De Biasi: Frashëri? Të gjithë gabojnë

Dita

Derbi i kryeqytetit është një event që nuk mund të humbet nga trajneri i kombëtares kuqezi Giani De Biasi. Tekniku italian prezent në tribunën e Qemal Stafës u prononcua në pushim të ndeshjes duke vlerësuar nivelin e ofruar nga të dyja skuadrat në tapetin e blertë. Nën vëzhgimin e tij ishin pa dyshim edhe dy portierët në xhiron e kombëtares Alban Hoxha dhe Stivi Frashëri, me trajnerin e kuqezinjve që i doli përkrah portierit të bardhebluve për gabimin në rastin e golit të Racic.

“Të dy janë portierë shumë të mirë. Më vjen keq që Stivi bëri atë gabim në golin e dytë, por kjo u ndodh të gjithëve, u ndodh edhe portierëve më të mëdhenj të botës. Gabime të tilla bën Buffon dhe shumë portierë të tjerë cilësorë. Më vjen shumë keq që diçka e tillë ndodhi me Frashërin, megjithatë të dy janë dy portierë që unë jam duke i marrë në konsideratë për kombëtaren”, tha tekniku.

Në fokusin e të gjithëve është ndeshja e radhës me Armeninë, takim i përcaktuar për t’u luajtur në Elbasan Arena edhe pse trajneri i kombëtares e pranoi se ndihet i mikluar nga tapeti i ri e padyshim edhe sharmi i “Qemal Stafës”.

“Ky stadium është me të vërtetë i veçantë, edhe pse është pak i vjetër tapeti i ri e ka kthyer në një gjendje shumë të mirë, kjo shikohet edhe nga fakti që ndeshja po shkon shumë mirë. Më vjen keq por ne duhet të mësohemi me rregullat e Uefa-s. Unë shpresoj shumë që në Elbasan të ketë shumë tifozë për të na mbështetur në ndeshjen ndaj Armenisë”, përfundoi De Biasi.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *