De Biazi, elozhe pa frena për kuqezinjtë

anazapta

Xhani De Biazi nuk i kursen fjalët e mira për lojtarët e kombëtares shqiptare, duke i sponsorizuar ata në ditët e nxehta të merkatos. Elseid Hysaj është emri më i përfolur nga shqiptarët, por nuk mungon interesimi as për mbrojtësin tjetër kuqezi, Mërgim Mavraj, i cili do të largohet nga Greuter Furth. Radio Sei e Romës e ka intervistuar trajnerin, për t’i marrë disa mendime në lidhje me merkaton e Lacios. Klubi ku është drejtor sportiv Igli Tare dhe luan prej dy sezonesh kapiteni kuqezi Lorik Cana është i lidhur gjatë kësaj kohe me një transferim të mundshëm të Hysajt, por edhe të Mavrajt.

Hysaj – Nuk i ka fshehur kurrë vlerësimet dhe komplimentet për “xholin” Elseid Hysaj, autorin e një sezoni të mrekullueshëm me Empolin dhe një nga zbulimet e Serisë B. “Ka një pjekuri të madhe, duke u nisur nga fakti se është i vitlindjes 1994 (19 vjeç) dhe gjatë sezonit të kaluar ka luajtur praktikisht gjithmonë. Është një djalosh shumë interesant, me dhunti të një dinamizmi të madh, forcë fizike dhe inteligjencë. Besoj se, është një element që duhet të merret me të vërtetë në konsideratë, edhe pse më pas janë për t’u vlerësuar faktorë të ndryshëm si ambientimi në një pjacë të madhe si Roma. Mund të luajë si nga djathta, ashtu dhe nga e djathta. Në krahë duket si një zemërim i Zotit”, thotë trajneri. “Teknikisht ka cilësi të mira, veçanërisht me këmbën e djathtë. Nëse do të kërkoja t’i gjeja një defekt, do të thosha se duhet të lexojë një çikë më shpejt situatat e krijuara. Por, kjo vjen bashkë me përvojën, sigurisht që mosha e tij e re është në favorin e tij”.

Mavraj – Mbrojtësi shtatlartë vlerësohet shumë për aftësitë e tij dhe fakti që sezonin e kaluar ishte kapiteni i Furthit në Bundesligën 1 gjermane flet vetë. “Jam i bindur se do të luajë në kampionatin italian. Nuk e di nëse do të jetë te Lacio, por unë ia kam rekomanduar edhe Iglit, sepse është një djalë me kokën mbi supe e që në një ambient si Roma mund të bënte shumë mirë”.

Cana – Nuk mund të mungonte dhe një gjykim edhe për Lorik Canën, i cili te Lacio ka shfaqur rritje të konsiderueshme muajt e fundit, duke qenë titullar në qendër të mbrojtjes. “Është lider, nëse nuk ka probleme fizike mund të japë akoma më shumë për Lacion”.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *