De Biasi: Çmimi falë punës së skuadrës

Dita

Pas çmimit të dhënë në shkollën e Kovercianos në Itali, trajneri i përfaqësueses Shqiptare nuk ka humbur kohë duke u kthyer në Shqipëri, për të ndjekur nga pranë zhvillimet e kampionatit shqiptar. Disi më i ftohtë nga emocionet e një cmimi të vecantë në vendlindje, timonieri kuqezi këtë sukses e ndan me të gjithë bashkëpunëtorët e tij.

“Një cmim që vjen falë punës së bërë këtu me Federatën Shqiptare të Futbollit, stafin dhe lojtarët që arritën një objektiv të rëndësishëm si Europiani, dhe për këtë shkolla në Koverciano më ka dhënë mua një cmim por që është për punën e bërë këtu në Shqipëri”, thotë trajneri.

Për momentin Seria A po flet shqip, ndërsa detyra kryesore e trajnerit është të ndjekë nga pranë formën e futbollsitëve që do të përfaqësojnë kombin në një eveniment të rëndësishëm si kampionati europian. Me humorin e tij Giani De Biasi analizon situatën e futbollistëve që aktivizohen në Serinë A, por edhe për të rinjtë premtues si Manaj e Rashica.

“I kam ndjekur të gjithë, kam folur për Ajetin me trajnerin Stellone që u shpall trajneri më i mirë i serisë B sezonin e shkuar. Ai ishte shumë i kënaqur për këshillën që i dhashë për të afruar Ajetin pasi ka siguruar mbrojtjen. Më vjen keq për Etrit Berishën dhe bëja shaka me Piolin pasi i kërkova që të aktivizonte Berishën sepse më duhet për europian, por edhe ai ma ktheu me humor që po më cmend me këto kërkesa. Jam i lumtur për Hysaj pasi po luan mirë, po rritet shumë dhe shpresoj të vijë në europian i karikuar. Në itali ka ardhur edhe Gjimshiti, kam folur edhe me Rejan por aty kanë një organikë të mbushur dhe në të ardhmen do të ketë vendin e tij në formacion. Fola me Mancinin për Manajn, ai është i kënaqur por unë i kërkova të luajë më shumë. Megjithatë ai është i kënaqur për të dhe ndoshta në të ardhmen mund të luajë më shumë. Rashica është një diskutim tjetër, pasi luan më shumë. Do ta thërrasë për Luksemburguin dhe më pas do të luajë me Greqinë për 21 vjecarët dhe për këtë kemi rënë dakord me Redin”, thotë De Biasi për Supersport.

Ndjekja nga pranë e futbollistëve nuk është i vetmi hap që ka ndërmarë trajneri De Biasi i cili ka shkuar edhe më tej duke patur në duar testet fizike të cdo futbollisti. Gjendja e tyre fizike është shqetësimi kryesor për numrin një të stolit kuqezi.

“Po ndjekim të gjithë futbollistët javë pas jave. Sapo kemi marë për të gjithë lojtarët testet mjekësore, në mënyrë që të shohim formën e tyre fizike. Më pas do ti krahasojmë me testet që do të bëhen në periudhën e grumbullimit dhe pas krahasimeve do të bëjmë zgjedhjen e duhur të 23 që do të udhëtojë në Francë.”

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *