Duket se këtë herë miqtë tanë të demokracive të zhvilluara i dolën përpara me kohë të keqes. Dëgjuan daullen e çarë nacionaliste të pushtetarëve tanë dhe erdhën me urgjencë në Tiranë. Dukeshin vërtet të alarmuar nga daullja nacionaliste, që pushteti aktual i Tiranës po i bie me sa mundet e ashtu si mundet, vetëm për të rujatur me çdo kusht pushtetin. Miqtë tanë strategjikë të demokracive më të zhvilluara të kësaj bote, dukeshin vërtet të alarmuar nga gjëmimi i rëndë i daulles nacionaliste të pushtetarëve aktualë të Tiranës,
Dhe na erdhën njëherësh në Tiranë amerikani Riker, përgjegjësi për rajonin tonë në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe minsitri i Jashtëm gjerman, Vestervelle. Na edhën miqtë tanë strategjikë dhe, në ato që thanë për pushtetarët e për opozitarët e për mbarë shqiptarët, këtë herë qenë më të drejtpërdrejtë se herë të tjera. Theksuan shkoqur që Shqipëria, më në fund, zgjedhjet e 23 qershorit të këtij viti duhet t’i bëjë të lira e të drejta, të pakundërshtueshme nga asnjë palë. Na thanë shqip e shkoqur miqtë tanë strategjikë se zgjedhjet e 23 qershoprit të këtij viti, edhe në Shqipërinë tonë me një traznicion të marrë peng nga trashëgimtarët besnikë të pushtetit të diktaturës komuniste, duhet të plotësojnë doemos standardet e njohura ndërkombëtare për zgjedhje normale demokratike. Ndryshe, Shqipëria mund të bjerë përsëri prapa në kohët e izolimit të diktaturës komuniste, kur ishim “vendi i parë në botë që ndërtonim socializmin me forcat tona”, apo , pë rata fatlumët që nuk e kanë përjetuar atë kohë të sëmurë, që ishim dhe “vendi i parë në botë pa taksa” (se na i merrte të gjitha pushteti) dhe pastaj “vendi i parë në botë”, që e kishim nxjerrë dhe vetë Zotin jashtë ligjit(!)…
Për të na shpëtuar nga rënia në bodrumin e kohëve të shkuara të diktaturës së proletariatit, por tanimë të udhëhequr nga komunistë fanatikë të kthyer në demokratikas brenda natës, erdhën me ngut përfaqësuesit e lartë të diplomacisë amerikane dhe europiane në Tiranë. Erdhën të alarmuar për atë që po bën pushteti aktual i Tiranës dhe folën më hapët e më miqësisht se herët e tjera.
Folën shkoqur e miqësisht miqtë tanë të mëdhenj demokratë, po a dëgjojnë vërtet nga ai vesh pushtetarët tanë të sëmurë? Le t’i marrim gjërat me radhën e tyre të natyrshme.
Pushteti aktual i Tiranës, pasi nuk ka pasur kohë tetë vjet që të pastrojë listat zgjedhore, shpiku “rritjen e popullsisë në komunat e braktisura malore të Kukësit të varfër. Dhe na thanë shpjegime nga më absurdet e një pushteti absurd. Na thanë se popullsia e atyre maleve të varfëra ishte shtuar nga “gëzimi që kishin ministrin e brendshëm nga anët e tyre”…
Dhe nuk është pak të kesh ministrin e bredshëm të këtij pushteti nga anët e tua. Se të shtohet jo vetëm popullsia në zonat e braktisura, por të jepët dhe mundësia të votosh dy herë për pushtetin. Një herë në zonat e braktisura dhe herën e dytë në zonat e “tokës së zanun” në periferi të kryeqytetit. Si t’ia shpërblesh më mirë e më qartë pushtetit dhe ministrit të brendshëm nga anët e tua?
