Datat dhe oraret e testimit për mësuesit që futen në provimin e shtetit

Ornela

 

Pranvera Kola – DITA

Nis të hënën gara për licencat e reja të mësuesisë. Pasi ka vlerësuar të gjitha kërkesat e paraqitura, Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka miratuar kalendarin e provimeve të shtetit për 2763 mësuesit e rinj që do konkurrojnë për të fituar licencën profesionale.

Sipas të dhënave të detajuara nga kjo qendër, të parët që do të nisin me testimin e licencës janë mësuesit e ciklit fillor. Vetëm në këtë profil janë rreth 459 kandidatët, që do të japin provimin e shtetit për të fituar lejen e ushtrimit të profesionit.

Provimi për mësuesit e ciklit fillor do të zhvillohet për tre ditë me radhë, ndërkohë që secili kandidat duhet të paraqitet sipas orarit të përcaktuar për të, në ambientet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit për të zhvilluar testimin e informatizuar. Pas mësuesve të fillores, provimit të licencës do i nënshtrohen mësuesit e gjuhës shqipe dhe letërsisë.

Provimet do të vijojnë përgjatë gjithë muajit korrik edhe për 22 profilet e tjera të mësuesisë, ndërkohë që do të mbyllen në 7 gusht, ku të fundit që do të japin provimin janë mësuesit e gjuhës italiane dhe arteve figurative. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar kalendarin e testimit për secilin specialitet, si dhe listën me datat dhe oraret e provimit për të 2763 kandidatët që do të marrin pjesë në këtë sezon.

Për të shmangur përjashtimin nga gara, autoritetet e QSHA-së, bëjnë me dije se kandidatët për provimin e rregulluar të mësuesit duhet të kenë parasysh që ditën e provimit të kenë me vete kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga MAS, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit.

Kandidatët, të cilët nuk janë pajisur me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, duhet të paraqesin një vërtetim nga universiteti përkatës, ku konfirmohet shlyerja e të gjitha detyrimeve, përfshirë edhe gjuhën e huaj, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa, me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën, pasi rezultojnë mbetës. Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta rijapë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë.

Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të kandidatit. Kandidatët që nuk arrijnë që të marrin provimin pas 5 tentativash, nuk kanë më të drejtë të ushtrojnë profesionin për të cilin janë diplomuar, pasi kaq është dhe numri maksimal i mundësive që ligji jep për të fituar licencën e një profesioni të rregulluar.

Ekspertët e QSHA-së, bëjnë me dije se janë të shumtë kandidatët që do hyjnë në provim për herë të dytë dhe të tretë, pasi nuk kanë grumbulluar dot pikët minimale për të qenë kalues në sezonet e testimeve të zhvilluara gjatë vitit të shkuar.

Sipas ligjit për profesionet e rregulluara, kandidatët që regjistrohen për provimin e shtetit, duhet të jenë detyrimisht të pajisur me diplomat e ciklit të parë dhe të dytë të studimit, të lëshuar nga universitetet përkatëse.

Konkretisht, për provimin e licencës mund të konkurrojnë mësuesit e arsimit fillor, arteve figurative, biologjisë, biologji-kimisë, edukimit fizik, fizikës, gjeografisë, gjuhës angleze, gjuhës frënge, greke, gjermane, italiane, gjuhës shqipe dhe letërsisë, historisë, histori-gjeografisë, histori-gjeografisë dhe edukatës, informatikës, mësuesit e instrumenteve muzikore, kimisë, matematikës, matematikë-fizikës, matematikës informatike, si dhe mësuesit e shkencave sociale.

Testimi do të jetë i informatizuar dhe çdo kandidat duhet të paraqitet në ambientet e kësaj qendre, në ditën e përcaktuar për profilin e tij lëndor, për të plotësuar testin me alternativa online.

Listen emërore te mesuesve e gjeni ne numrin e sotem te gazetes DITA!

Kliko per datat: Kalendari i Datave te Mesuesi Sezoni X Korrik Gusht 2017

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *