Një familje stomatologësh në Tiranë. Si është trashëguar nga Dr. Naimi tek të bijtë: Floriani dhe Erilda. Sfidat e një fushe që kërkon punë për çdo ditë…
Ai nuk e kishte menduar kurrë që një ditë do të fliste nga ky pozicion. I stomatologut, me dy fëmijë që ndjekin të njëjtën rrugë. U ka dalë për mirë. Dr Naimi ka gati 30 vite që ushtron stomatologjinë dhe sot ka për “kolegë” të bijtë: Florianin (28 vjeç) dhe Erildën, 25.
Kujton se nuk e ka menduar asnjëherë që do të bëhej dentist. Në Dibër, qytetin e lindjes, pasi kishte mbaruar shkollën mesme, i doli e drejta e studimit në këtë degë. Nuk kishte se si ta refuzonte, madje duhet të ndihej i privilegjuar, pasi kuotat ishin të pakta. Kish qenë një nxënës i shkëlqyer dhe çfarëdo t’i kishin ofruar, do e kishte përballuar lehtë. Sapo iu fut mjekësisë dentare, iu përkushtua me mish e me shpirt. Studimet e larta i kreu në Tiranë, ndërsa emërimi i parë erdhi në …Bulqizë. Dhe jo vetëm aty. Lëvizi nëpër rrethe, ashtu siç e donte koha.
Bisedës tonë me Dr. Naimin iu bashkuan edhe dy të rinjtë. Ata i vënë veshin fjalëve të të atit dhe vënë buzën në gaz herë pas here. Kështu, biseda bëhet më e ngrohtë. Dhe dihet nga nis ajo: te emërimi i parë, në vitin 1978, te e famshmja Bulqizë. “Më pas bëra një specializim dhe emërimi i radhës mu bë në Peshkopi. U bënë 15 vjet që jam shkëputur prej andej, pasi fillova punë në Tiranë”-tregon ai. 90-ta edhe era e ndryshimit, ndryshoi shumë gjëra edhe për profesionin.
Në një moment të caktuar, Z. Xholi tregon se bëri një lloj analize: në ç’pikë kishte arritur dhe ku mund të jepte maksimumin. Zgjodhi Tiranën dhe sot ai ka një klinikë dentare 15-vjeçare. Lëvizjen e bëri jo vetëm për vete, por më së shumti për fëmijët. Kishte ardhur momenti kur kuptoi se ata do të ishin stomatologët e rinj të familjes.
Flori, ashtu si Erilda kanë përfunduar shkollën e mesme në kolegj, ndërsa të lartën për Stomatologji. Sot janë të dy të specializuar në Itali dhe të licensuar. Para se të vazhdonin studimet e larta, atyre u është dukur se në fakt një lloj shkolle më parë e kanë kryer,atë pranë familjes. U rritën në një mjedis ku flitej vazhdimisht për dhëmbë e problemet e tyre, e për më tepër shoqëronin shpesh të atin në klinikë.
Naimi është shumë i kënaqur për rezultatet dhe dashurinë që ata kanë për punën. Tregon se Flori ka përfunduar masterin për impiantologji, ndërsa Erilda ortodonci.
Ndodh që nxënësi bëhet më i mirë se mësuesi. Ka ndodhur edhe kështu me ju?
Është e vërtetë. Kësaj logjike i bindem. Më kënaqësi i dëgjoj dhe i vlerësoj. Për kaq vite sa kanë fëmijët kanë në profesion, mendoj se kanë ecur mirë. Këta po evoluojnë, janë me tri-katër gjuhë, shfletojnë biblioteka online, mundësitë i kanë. Në kohën tonë, nuk kishim mundësi të merrnim një libër sepse i tillë ishte sistemi. Këta mund të nxjerrin materiale nga “thellësitë”.
Ka ndodhur ndonjëherë që t’ju kapin “mat”?
Po. Dashje pa dashje e reja triumfon. Ne duhet t’i bindemi kësaj ligjësie. Për ne shumë gjera kanë qenë utopi, për sa i përket ndërhyrjeve. Ndërsa tani nuk janë më.
Për shembull?
Po ishte utopi të mbushje një dhëmbë me tre kanale, ndërsa tani është arritur në perfeksion kjo gjë. Shërbimi që bëhet në vendin tonë nuk bënë dallim me një shërbim që mund të marrësh në një vend tjetër: Amerikë, Itali. Sigurisht që varet edhe nga klinika.
Dr. Naimi, a ka ndryshuar diçka në aspektin e mirëmbajtjes së dhëmbëve?