Pastaj ky lloj pushteti, i dalë “nga vullneti i lirë i sovranit”, por me zgjedhjet e Rruzhdies, shpiku dhe shpërndarjen e mandateve nga Kuvendi e jo nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sikundër parashikohet në ligjin përkatës. Se ky lloj pushteti nuk e ka për gjë aq të madhe të shkelë ligjet, kur kjo shkelje është në dobi të zgjatjes së jetës së vetë pushtetit. A nuk e ka moton e vet ky pushtet që “Qytetarë janë të parët”? Atëherë, pse të mos votojnë nga dy e nga tri herë qytetarët aq të përgjëruar për zgjatjen e jetës së këtij lloj pushteti?…
Ca më mirë kur e ke dhe ministrin e brendshëm nga anët e tua. Se atëherë nuk bëhet vetëm transferimi antiligjor i shpërndarjes së mandateve të deputetëve nga KQZ-ja në Kuvendin e Rruzhdies, por bëhet fare lehtë dhe transferimi i të gjithë policëve dhe kuadrove të Ministrisë së Brendshme nga Tirana për në zonat e thëlla të malësive, ku ka rrënjët minsitri i brendshëm. Dhe i kemi ashtu dy herë e në dy palë lista ata punonjës të pushtetit.
Pastaj nuk i lihet barra vetëm ministrit të brendshëm, aq të ngarkuar me ruajtjen e rendit për të kapur vetëm të vrarët e të ligjit për të nxjerrë të pafajshëm pushtetarët, në një vend , ku ky pushtet nuk ka ende kontrollin mbi të gjithë territorin. Ka dhe ministra të tjerë, të partisë që në këtë fushatë të parakohshme zgjedhore ka nisur të na recitojë publikisht ato vargjet e njohura të Majakovskit për lidhjen aq organike të partisë me Leninin dhe të Leninit me partinë…
Po partitë aleate, që për hir të integrimit të vendit në BE, kaluan dhe ylberin dhe prapë dështuan tri herë rresht për të marrë statusin e vendit kandidat? Ato partira aq serioze, që burojnë nga e Majta dhe kanë arritur të shëndoshin aq shumë të Djathtën e stisur në qilaret e Partisë së Punës, kanë shpikur me kohë “punësimin zgjedhor” nëpër ndërmarrjet shtetërore e në administratën publike, aq tepër të fryrë në prag të fushatave zgjedhore të këtij lloj pushteti. A nuk është pushtet i popullit, i dalë nga populli e që përgjërohet vetëm për popullin ky pushteti aktual i Tiranës sonë?
Pastaj vjen marifeti i votimit në emër të mërgimtarëve tanë nëpër botë. Vjen votimi familjar e fisnor. Vjen blerja e votës, apo blerja e varfërisë së qytetarëve për të shtuar ditët e pushtetit dhe pasurinë e pushtetarëve . Na vjen pastaj përdorimi (i jashtëligjshëm por i pushtetshëm, i punonjësve shtetërorë si mitingashë të pushtetit. Vjen dhe përdorimi i adoleshëntëve e madje dhe i vocërrakëve të pafajshëm si mbushës të shesheve në mitingjet e pushtetit. Më nëfund, na vjen dhe lajmi më i gëzuar i kohës së ndritur të këtij lloj pushteti: na vjen dhe përdorimi i “intelektualëve” të uzinës “Dinamo”, përdorimi poshtërues i tyre si kooperativistët e dikurshëm të Fier-Sheganit në dobi të pushtetit e të “udhëheqësit kryesor”. Madje nuk kursen ky lloj pushteti as akademikët e plakur më shumë nga frika e pushteteve se nga pleqëria, se dhe ata derëzes e punëzes i detyron të nënshkruajnë për zgjatjen e jetës së pushtetit(!)…
Dhe sikur të mos mjaftonin tërë këto marifete antiligjore, por të ligjëruara nga ethet e pushtetit për t’u mbrojtur me anën e pushtetit nga llogaridhënia për zullumet e rënda që kanë kryer, na shfaqet dhe votimi me “trenin bullgar”, apo ajo që quhet dhe “vota balerinë”, ku pajisen aktivistët e pushtetit me fletë-votimi të plotësuar nga pushteti dhe në qendrën e votimit marrin fletën për ta kthyer të zbrazët në duart e marifetçinjve, që presin jashtë qëndrës së votimit. Dhe ai “qarkullim i vullnetit të lirë të qytetarëve”, e kthen votimin në një balet të pushtetarëve me votat e qytetarëve…
Ja se ç’e shtyn këtë palo pushtet që të çajë daullen nacionaliste, atë daulle që shqetësoi aleatët tanë strategjikë të demokracive të zhvilluar e që mësynë Tiranën në një ditë javën e shkuar. Se ky lloj pushteti është mësuar të bëjë lodra me qytetarët e vet dhe kujton se do të bëjë lodra të asaj natyre edhe me aleatët tanë strategjikë. Se ky lloj pushteti , aq i etur për të ngritur përsëri Pallatin e Lanës edhe me bojatisjen demokratike, kujton se mund të detyrojë dhe Amerikën e dhe Europën e lirive që të vihen përpara zgjedhjes së detyruar: Ose më lini mua në pushtet, ose unë e çaj daullen nacionaliste dhe i vë zjarrin Shqipërisë e mbarë rajonit!…
Kjo është dhe simptoma më e dukshme e sëmundjes së pashërueshme , që ka mbërthyer pushtetin aktual të Tiranës. Duke bërë si i ka dashur qejfi me qytetarët e vet aq të duruar, pushteti i sëmurë i komunistëve tanë të kthyer me ngut në demokratikas, kujton se mund të bëjë edhe me Amerikën e me Europën(!)
