Dashuria dikur dhe dashuria sot

anazapta

Dita e sotme shënon ditën e të dashuruarve, Shën Valentinin. Çiftet e dashuruara e konsiderojnë këtë ditë si të shënuar. Ato kanë mundësi t’i shprehin njeri-tjetrit ndjenjën që kanë, po ashtu edhe të bëjnë dhurata… pasi komercialiteti ka kapur edhe këtë festë. 

Dashuria në thelb mbetet e njëjta, ndërsa forma e të shprehurit të saj, me kalimin e viteve ka ndryshuar. Për ta ilustruar këtë kemi shkëputur këtë letër dashurie të 55 viteve më parë për të treguar se si shkruheshin letrat e dashurisë në atë kohë dhe se si ka evoluar kjo korrespodencë në ditët e sotme, ku teknologjia ka bërë të vetën.

Sot, mësëshumti deklaratat e dashurisë lihen në statuse Facebook-u, ku të rinjtë edhe pse mund ta kenë të dashurën e tyre në krah, nuk ja thonë me zë, por ja shkruajnë në “murin” e profilit në FB. Flasin me dhjetëra herë në telefon, shkruajnë mesazhe e komunikojnë në forma të tjera në smartphone dhe nuk presin me muaj të tërë sa t’ju vijë një letër nga një tjetër qytet.

Tashmë i njohuri i ri nuk është më djaloshi brun që takuat në një mbrëmje miqsh, apo ajo biondja e prezantuar nga mikja jote pak ditë më parë, e as shoku i klasës që nuk humbet rastin të të ulet pranë. Miku apo mikja e ardhshme është një i panjohur perfekt që rastësisht të ka tërhequr me nominativin e tij, me një koment të hedhur diku në Facebook apo Tuitter. Janë instrumente që kanë revolucionarizuar ndjenjat, pasionet, por e kanë shndërruar dashurinë në diçka disi virtuale.

Sigurisht, personazhet, që na besuan letrën sot, dikur kanë qenë edhe ata 20 vjeç. Historia e këtij çifti ka filluar në bregdetin e Durrësit në vitet ‘50. Dy të rinjtë në atë kohë ishin më pushime me familjet e tyre. Djaloshi e ka parë vajzën në breg të detit me një valixhe të drunjtë në dorë. Kanë qëndruar 2 muaj të dashuruar dhe 2 vjet të fejuar. Gjatë fejesës kanë shkëmbyer shumë letra me njëri-tjetrin, pasi për shkak të punëve jetonin në qytete të ndryshme.

Letra që kemi në dorë mban datën 2 nëntor 1959 dhe 75-vjeçarja e sotme (në atë kohë 20), punonte në Fier si mësuese. Ia ka dërguar të fejuarit të saj që jetonte në Durrës. Ata numërojnë mbi 30  letra secili të shkruar gjatë dy viteve të fejesës. Më poshtë, pjesë nga kjo letër dashurie e 1959-s:

N…. im

Më në fund i mora edhe letrat e tua, kisha kaq kohë që i prisja. Çdo ditë e kalojë me të vetmin mendim se do të kem një letër prej teje, por asgjë. Duke u kthyer rrugës në darkë mendoja ndoshta do të kem letër? Dhe mbrëmë kështu ndodhi, por kur hyra në derë e pashë se përsëri qesh gabuar. Sigurisht u mërzita shumë. Mendoje vetë: kaq kohë që ke ikur dhe asnjë letër. Ti gabohesh kur thua se postierët kanë ndërruar rolet sepse kësaj radhe më ngjan njësoj ti pret letrat e mua dhe unë të tuat.

(…)Mbrëmë edhe sikur të mos merrja letër prej teje e kisha vendosur të të shkruaja.

Tashti duhet të kesh filluar punën i dashur, sa dua të di gjithçka. Kur do më shkruash? Në ç’punë je? A u rregullove për banim ? N… i dashur, jam shumë në merak për ty. Këtu koha është freskua shumë dhe sigurisht dhe atje, ti si bën pa triko. Çfarë vesh? Ku flini, më shkruaj hollësisht për të gjitha.

I keqi im, më pëlqyen shumë dy vargjet italisht që më shkruaje në letër. Është e kot pse të pyesim njëri-tjetrin. Për të dy është e njëjta gjë. Mua më duket se gjithmonë të dua më shumë dhe mendojë ku do arrij vallë kjo, në çfarë infiniti….?

Ajo që shkruan ti është e drejtë, unë mendoj, e di pse duhemi kaq shumë? Sepse të dy ndjejmë njësoj, mendojmë njësoj. Vërtetë do të ishte diçka shumë e mërzitshme sikur njëri prej nesh të qe ndryshe.

 (…) Në një pyetje të bërë prej disa vajzave një autor italian (A harrohet dashuria e parë?) ai përgjigjet: “Dashuron për herë të parë vetëm kur dashuron me të vërtetë, dhe kjo është dashuria që nuk mund të harrohet, qoftë kjo e parë apo e njëzetë”. Sigurisht kjo më pëlqen si thënie, por jo se ka të bëj me ne.

I dashur N… ti me letrat e tua më kujtove edhe njëherë, por me kaq vërtetësi ditët që kemi kaluar së bashku në plazh. Do të doja t’i kalonim edhe njëherë bashkë ato vende plot kujtime. Si thua a do jenë prishur dy “N”’-të që shkruajte ti? Sigurisht do i ketë mbuluar rëra. Sikur të hapje librat e mia në provime do të gjeje në çdo dy tre faqe dy “N” të gërshetuara.

Sikur të më pyeste njeri tani se çfarë do të dëshiroja do përgjigjesha vetëm të rregullohet posta dhe të mos vonohen letrat. Tashti ti ke më shumë gjera të reja për të më shkruajtur prandaj duhet të më shkruash me gjatë.

Ndahemi tashti i dashur

Mami dhe babi të përqafojnë.

E… të puth në faqe. Po unë atëherë ku të të puth, në buzë. Të pëlqen kënga “Besame muço”?

E jotja N…

2/X/’59

 

 

Teknologjia privon romancën

Dashuria në kohën e “smartphone-ve”? Kjo gjë është me të vërtetë e komplikuar. Këtë e konfirmon një studim nga “Pew Research Center”, i cili ka analizuar në detaje marrëdhënien që ekziston nga një lidhje romantike dhe përdorimit të teknologjisë. Sipas studiuesve amerikanë, 27 % e përdoruesve të cilët janë të martuar ose në një marrëdhënie, dhe teknologjia ndikon në raportin e tyre. Shifrat janë negative, pasi në 25 % të rasteve, teknologjia privon romancën. Të anketuarit ndajnë së bashku të njëjtën llogari dhe në rrjetet e ndryshme sociale, duke sjell në vëmendje dhe besnikërinë ndaj tyre. I referohemi 67% e të anketuarve, të cilët përdorim të njëjtin fjalëkalim të partnerit dhe gati 3 nga 10 përdoruesit të ndajnë llogaritë në e-mail, ndërsa një në dhjetë ka një kalendar online të përbashkët. Në këtë pikë, rreth 11% e rasteve, i besojnë njëri-tjetrit profilet sociale.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *