Ledian Memushaj do të zbresë në fushë për të udhëhequr Pescaran për finalen e parë play off të Serie B ku skuadra e tij do të përballet me Trapanin.
Kapiteni i skuadrës nga Abruzzo është lejuar nga trajneri Gianni De Biasi që të jetë i pranishëm në këtë sfidë delikate për bardhekaltërit edhe pse rregullorja e UEFA-s nuk e detyron për të marrë një vendim të tillë.
Afati i fundit i lejuar ishte data 31 maj, por trajneri kuqezi i jep një dorë të madhe kolegut të tij Massimo Oddo, i cili kërkon të rikthejë në Serie A skuadrën e Pescaras pas 3 sezoneve mungesë.
Memushaj që është edhe kapiteni i ekipit konsiderohet një nga elementët kyç të kësaj skuadre, prandaj ai është larguar nga qendra stërvitore e Bergamos, duke u bashkuar me klubin e tij. Ndeshja do të zhvillohet të dielën në orën 20:30 dhe lojtari i lindur në Vlorë do të rikthehet në grupin kuqezi vetëm të hënën paradite.
Memushaj u aktivizua gjatë gjithë pjesës së dytë në miqësoren kundër Ukrainës të zhvilluar në Bergamo. Pescara do ta luajë ndeshjen e kthimit në Trapani të Enjten por Memushaj nuk do të jetë i pranishëm pasi vetëm dy ditë më vonë Kombëtarja Shqiptare do të sfidojë në Lens, Zvicrën.