Ka përmirësime të ndjeshme. Unë e them shpesh, është më e lehët ta parandalosh se sa ta ndalosh diçka. Nëse më parë, pacienti vinte tek mjeku stomatolog vetëm kur i dhembte dhëmballa, sot jo. Me kalimin e kohës shoqëria është vetëdijesuar. Ne nuk duhet të shkojmë në Evropë vetëm me dy tre pallate, por edhe me një mendësi tjetër. Mjafton që ka një nisje për mirë.
Po vetë stomatologët janë përditësuar me teknikat e reja?
Mendoj që po. Ndjekin konferencat, dalin jashtë, bëjnë specializime. Po të kesh dëshirë, gjithçka bëhet.
Veglat dhe materialet që përdorni kanë ndryshuar?
Patjetër. Po të vijë një dentist i atyre viteve dhe ta futet në një studio që punohet tani, ai ndoshta nuk do e kuptojë se ku gjendet. Kaq shumë ka ndryshuar.
Në profesionin tuaj dhe në marrëdhënie me fëmijët, kë keni mbajtur më shumë afër nga të dy, djalin apo vajzën ?
Në fillim,kam pasur merak djalin se ishte më i rritur dhe mendoj që vetëm ai do e trashëgonte profesionin. Por, më vonë punova edhe me vajzën. Para se ata të bënin shkollën, kishin bërë një lloj përgatitjeje në familje, ku ishin nxitur për t’u dentistë. Rastësia mund të jetë mbret i botës, por jo në këtë rast. Gjatë gjithë kohës ata nuk kanë menduar për gjë tjetër veçse të bëhen stomatologë. Pra në ndërgjegjen e tyre ishte skalitur që, do të bëheshin të tillë.
Po, bashkëshortja juaj i është futur stomatologjisë?
Jo, ajo ka mbaruar për ekonomi dhe ka punuar në profesionin e saj. Tani është në shtëpi.
Si ndihet ajo mes stomatologësh?
Është më se e kënaqur, por dhe ajo është bërë pak stomatologe , megjithatë ne përsëri jemi më shumë (qesh)…
***
E specializuar në ortodonci
Erilda: Është art të komunikosh me fëmijët
Zgjedhja e parë ishte stomatologjia. Nuk kisha menduar asgjë tjetër. Ishte kultivuar tek unë qysh herët. Tani po specializohem për Ortodonci, një degë e specializuar e stomatologjisë që merret me diagnostifikim, preventim dhe korrigjim të parregullsive të nofullës-dhëmbëve”-tregon e bija e Dr. Xholit. Duket një mjeshtre në komunikim me fëmijët. “Punoj shumë më fëmijët. Kam një komunikim të mirë me ta. Kur vijnë në klinikë, u duhet shpjeguar çdo gjë me fjalë sa më të thjeshta. Gjithçka e lidh me filmat vizatimorë dhe personazhet e tyre.”, pohon ajo. Është e mendimit që kontakti i parë i fëmijës me stomatologun është shumë me rëndësi për mirëmbajtjen e dhëmbëve më tej. Si mendon ajo për ata njerëz që e kanë fobi dentistin? Thotë se tani nuk ndodh më kjo gjë. Ka ikur koha kur ndihej dhimbje te dentisti. Tani nuk bëhet asnjë ndërhyrje pa anestezi. Frika është në fëmijëri, në rastet kur kontakti i parë më mjekun nuk është miqësor. : Është art të komunikosh me ta.
Puna
Impiantologjia, sfida e tij
Florian Xholi, 28 vjeç, i diplomuar për Stomatologji në Itali. Impantologjia është fusha ku ai po specializohet. Dëshiron të jetë vazhdimisht i përditësuar me të rejat e fushës. Sipas tij, mjekësia ka standarde, parime, rregulla. Në këtë treg të rrëmujshëm, ka vetëm një merak: reklamimin dhe ofertat pa kriter. Për Florianin nuk mund të ketë oferta në mjekësi. Por, kjo nuk e ia ulur vrullin.

gjithe te mirat dhe suksese familjes!
…dr.XHoli ! Duhet bo dhe rreklam patjetèr, sepse e meritoni. N’kèt rrèmuj po pèrfitojn shum ato qi bojn rreklam dhe nuk kan cilsi n’punime.
Dr. Naimi eshte nje kuadro i specializuar dhe i perkushtuar ne punen e tij. Kam pas fatin te rregulloj dhembet tek ai personalisht dhe kam mbetur jashtezakonish i kenaqur. Xholi Dental ofron nje sherbim modern, te detajuar dhe me pajisjet me te fundit. Kostoja financiare e ketyre sherbimeve eshte e perballueshme dhe cilesia e sherbimit eshte shume e larte. Dr. Naimi ofron nje mjedis mikprites, tradite qe i ka hije nje dibrani. Suksese te metejshme familjes.
Nje shkrim qe do ta kishte per krenari cfare do professionalisti dhe nje familje e nderuar.eshte nje Klinike me te vertete per tu vleresuar.congratulation.