Datat e testimit për të gjitha profilet e mësuesisë

J L

Pranvera Kola

Testimet për licencat e reja në mësuesi do të nisin të martën e datës 22 tetor. Për më shumë se tre javë, mësuesit e 23 profileve lëndore do t’i nënshtrohen provimit të shtetit, rezultatet pozitive të të cilit, janë vendimtare për të fituar licencën për ushtrimin e profesionit përkatës. Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka zbardhur tashmë kalendarin zyrtar me datat se kur mësuesit e secilit profil duhet të paraqiten për të zhvilluar provimin e informatizuar.

Afatet e testimit

Sipas kalendarit të miratuar, mësuesit e arsimit fillor do të jenë të parët që do të japin provimin e licencës, përkatësisht në datat 22 deri në 28 tetor. Për shkak të numrit të madh të kandidatëve që konkurojnë në këtë profil, testimet në secilën ditë do të zhvillohen me tre turne, çka do të thotë se secili mësues duhet të jetë i kujdesshëm dhe të paraqitet për të zhvilluar provimin vetëm në datën dhe orarin e përcaktuar specifikisht për të. “Në lidhje me orarin e pjesëmarrjes në provim, ju bëjmë me dije se oraret do të jenë të përcaktuara për çdo kandidat dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit të publikuar në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit”, bëjnë me dije autoritetet e këtij institucioni. Pas mësuesve të ciklit fillor, testimet do të vijojnë me arsimtarët e profilit të gjuhës shqipe dhe letërsisë, si dhe profileve të tjera, sipas kalendarit të detajuar në vijim të shkrimit. Konkretisht, për provimin e licencës do të garojnë mësuesit e arsimit fillor, arteve figurative, biologjisë, biologji-kimisë, edukimit fizik, fizikës, gjeografisë, gjuhës angleze, gjuhës frënge, greke, gjermane, italiane, gjuhës shqipe dhe letërsisë, historisë, histori-gjeografisë, histori-gjeografisë dhe edukatës, informatikës, mësuesit e instrumenteve muzikore, kimisë, matematikës, matematikë-fizikës, matematikës informatike, si dhe mësuesit e shkencave sociale. Gjatë ditëve në vijim, QSHA do të shpallë edhe listat zyrtare me oraret se kur secili kandidat duhet të paraqitet për të dhënë provimin e informatizuar.

Gabimet që nuk duhet të bëni!

Për të mos rrezikuar hyrjen në testim, kandidati duhet të paraqitet në ambientet e QSHA-së 30 minuta para fillimit të orarit zyrtar të provimit. Ndërkohë që duhet të ketë me vete detyrimisht këto dokumente: “mjet identifikimi si dhe kopje të tyre, faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit sipas herës së pjesëmarrjes,  kopje (jo të noterizuara) të diplomave të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara, si dhe kopje të dëshmisë së njohjes së gjuhës së huaj”. Kandidatët, të cilëve u mungojnë këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit. Për paraqitjen në qendrat e provimit, kandidati duhet të ketë parasysh rregullat në vijim, ku: “Ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi ky vlerësohet si kriter përjashtimi, ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të provimit, ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit”.

Struktura e testimit

Specialistët e QSHA-së shtojnë më tej se provimi do të jetë i strukturuar në tre pjesë, të cilat përfshijnë pyetjet rreth njohjes së rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, pyetjet rreth pedagogjisë, metodave të mësimdhënies dhe menaxhimit të klasës, si dhe pyetjet specifike për profilin lëndor në të cilin mësuesi kërkon të fitojë lejen e ushtrimit të profesionit. Për t’u ardhur në ndihmë kandidatëve, QSHA ka detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të QSHA-së. Pjesa dërrmuese e këtyre kandidatëve rikthehen në garë për të disatën herë, pasi në sezonet e zhvilluara gjatë viteve të shkuara nuk kanë arritur që të marrin pikët kaluese. Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profilit në të cilën aplikojnë, pasi rezultojnë mbetës. Këta kandidatë duhet të presin testimet e vitit të ardhshëm për të hyrë sërish në garë për lejen e ushtrimit të profesionit. Ndërkohë që kandidatët të cilët do të marrin pikët kaluese, do të pajisen me lejen e ushtrimit të profesionit, çka i hap udhë garës për kontratat e reja të punës si në institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat në të gjithë vendin.

Tarifat e testimit

Tarifa për kandidatët që e japin për herë të parë provimin e shtetit është 10 mijë lekë, për kandidatët që e japin për herë të dytë është 12,500 lekë, për kandidatët që e japin për herë të tretë është 15,000 lekë, për kandidatët që e japin për herë të katërt provimin e shtetit është 17,500 lekë, për kandidatët që e japin për herë të pestë provimin e shtetit është 20,000 lekë. Ndërsa tarifa për ata që e japin për herë të gjashtë, e më shumë, provimin e shtetit është 25,000 lekë.

Ditën e provimit, kandidati duhet të jetë i pajisur me:

  • Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal).
  • Kopje të Kartës ID ose Pasaportës.
  • Faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit për llogari të QSHA, të kryer në një bankë të nivelit të dytë (sipas faturës bazuar në herën e pjesëmarrjes).
  • Kopje (jo të noterizuara) të diplomave të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara.
  • Në mungesë të pajisjes me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, kandidati duhet pajiset nga Universiteti me një vërtetim ku të specifikohet që ai/ajo i ka shlyer të gjitha detyrimet për përfundimin e ciklit të dytë të studimeve në edukim, si dhe njohjen e gjuhës së huaj, në bazë të testimeve të njohura ndërkombëtare dhe në nivelin e specifikuar në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
  • Kandidati duhet të paraqitet në QSHA 30 minuta para fillimit të orarit të provimit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *