Sezoni i vjeshtës për mbetësit e maturës nis pas tre ditësh. Autoritetet e arsimit kanë miratuar tashmë edhe kalendarin e datave të provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje, që do të japin në sezonin e vjeshtës, nga mijëra maturantë në të gjithë vendin. Procedurat e dhënies së provimeve do të jenë të njëjta me ato të zhvilluara edhe në sezonin e muajit qershor. Konkretisht, në datën 30 gusht do të zhvillohet provimi i parë i detyruar në lëndën e gjuhës së huaj, për të gjithë mbetësit e raundit të parë. Ndërsa në datat 2 dhe 6 shtator do të zhvillohen dy provimet e tjera të detyruara, përkatësisht në lëndën e letërsisë, si dhe të matematikës. Më pas, data 10 shtator shënon edhe mbylljen e testimeve të vjeshtës, datë në të cilën mbetësit do të japin njërin, ose dy provimet me zgjedhje. Vetëm kandidatët që do të rezultojë kalues në këto provime do mund të vijojnë garën për të fituar studimet e larta me aplikimet e raundit të dytë. Por, pjesë e këtij raundi do të jenë vetëm kuotat që kanë mbetur bosh nga mbyllja e regjistrimeve për fituesit e shpallur të fazës së parë.
Provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të vjeshtës
Sipas udhëzimit të MAS, provimet e maturës së vjeshtës do të fillojnë në orën 10:00. Testi për secilin nga provimet e detyruara do të ketë në përmbajtje 25 pyetje, nga të cilat 13 do të jenë pyetje me alternativa që vlerësohen secila me një pikë, teksa 12 të tjerat do të jenë pyetje me shtjellim, të cilat sipas skemës së korrigjimit do të vlerësohen në total me 37 pikë. Çka do të thotë se për të marrë vlerësimin maksimal në provimin e detyruar, maturanti duhet të grumbullojë nga testi 50 pikë. Kohëzgjatja e përcaktuar për dhënien e secilit prej provimeve të detyruara është 2 orë e 30 minuta. Ndërsa në rastin e dhënies së gjuhës së huaj si provim i detyruar, në udhëzim saktësohet se testi do të hartohet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Më tej bëhet e ditur se testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të ketë në përmbajtje 20 pyetje, nga të cilat 10 do jenë me përgjigje alternative që do të vlerësohen me një pikë secila, teksa 10 të tjera do të jenë me zhvillim, të cilat vlerësohen me 30 pikë në total. Për të marrë vlerësimin maksimal nga testi i lëndëve me zgjedhje maturanti duhet të sigurojë 40 pikët totale nga dhënia e përgjigjeve të sakta. Provimet me zgjedhje do të zgjasin tre orë. Po sipas udhëzimit, testi i provimit me zgjedhje për gjuhën e huaj anglisht “TOEFL Junior Standard Test” do të hartohet dhe vlerësohet nga “ETS Global”, në bazë të marrëveshjes ndërmjet “Education Testing Service Global BV”, si dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Maturantët do kenë rreth dy orë kohë në dispozicion për të dhënë provimin me zgjedhje të lëndës së anglishtes pranë kësaj qendre.
Kategoritë që lejohen të japin provimet e vjeshtës
Në provimet e vjeshtës kanë të drejtë të marrin pjesë të gjithë maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara që kanë mbetur në një, ose më shumë provime të detyruara dhe me zgjedhje, të zhvilluara gjatë raundit të parë. Këto provime mund t’i japin edhe maturantët që janë mbetës në një, ose dy lëndë të vitit shkollor 2015-2016, provimet e të cilave i shlyen pak ditë më parë. Gjithashtu në provimet e sezonit të vjeshtës mund të hyjnë edhe të gjithë ata kandidatë që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2016, por që nuk kanë shlyer detyrimet e maturës shtetërore. Një tjetër kategori që mund të japë provimet e vjeshtës janë edhe të gjithë kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë njësuar dokumentet shkollore në komisionin e posaçëm të MAS, i cili ka vlerësuar se këta kandidatë duhet që të japin një apo dy provime me zgjedhje. Secila prej këtyre kategorive duhet të paraqitet në shkollat përkatëse për të plotësuar formularin A1 dhe A1Z, në të cilin listohen edhe dy provimet me zgjedhje. Procesi i administrimit të këtyre provimeve do të zhvillohet në po të njëjtat procedura sikundër ka ndodhur edhe gjatë sezonit të provimeve të zhvilluara në muajin qershor.
