Letër e nënshkruar
Agim Likaj
I nderuar z.Thano.
Në datat e historisë së muzikës mbetet përherë e përkujtuar edhe ajo e 9 tetorit 1940. Plot 65 vjet më parë, në njërën nga lagjet buzë lumit Mersey të Liverpool-it, u lind John Winston Lennon-i, leader-i i katërshes epokale, e vetëpagëzuar me emrin Beatles.
Shumëkush i vitlindjeve ’40 dhe ‘50 e përjeton ende të gjallë atmosferën elektrizuese të viteve ‘60 dhe fillimviteve ‘70 që “injektoi” grupi i famshëm i katërshes së djelmoshave liverpulas John Lennon, Paul McCartney, George Harrison dhe Ringo Starr. Unë dhe brezi im i vitlindjeve ‘60 patëm fatin sa ta ceknim dhe përjetonim jehonën kohëgjatë që ky grup i mrekullueshëm la pas. Por e shijuam, ama!
Beatles-ave, me Lennon-in në krye, si më intelektuali i grupit, u jemi të gjithë mirënjohës jo vetëm për këngët dhe albumet e tyre sa fantastike po kaq edhe tokësore, por, mbi të gjitha, për mesazhin njerëzor me prirje reformuese për shoqërinë që ato përcillnin te njerëzit anembanë globit, madje edhe tek ata që radha e parjes së dritës së diellit të kësaj bote do t’u vinte më vonë.
Cilido, që dëshiron ta ketë të qartë udhën dhe synimin e jetës, le të dëgjojë hitet e Lennon-it dhe Beatles-ave. Thelbin dhe gjithçka filozofike dhe ekzistenciale do ta gjejë në tekstet dhe notat e këngëve të tyre të pavdekshme.
