Herën e fundit që kombëtarja Shqiptare shkelte në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, ishte më 12 tetorin e vitit të shkuar. Turma e tifozëve priste heronjtë të cilët erdhën me fitoren e kualifikimit në Europian, një arritje historike për kombëtaren tonë.
Krejt ndryshe është peisazhi në këtë ritakim, me kombëtaren shqiptare që në heshtje niset për të përgatitur misionin e shenjtë të përfaqësimit të kombit në “Francë 2016”. Miqësorja ndaj Austrisë, një skuadër e nivelit të lartë, aq shumë e kërkuar nga trajneri Giani De Biasi është pikënisja e përgatitjeve për eventin madhor, një sfidë që shërben për të konsoliduar idetë dhe grupin.
“Europiani fillon më 10 qershor, ndërsa ne nisemi drejt Vienës për një miqësore që do të na shërbejë si eksperiencë e nevojshme, kur të kthehemi sërish në Austri në maj për të përgatitur si duhet europianin e Francës. Janë ndeshje që na shërbejnë për të bërë disa eksperimente, për të parë kushtet e futbollistëve si dhe për të punuar taktikisht me skuadrën.”