Aplikimi online në portalin e maturës
Agjencia Kombëtare e Provimeve ka komunikuar gjatë ditës së djeshme se të gjithë maturantët që kanë shlyer detyrimet me provimet e maturës, e që nuk janë regjistruar për kuotat e pranimeve të raundit të parë, mund të hyjnë në sistemin e online të maturës për të qenë pjesë e garës së kuotave që do të plotësohen në raundin e dytë. “Në datat 30-31 gusht, do të hapet sistemi “Matura Online” për regjistrime. Ata kandidatë, të cilët nuk kanë detyrime të provimeve të maturës, mund të regjistrohen në këto data, duke u paraqitur në shkollat përkatëse”, bëhet me dije nga AKP. Në një fazë të dytë këta kandidatë do të plotësojnë edhe formularin e renditjes së preferencave për studimet e larta, fituesit e të cilit do të shpallen gjatë muajit tetor.
Raundi i dytë i fituesve në universitete
Ky raund do të jetë për të gjithë maturantët që do arrijnë të marrin notat kaluese të sezonit të vjeshtës për të gjitha provimet e mbetura. Sipas udhëzimit zyrtar të MAS, universitetet duhet që brenda 22 shtator të zbardhin kuotat e paplotësuara për të gjitha degët studimore, për të cilat do të aplikojnë më pas maturantët e vjeshtës, si dhe kandidatët e tjerë që për arsye të ndryshme nuk konkurruan për të fituar kuotat e studimeve të raundit të parë. “Në këtë raund mund të aplikojnë edhe të gjithë kandidatët, që kanë plotësuar formularin A1 dhe atë A1Z dhe rezultojnë kalues në provimet e Maturës Shtetërore, por nuk kanë arritur të aplikojnë në raundin e parë për arsye të ndryshme, po ashtu mund të konkurrojnë edhe kandidatët që kanë kryer procesin e aplikimit të raundit të parë e nuk janë shpallur fitues, si dhe ata që nuk janë regjistruar as në raundin e parë e që duan të përfitojnë nga kuotat e parealizuara”, detajohet në udhëzimin e MAS. Edhe në këtë rast do të konkurrohet online me 10 preferenca. Këto përzgjedhje do të bëhen sipas një kalendari të miratuar për çdo drejtori arsimore, të cilën gjithashtu e gjeni të detajuar në tabelën bashkangjitur shkrimit. Kjo procedurë do të zhvillohet në datat 23 shtator-1 tetor 2016. Shpallja e fituesve të raundit të dytë do të bëhet përgjatë javës së parë të muajit tetor, përkatësisht brenda datës 6 tetor.
Pranimet në universitete, gara për kuotat e raundit të vjeshtës
Prej datës 23 shtator, të gjithë kandidatët që kanë shlyer detyrimet e vjeshtës, si dhe kanë notë mesatare të shkollës së mesme mbi 6, duhet të aplikojnë për përzgjedhjen e degëve ku duan të fitojnë studimet e larta gjatë garës për fituesit e raundit të dytë. Sipas kritereve të MAS, çdo maturant, për të fituar studimet e ciklit të parë “Bachelor”, si dhe atyre të integruara dhe programet profesionale për kuotat e raundit të dytë të pranimeve, duhet të kryejnë procesin e aplikimit online duke nisur nga data 23 shtator, sipas kalendarit që gjendet i detajuar bashkangjitur shkrimit. Në momentin e plotësimit të formularit të aplikimit, çdo kandidat ka të drejtë të zgjedhë deri në 10 programe studimi, në të cilat dëshiron të vazhdojë studimet. Brenda pak ditësh, të dhënat personale të çdo maturanti në lidhje me rezultatet e tri viteve të studimit të shkollës së mesme dhe të provimeve të maturës, do t’i dërgohen secilit universitet. Në bazë të këtyre të dhënave të marra, si dhe kritereve të vendosura prej tyre, universitetet do të shpallin vetë listën zyrtare të maturantëve që plotësojnë kriteret për të fituar studimet e larta në kuotat e mbetura të paplotësuara.
Provimet e maturës për vjeshtën do jepen në:
Me 30 gusht do të zhvillohet provimi i detyruar i gjuhës së huaj
Me 2 shtator do të zhvillohet provimi i detyruar i letërsisë dhe gjuhës shqipe.
Me 6 shtator do të zhvillohet provimi i detyruar i matematikës.
Me 10 shtator do të zhvillohen dy provimet me zgjedhje të maturës shtetërore.

Ne 2014 Kam mbaruar shkollen e mesme te ndërtimit .karl gega tirane per mobileri dhe jam ngeles ne matematik.