dëshmi, asnjë kumt. Dhe njerëzit e këtejshëm, duke mos e duruar dot këtë ndërprerje, këtë moskapërcim, thurnin balada kundër pengesës…në këtë këngë flitej për të andejshmit, domethënë të vdekurit, që vijnë këndej përkohësisht… për pak kohë, zakonisht një ditë, për të përmbushur një peng që u kishte mbetur, a një premtim që s’e kishin mbajtur”.

Hadi ishte prej kohësh që nuk mbahet mend pikëpyetja e botës!

Dante do të ishte i pari që e bëri të prekshme. Hapësirë pa emër, por me ngastra të stërmëdha të rrethuara qartë. Parajsa, Purgatori dhe, më ngashëruesi, Ferri. Gjithësi kumbuese.

Kadare ndalet në gjithë këtë perandori duke e lidhur atë me vendlindjen. Nga njësia universale, “gjendjet” e krijuara të Dantes, në “ gjendjet” e vendit të tij. Lidhshmëritë e mundura dhe të pamundura. Ndërprerjet. Mundimet. Moskuptimet e mëdha dhe ngashërimet. Mjegullimet dhe dritëzimi i përkohshëm. Dyshimi dhe vdekja, më pas rilindja dhe kombi. Koha dhe paskoha. Katrahura dhe imazhet. Çfarë e lidh poetin e madh me një vend të vogël, që rastësisht ndodhet në bregun përballë dhe ku, si askund tjetër, gjuha e Dantes fillon e bëhet si e “shtëpisë”. Në cilat kohëra ai ka qenë më i “përkëdhelur” dhe kur ka qenë i huaj, i largët e ndoshta, i padëshiruar.

Përkimi i përbashkët mes kumteve shqiptare të rikthimit dhe poemës madhështore, bota e përtejme, e përthyer nga hyrjet e daljet e përsonazheve, dialogjet e habitshme, amanetet – kujtoni në këtë rast momentin e flijimit të Rozës në kalanë e Shkodrës… më lini jashtë dorën e djathtë, syrin, gjirin… si një vazhdë e bashkëjetesës, nëse mund të quhet kështu, të të vdekurit me të gjallin.

Ajo që ndodh në poemën madhështore përsëritet pavetëdijshëm në baladat dhe rrëfenjat e lashta shqiptare, pa e ditur asnjëra për tjetrën, por nga vrungulli i brendshëm, nga plagët që përvëlonin si diej pikërisht nga mosdija e së nesërmes së vdekjes, por edhe më tej se kaq, nga stërpikja e përbashkët e legjendave dhe pasioneve, të cilat ishin afruar bujarisht, pa ndjenjën e mërisë dhe të zemërimit.

Për një ballkanas, veçanërisht për një shqiptar, riardhja në këtë botë nga një e përtejme, për të kryer një amanet, për të mbajtur një fjalë të dhënë, për të dhënë një dëshmi, qoftë në formën e tyre fillestare apo si zanat e shtojzovallet, ishte e kuptueshme. Një popull që betohej mbi gur dhe kishte të përbashkët besën, “pasha njat diell”, pikërisht atë diell të cilin Homeri i zemëruar desh ta dërgonte në Had, për të ndriçuar vetëm ata nëntokë, e kishte të natyrshme të mbështetej në jetën e tij të përditshme edhe në atë që ishte poshtë këmbëve të tij, në botën tjetër, të panjohur, por të pranuar, jo vetëm si mosqënie, por edhe si afërsi, si ardhje përmes kumteve, amaneteve, lajmeve, që niseshin nga anë e anës përmes zogjsh, resh a mjegullave; që kishte të njëjtin nderim për veten, ashtu edhe për hasmin e tij, të cilit, edhe në momentin e përcjelljes së fundit, të porsavrarë nga vetë ai, ishte i detyruar të shkonte në përcjelljen e fundit, të hante bukën e dekës, të pinte ujin e largimit dhe të hidhte mbi varr një grusht dhé, nuk mund të mos kishte në të njëjtën kohë edhe linjën e komunikimit shpirtëror me të larguarit e pakthyer kurrë më.

