Koha e pamjaftueshme për ta përgatitur miqësoren me Gjeorgjinë pas ndeshjes festive me Kosovën dhe mbrëmjes gala të organizuar nga FSHF me rastin e kualifikimit të Shqipërisë në Euro 2016, mbetet shqetësimi i vetëm për Ganni De Biasin.
Gjeorgjia sipas trajnerit të kuqezinjve është një ekip i fortë, që i ka hapur gjithmonë probleme Shqipërisë: “Sigurisht që është një ndeshje e veçantë, sepse vijmë pas një feste të madhe në Kosovë dhe mbrëmjes gala të FSHF-së.
Do të jetë një test për djemtë, sepse do të kemi shumë pak kohë në dispozicion për ta përgatitur këtë miqësore me Gjeorgjinë, që është “macja e zezë” për ne. Në këtë ndeshje do t’i bëjmë gjërat ndryshe nga sfida me Kosovën, sidomos në organizimin e lojës”.
Pyetjes se përse Shqipëria zgjodhi të luante me Gjeorgjinë dhe jo me një skuadër të kualifikuar në Europian, De Biasi iu përgjigj me një batutë: “Skuadrat e forta si Franca, nuk kanë dashur të përballen me ne, sepse kanë frikë se humbasin. Unë ua kam shpjeguar edhe me parë, Gjeorgjia ishte e vetmja zgjidhje që kishim në datat e nëntorit”.
Manaj dhe Veseli, dy risitë e Kombëtares për miqësoret e nëntorit sipas De Biasit duhet të integrohen gradualisht me grupin që i dha kualifikimin Shqipërisë në Europian. “Kundër Kosovës, Manaj ishte protagonist, madje shënoi gol, ndërsa Veseli u aktivizua për një pjesë loje. Janë dy lojtarë të perspektivës, të cilët unë i kam në konsideratë.
Gjashtë muajt e ardhshëm do të tregojnë se cili do të shkojë në Francë. Dyert e Kombëtares do të jenë të hapura për çdo talent që mund të shpërthejë gjatë kësaj kohe. E kam thënë edhe më parë, do të mbështetem te futbollistët që na kanë çuar në Francë”, pranon tekniku italian.
Gjeorgjia ka mundur të triumfojë në të dyja miqësoret e fundit kundër Shqipërisë së De Biasit, por 59-vjeçari shpreson që kjo tendencë të ndryshojë: “Shpresoj që këtë radhë shprehja nuk ka dy pa tre, të mos vlejë”.
Për sa i përket formacionit që do të hedhë në fushë nga minuta e parë, De Biasi nuk dha asnjë detaj: “Nuk mund të them asgjë për formacionin, por mund t’ju siguroj se do të jetë një skuadër e vendosur mirë në fushë. Loja jonë kushtëzohet edhe nga skuadra që do të kemi përballë.
Sigurisht ndaj një kundërshtari shumë cilësor duhet të bësh më shumë kujdes në aspektin mbrojtës. Ideja jonë e lojës është të qëndrojnë përpara dhe të shënojmë sa më shumë gola. Ne jemi një skuadër që mbrohemi mirë dhe që di të kundërsulmojë”.