Nëse aleataët tanë të demokracive të mëdha, këtë herë folën shkoqur, tani është radha e pushtetarëve të sëmurë të Tiranës të kuptojnë po aq shkoqur, se kanë ikur kohët kur mund t’i bije daulles nacionaliste për të ndenjur sa më gjatë në pushtet. Daullja nacionaliste tanimë është tharë e çarë dhe nuk tremb as galat e as shqiptarët e duruar dhe jo më të bëjë presion Amerikës dhe BE-së. Populli nuk thotë kot: “Ta rrittë Zoti mendjen!”, se të tjerat vijnë vetë…
I nderuar z. Daut shkruani po per ke shkruani ? Shqiperine dhe fatin e saj e moren ne dore fara me e ndyre e komunisteve , ata karrieriste dhe spiune , jo komunistet e thjeshte idealiste qe u shgenjyen ne shpirt nga perdorimi i ulet qe ju be nga PPSH-ja . Problemi qe ju ngrini eshte per shqiptaret me dy gram tru qe nuk duhet te lene te livadhisin keta horra qe po shkaterrojne shpresen dhe te ardhmen e Shqiperise se xanun nga keta cuba me gjithe soin e tyre te vandaleve qe zune fushat e bukes per bidonvila . Jam i merguar ne perendim prej 14 vjetesh familjarisht me gruan dhe dy djemt e mitur per kohen , por me dhimbje shikoj emrat ne listat e votimit te te katerve si familje si me 2001 e ne vazhdim dhe tani me 2013 ( Fatkeqsisht kam humbur djalin e dyte me 2007 , mbytur ne Sene ne moshen 16 vjeçare , kam bere çrregjistrimin ne Shqiperi me 2008 ne njesine NR.5 Tirane dhe emri i tij figuron ende ne liste si dhe ne te tjeret , turp dhe absurditet per ata qelbesira administrate qe paguhen nga taksa paguesit dhe nuk bejne me elementaren kontrollin periodik te popullates . Me respekt F.V Paris
Diplomacia rajonale dhe ajo nderkombetare, e kane shume te qarte, qe nacionalizmi i perdorur si nga aktore qeveritare, por edhe nga aktore jo-qeveritare, eshte nje nacionalizem fallco, i cili nuk gjen mbeshtetje ne platformat politike perkatese. Ato e dine, qe aryseja e perdorimit te kesaj logjike, eshte nga njera ane, shkeputja e vemendjes popullore nga problemet e perditshme dhe nga ana tjeter thithja e elektoratit. Ato çka vene ne levizje, diplomacine nderkombetare, jane me teper pasojat, qe sjellin keto deklarime verbale, ne diplomacine fqinje, duke ngurtesuar dhe acaruar marredheniet dhe duke ndikuar negativisht ne negociata midis paleve, sic jane per momentin ato te Kosoves me Serbine, sepse diplomacise europiane dhe asaj amerikane, per arsye praktike, gjeo-politike i intereson nje Shqiperi e qete dhe stabile, sepse i mjafton nacionalizmi dhe tensionet e krijuara nga vendet e tjera ne rajon.