Kadare e nis rrëfimin e tij, këtë histori të shkurtër të Shqipërisë me Dante Aligierin, jo vetëm duke sjellë përkitjet e përbashkta, por edhe shtjellimet e pazakonta kohore; ai gjen, me të drejtë, kujtimet, dertet e hallet që kanë të larguarit e vendit të tij me ato të poetit të shquar; në të dy rastet, të gjendurit në një botë tjetër e kanë mendjen në sipëranën e saj, duan të dinë se çfarë ndodh, çfarë bëhet, si lëvizin gjërat; në botën shqiptare përkitjet janë gjëra të ditës, të zakonshme, falmeshëndet nënës, kujdes kaun e shtëpisë, lutje korbave të mos ia hanë sytë… nga muri do të ngjitem, ta di se do të vritem… Konstandini i vdekur, ç’bën tre vjet pa tretur…; ndërkohë bota danteske është me përplasje të mëdha, gjërat shtjellohen në rrotullime vigane, përplasjet janë më të mëdha se askund, ndoshta edhe nga sa mbi tokë, por, gjithësesi, janë njerëzore. Nga treva ballakanase e Shqipërisë ata zbresin drejt ferrit e parajsës si të uleshin nga shkallët e një amfiteatri vigan malor, bashkë me rrjedhat e lumenjve dhe përrenjve; ndërsa tek Dante, ata janë në tregimin e pafund të poetit tjetër, Virgjilit, që merr përsipër t’ia tregojë Dantes se çfarë ndodh në botën e së panjohurës. Nëse në baladat shqiptare të Gjeto Bashë Mujit, i vëllai, nën tokë, i ankohet Mujos si shkinakët po i dhunojnë varrin, si ia shkelin me këmbë, pikërisht atij, që desh u bë dhëndërr i tyre, duke marrë Tanushën e Krajlit, tek Dante ndodh diçka e ngjashme, Uliksi mes flakëve kërkon të ankohet për vuajtjet e tij pafund, pikërisht se, si aspak luftëtar, përdori dredhinë e tij të kalit – dhuratë, për të djegur Ilionin.

Kadare i ka pasur për zemër gjithëherë këto përqasje, edhe më heret se tek “Autobiografia e popullit në vargje”, e natyrshëm, si nën një ajër tingëllues baladash, ai sjell përafrimet, momentet kur ai mund të bëhej i njohur në strallet e shkrepëtuara të vendit të tij, rreziqet dhe përkimet, ndalimin e tij dhe riardhjen, lëvizjet e herë pas hershme të poetit në botën shqiptare; njëkohësinë e tij me epokën skënderbeiane, pikërisht atë që do të bëhej njëra nga mburojat e para të Perëndimit, çka do të thotë edhe të Dantes, zemërimi ndaj të cilit do të ishte edhe më i tmerrshëm, nëse osmanët do të lidhnin kuajt e tyre nën Katedralen e Shën Pjetrit dhe, kur  befas, nga një përkthyes i rëndomtë, do të zbulonin se profeti i tyre, Muhamet, ishte vendosur nga poeti në radhën e tetë të Ferrit.

E vështirë të merret me mend mllefi osman ndaj poetit fiorentin, ndaj të cilit, edhe pas vdekjes do të kishte një Fatva, e jo vetëm kaq, librat e tij do të ndiqeshin përbindshëm, do të digjeshin nëpër turrat e mbarë botës së krishterë, për të mos mbetur prej tij asnjë gjurmë a fërkem.

Jo rastësisht, Kadare,  sjell këtë përkim të parë mes poetit dhe Shqipërisë, mes vargjeve, që mund të quheshin satanike dhe, një ushtrie të krishterë nga vendi përtej detit, ku do të ishin edhe shumë bashkëkohas të Dantes.

Dante i pacenuar është më i plotë dhe askurrë nuk do të mund të ankohemi për të pagjeturat e poemës së tij, ashtu si trishtimi për humbjen e tragjedive të Eskilit qëndron ende pezull mbi botën e letrave. Harresa, ka edhe ajo virtytet e saj, por në këtë rast do të kishte mbi vete mëkatin e pafalshëm të zhdukjes, për të cilin poeti do të dërgonte menjëherë në rrethin e nëntë të Ferrit, sa më larg dhe më e zjarrtë të ishte e mundur.

Nëse kjo nuk ndodhi, pra, nëse kultura madhështore e vendit fqinj dhe përgjithësisht kultura perëndimore, nuk u dëmtua apo nuk u gjymtua, edhe Epiroti i madh, i dyzuari, Gjergj dhe Skenderbe, ka hisen e tij të meritës, pasi, duke qenë “mbrojtës i Europës” dhe “Atlet i Krishtit”,  ai ishte në të njëjtën kohë edhe mbrojtës i monumenteve të saj, njëra nga të cilat është pikërisht “Komedia Hyjnore “ e Dantes.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *